Gazeta Dita

SPAK kërkon burgim të përjetshëm për kopshtarin e kompleksit të familjes Hajri, i rri besnik “Omerta”-s

-

Jepet pretenca në Gjykatën e Posaçme, Festim Bexhdili ka pranuar pas arrestimit se Altin Hajri e telefonoi që t’i çonte me furgonin e bardhë një trup të pajetë, por nuk pranoi të rrëfente se ku është groposur mobilieri më 17 janar 2020. Kërkohen 3 vite burgim për Olsi Turjan, nipin e Hajrajve. Të tjerët janë të lirë, në kërkim organizato­rët Dritan Rexhepi, Altin Hajri dhe Gentian Doçi (Funiqi). Prenga u rrëmbye në Kamëz, por u mbeti në dorë ekzekutorë­ve, mister vendi ku u gropos. Shkak, grabitja e rreth 300 kg kokainë në Angli nga vëllai i Prengës. Droga iu kthye kartelit shqipfolës, por jo i rrëmbyeri

Shkon drejt fundit procesi për fraksionin e parë të dosjes së rrëmbimit dhe zhdukjes pa gjurmë (nën dyshimin e vrasjes mafioze dhe groposjes së trupit) të Jani Prengës, më 17 janar 2020, në aksin Kamëz-Shijak, me destinacio­n të fundit pikërisht kompleksin “Golden”, të familjes Hajri. Prokuroria e Posaçme kërkoi dje në pretencë burgimin e përjetshëm për Festim Bexhdilin, rojën e kompleksit dhe personi i fundit që akuzohet se ka parë trupin e supozuar të pajetë të 49-vjeçarit, por që gjithashtu edhe e ka groposur. Punonjësi i familjes Hajri nuk pranoi të bashkëpuno­nte si i penduar dhe të rrëfehej për SPAK, duke marrë përsipër gjithçka dhe shfajësuar të tjerët me heshtjen e tij, apo ligjin e pashkruar mafioz të “Omerta”. Nga 7 të pandehur që pati dosja në total në hetimet e para, në qeli ka mbetur vetëm Bexhdili, kopshtari i kompleksin “Golden”. Për të bashkëpand­ehurin e tij, Olsi Turja, i akuzuar për “pengim të zbulimit të të vërtetës”, u kërkua një dënim me 3 vite burg. Ky i fundit rezulton se ka qenë prezent në subjekt, teksa u filmua nga kamerat e sigurisë, por nuk ka pasur informacio­n se çfarë ndodhi më tej. SPAK tha se Festim Bexhdili e di vendin ku kanë groposur trupin e Jan Prengës, por nuk e tregon atë. Seancën e radhës avokati do lexojë konkluzion­et e mbrojtjes, para se të jepet verdikti nga Gjykata e Posaçme e GJKKO.

Vetë Bexhdili ka dëshmuar në fillim të hetimeve se në datën 17 janar është telefonuar nga Altin Hajri, i dyshuar si një nga personat kryesorë që ka vënë në zbatim planin për rrëmbimin dhe mbajtjes peng të Jan Prengës, për të marrë një trup të pajetë me një furgon të bardhë dhe se është larguar disa kilometra nga resorti. Ai thotë se trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra dhe se më pas nuk ka dijeni se çfarë ka ndodhur, por kjo dëshmi e tij nuk e ka bindur SPAK. Për këtë arsye dy prokurorët Behar Dibra dhe Elida Kaçkini kanë kërkuar burg të përjetshëm për të riun. Ndërkohë, për bashkëpand­ehurin Olsi Turja, nipi i Hajrave, i akuzuar se ka penguar në zbulimin e së vërtetës,

SPAK kërkoi në pretencë dënimin me 3 vite burgim. Nga ana tjetër, për të akuzuarit e tjerë, Dritan Rexhepi që sipas SPAK porositi pengmarrje­n e Jan Prengës dhe Gentjan Funiqin (Doçi) i konsiderua­r si ‹truri i këtij operacioni› , hetimet vazhdojnë në çështje të ndarë, sikurse edhe për Altin Hajrin, të tre në kërkim.

Jan Prenga u rrëmbye janarin e 2020. Urdhrin për rrëmbimin sipas SPAK, e dha Dritan Rexhepi dhe Gentian Doçi (Funiqi), me motiv të pastër mafioz të larjes së hesapeve për një ngarkesë kokaine që i vëllai i Prengës kishte vjedhur në një nga portet e Londrës në Angli, para se të ndodhte rrëmbimi. Ngarkesa dyshohet se ishte pronë e kartelit të fuqishëm shqipfolës Rexhepi-Doçi. Megjithëse droga dhe paratë u kthyen më pas, nuk ndodhi kështu me Jani Prengën, që sipas hetimeve, mendohet se u ka mbetur në dorë autorëve nga torturat gjatë rrugës dhe më pas në resort. Sipas SPAK, urdhrin e tyre e ekzekutuan Martin Bleta dhe Korado Keshteja të cilët rrëmbyen Jan Prengën, ndërsa Artan Docaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, sipas hetuesve, e vranë më 17 janar 2020.

Jan Prenga me profesion mobilier, u rrëmbye në Kamëz ku edhe jetonte me familjen, kur në rrugën “London” u fut forcërisht në një makinë të autorëve, “Range Rover” i bardhë, që rezultoi i vjedhur, dhe pas ngjarjes u gjet i djegur në Shkallnur të Durrësit. 49-vjeçari, babai i 5 fëmijëve, e pësoi prej vëllait të tij, Astrit Prenga, korrier i grupeve të trafikantë­ve të drogës dhe kishte vjedhur 283 kg kokainë në Portin Portsmouth, që i përkiste Dritan Rexhepit dhe Gentjan Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Sipas SPAK rrëmbimi është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti të kthente lëndën narkotike. Astrit Prenga është arrestuar në Angli. Dritan Rexhepi, aktualisht është me arrest shtëpie në Ekuador, pasi u lirua pak muaj më parë dhe po shqyrtohen kërkesat e ekstradimi­t nga Italia, Shqipëria dhe Belgjika.

Me anë të pamjeve filmike, policia provoi se trupi i Jan Prengës kishte qenë Brenda kompleksit “Golden” dhe në atë kohë, arrestoi Leonard Hajri, babain i tij Bajram Hajri dhe kushëririn Elton Hajri, bashkë me Aleks dhe Ardian Doçajn, të cilët me vijimin e hetimeve u lanë të lirë, pasi prokuroria tha se nuk provohet që të kenë qenë bashkëpunë­torë në krim.

 ?? ??
 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania