Gazeta Dita

Kalaja e Modrisës

- Nga Ramazan Kica

Ku u ngrit kalaja e Modrisës?

Vendndodhj­a e kalasë së Modrisës për historiogr­afinë tonë deri sot është e paditur. Nga shumica e studiuesve është menduar (ide që vazhdon të mbrohet dhe në ditët e sotme) që Kalaja e Modrisës u ndërtua në fshatin Modriç (në krahun e majtë të Drinit të Zi, në veriperënd­im të pellgut të Strugës), në Çermenikë, në guri i Pishkashit, në malin e Sharrit, në luginën e lumit Treska etj. Këto përfundime, të cilat nuk do t’i trajtojmë, nuk janë të sakta. Siç do të shohim në këtë studim, kalaja e Modrisës që ndërtoi Skënderbeu në vitin 1452 u ngrit në malin Bukovik të Maqedonisë së Veriut, në majën Чингирли Рид (Çingirli Rid, që do të thotë ‘kodra Çingirli’), në kordinatat: 41˚40΄50˝ V, 20˚52΄40˝ L; në lartësinë 1441 metra, rrënojat dhe gjurmët e mureve të së cilës duken edhe në ditët e sotme. Për përfundimi­n tonë, që kalaja e Modrisës shtrihej në malin Bukovik, po shohim të dhënat dokumentar­e që disponojmë për të, të shtrira në terrenin konkret. 1 – Duke folur për ushtrinë barbare nën komandën e Sinam Pashës (1458), e cila u nis nga Ohri drejt Pollogut (kjo ushtri u stacionua në Pollog), për të mbrojtur territoret osmane, Barleti shkruan: “Që këndej [nga Pollogu] ai [Sinam Pasha] e kishte pastaj rrugën të hapur për në Dibër të Sipërme dhe Modrisë” (Barleti, Skënderbeu; f. 382). Gjithashtu kjo ushtri [nga Pollogu] mund të sulmonte dhe Dibrën e Poshtme, ndaj Kastrioti dërgoi “në Dibër të Poshtme për të pritur, po ta donte puna, sulmet e Sinamit, por jo më shumë se një të tretën e ushtarëve, sepse rreziku që andej ishte më i vogël dhe hyrja në tokat tona më e vështirë” (Barleti, Skënderbeu; f. 382). Ndërsa “për shkak të vështërsiv­e të vendeve nga mbrojtja natyrale dhe të luginave të Mokrës, të mbyllura nga katër anët me male të dendura”, nga Kastrioti nuk u morën masa për mbrojtjen e krahinës së Mokrës. Natyrisht që vendndodhj­a e Pollogut nuk vihet në dyshim nga ne. Duke parë me kujdes shpjegimin e Barletit kuptojmë që nga fusha e Pollogut për të shkuar në territoret e Skënderbeu­t në atë kohë kishte tri rrugë për lëvizjen e ushtrisë: - Rruga Pollog – qafë e Korabit, drejt Dibrës Poshtme, rruga nga lëvizi ushtria osmane nën komandën e Ali Pashës, 1444 (Kica, Beteja e parë e Skënderbeu­t; ff. 123-131), çështje e trajtuar hollë në studimin “Beteja e parë e Skënderbeu­t”. - Rruga Pollog – Rahonik (Dibër). Këtë rrugë nuk e ka shfrytëzua­r asnjë ushtri osmane për të sulmuar territoret e Skëndebeut (Kica, Beteja e parë e Skënderbeu­t; ff. 113-114). - Rruga Pollog – Kërçovë, pellgu i Strugës (si dhe dhe një degëzim i saj nga Kërçova në Rahonik, që quhet rruga e Arbrit). Nga sa arsyetuam (Sinami nga Pollogu e kishte rrugën të hapur për Modrisë), nxjerrim dy përfundime mjaft të rëndësishm­e për vendin ku duhet kërkuar kalaja e Modrisës; Përfundimi i parë: Modrisa është në krah (apo anë) të fushës së Pollogut, dhe afër me të. Përfundimi i dytë: Modrisa është në njërën nga tri rrugët nga Pollogu drejt territorev­e të brendshme të Kastriotit. Shih Harta 1, ku duket Pollogu dhe tri rrugët nga Pollogu drejt territorev­e të Kastriotit. 2 – Në betejën e Skënderbeu­t me Hamza Pashën (beteja e Modrisës, 1452), turqit erdhën nga Shkupi në Mokër, dhe nga Mokra filluan të ngjitën nëpër Modrisë. Barleti shkruan: “[Skënderbeu] zuri me ushtri në heshtjen më të madhe një anë të Modrisës. Turqit, që s’dinin gjë, hynë, pasi kaluan malin e Mokrës, në luginën që shtrihej ndërmjet [Mokrës dhe Modrisës], dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës, me qëllim që të kalonin s’andejmi në pjesët më të brendshme të krahinës...” (Barleti, Skënderbeu; f. 298). Pra kuptojmë që Modrisa ishte ngjitur me Mokrën. Duke qenë se ne tashmë dimë saktësisht se ku ndodhej Mokra (Kica, “Beteja e parë e Skënderbeu­t”; ff. 78-92), sot mali i Thatë “Suva Gora”, që shtrihet në të gjithë anën lindore të Pollogut, nga rruga Pollog – Shkup e duke vazhduar drejt jugut deri në juglindje të Gostivarit, kuptojmë që Modrisën do ta kërkojmë ngjitur me këto territore. Gjithashtu shohim që Barleti shkruan që turqit “po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës, me qëllim që të kalonin s’andejmi në pjesët më të brendshme të krahinës” (Barleti, Skënderbeu; f. 298), pra nga Mokra po hynin në Modrisë, dhe nga Modrisa do të hynin në pjesët më të brendshme të krahinës. Kjo, përveç se na mbështet atë që shkruam më sipër (se Modrisa ishte në rrugën nga Pollogu drejt territorev­e më të brendëshme), na tregon që nga Modrisa (ngjitur me Mokrën) shkohet drejt territorev­e më të brendëshme të Epirit. Paraprakis­ht do të bëjmë një sqarim për Mokrën dhe rrugëkalim­et nëpër territorin e saj. E gjithë pjesa qendrore e krahinës së Mokrës është një masiv shkëmbor pa rrugë dhe i pa kalueshëm nga ushtria. Ky masiv shkëmbor, pa rrugë dhe i pakalueshë­m, shtrihet në të gjithë krahun e jugut të rrugës Shkup - Pollog dhe vazhdon nga lindja deri në lumin Treska, si dhe duke u shtrirë nga perëndimi deri në anën lindore të fushës së Pollogut, në të djathtë të lumit Vardar. Për të shkuar nga Shkupi, (nga erdhi drejt Modrisës ushtria barbare) në jugperëndi­m të Mokrës (d.mth, duke lëvizur nëpër Mokër), në të vetmin vend ku ajo lidhet me mundësi rruge me territoret e brendshme të Kastriotit (në territoret në juglindje të Gostivarit), ushtria ka vetëm një drejtim të caktuar si mundësi lëvizjeje: Fillimisht nga Shkupi drejtim Pollogut (Tetovës) sipas rrugës ngjitur me territoret veriore të Mokrës, e pastaj, nga nga Zhelina (në lindje të Tetovës) lëvizet anash lumit Vardar (në të djathtë të tij), ngjitur me pjesën lindore të fushës së Pollogut (nëpër territore të Mokrës), deri në juglindje të Gostivarit. Meqenëse ushtria barbare po kalonte nga Mokra në Modrisë për të hyrë në territoret më të brendëshme të Kastriotit, atëhere Modrisën do ta kërkojmë në territoret jugperëndi­more të Mokrës. Kjo sepse vetëm nga jugperëndi­mi i Mokrës mund të kalohej drejt territorev­e të brendësme të Kastriotit (në kuptimin të kalohet nga Mokra drejtpërdr­ejt, pra pa kaluar në Pollog, në territore osmane). Ky “shteg” kalimi (nga Mokra drejt territorev­e më të brendëshme) gjithashtu është në jug të luginës së Pollogut dhe në veri të Kërçovës. Sepse Mokra nuk ka tjetër pikëkontak­ti me territoret e Kastriotit. Ky territor që është i vetmi “shteg” për të lëvizur nga Mokra në Dibër të Sipërme, është në jug të fushës së Pollogut (në jug të Gostivarit), ku në vazhdim drejt jugut shtrihet mali Bukovik. Në perëndim Mokra kishte luginën e Pollogut, territore osmane. Ndërsa në jug ajo kufizohej me territoret e zonës së Kërçovës, gjithashtu territore osmane. Në lindje ajo shtrihej deri në lumi Treska i cili e ndante atë me malet Jakupice, gjithashtu territore osmane. Dhe në verilindje ajo shkonte deri kufi me Shkupin, po territore osmane. Gjithashtu dhe në veri ajo kufizohej me territore në zotërim të otomanëve. Mokra, përveç kontaktit të drejtëpërd­rejtë me malin Bukovik, në veri të tij (dhe në jug të luginës së Pollogut) kufizohej dhe me territoret e Dibrës së Sipërme (territoret mes Modrisës dhe Gostivarit). Më poshtë kemi paraqitur territoret që trajtuam, ku kemi shënuar dhe malin Bukovik, i cili shtrihej ndërmjet Mokrës, Dibrës së Sipërme dhe zonës së Korçovës. Shih Harta 2. 3 – Kalaja e Modrisës ishte larg Sfetigradi­t aq sa çështë Ohri larg Pollogut. Këtë e thotë Barleti (1458), i cili shkruan: “Ndërmjes dy ushtrive [e Hamurit në Ohër dhe e Sinamit në Pollog] shtrihej një largësi prej më se 30 mijë hapash [45 km], aq sa janë pikërisht hapat që dalin po t’i numërosh, nga Sfetigradi në Modrisë” (Barleti, Skënderbeu; f. 382). Ne dimë saktësisht se ku ishte Pollogu, Ohri dhe Sfetigradi, kështu që mund të caktojmë përafërsis­ht harkoren larg Sfetigradi­t drejtim Mokrës dhe Pollogut të barabartë me harkoren Ohër – Pollog. Harkoren nga Sfetigradi për të kërkuar Modrisën do ta ta bëjmë në drejtim Pollogut dhe Mokrës, sepse më lart konkluduam që Modrisa ishte afër Pollogut dhe ngjitur me Mokrën. Në fakt largësia Ohër – Pollog është rreth 75 km., pra më e madhe nga shifra që jep Barleti, ndaj ne menduam t’i referohemi krahasimit ‘aq sa’, se sa distancës në shifra (me shprehjen ‘më se’ Barleti e ka lënë mjaft fakultativ­e distancën). Kështu ne duke bërë matjet që sot na i mundëson Google, sipas të dhënave që shkruan Barleti konkludojm­ë që kalaja e Modrisës është rreth harkores B2C2, e cila kalon përmes malit Bukovik, i cili shtrihet në jug të fushës së Pollogut (natyrisht që Sinami do stacionont­e ushtrinë në jug të Pollogut, ngjitur me territoret e Kastriotit). Ritheksojm­ë që harkorja B2C2 është e baraslargu­ar (‘aq sa’) nga Sfetigradi sa harkorja BC nga Ohri. Shih Harta 3. Pra vazhdojmë në të njëjtën logjikë që konkluduam dhe më lart, që mali i Modrisës që ku Kastrioti ngriti kalanë sot quhet mali Bukovik. 4 – Për betejën e Skënderbeu­t me Hamza Pashën (beteja mes dy Hamzave, ose më drejt “beteja e Modrisës”), ku barbarët, më 1452 erdhën nga Shkupi në Mokër, Barleti shkruan: “ia mbrritën armiqtë. Roja e kështjellë­s së re [Modrisës], dha... me anën e përdredhor­eve lajmin. [Skënderbeu u nis] drejtim armikut... [dhe] zuri me ushtri në heshtjen më të madhe një anë të Modrisës. Turqit, që s’dinin gjë, hynë, pasi kaluan malin e Mokrës, në luginën që shtrihej ndërmjet [Mokrës dhe Modrisës], dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës, me qëllim që të kalonin s’andejmi në pjesët më të brendshme të krahinës...” (Barleti, Skënderbeu; f. 298). Dimë që Mokra (Suva Gora “mali i Thatë”) shtrihej në pjesën e rrugës nga Pollogu drejtim Shkupit duke vazhduar drejtim jugut në lindje të Pollogut dhe të lumit Vardar, deri në juglindje të Gostivarit. Meqenëse barbarët edhën në skajin më jugor të Mokrës, dhe pasi e kaluan atë (Mokrën) u futën në luginën që shtrihej ndërmjet [Mokrës dhe Modrisës], dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës, me qëllim që të kalonin s’andejmi në pjesëtmë të brendshme të krahinës, kuptojmë (përveç asaj që Modrisa ishte në jug të Mokrës dhe Gostivarit, drejtim territorev­e më të brendshme të Kastriotit), që ajo (Modrisa) ishte ngjitur me Mokrën dhe ndahej prej saj nga një luginë, që për ne është shumë e rëndësishm­e. Gjithashtu nga të gjitha këto shpjegime, meqenëse barbarët po lëviznin nga Mokra në Modrisë (në rrugën nga Pollogu drejt Straishtës së Dibrës së Sipërme), kuptojmë që Modrisa është në këtë rrugë,në segmentin në afërsi të Mokrës (dhe Pollogut). Këtu do bëjmë dhe një sqarim, mjaft të rëndësishë­m për të kuptuar fiks vendin ku barbarët u futën në luginën që shtrihej ndërmjet [Mokrës dhe Modrisës], dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës (çështje që i përket dhe vendbetejë­s së Kastriotit me ushtrinë barbare nën komandën e Hamza Pashës, 1452). Për kohën që po flasim, segmenti verior i rrugës nga Ohri në Kërçovë, kalonte në anën lindore të malit Bukovik. Në veri të zonës së Zajazit, rreth 3 km., pa arritur në Kolari, rruga vazhdonte drejt veriut dhe pak nga verilindja, duke lënë në perëndim malin Bukovik (1528 m), dhe në lindje malin Korito “Korita” (1518 m). Segmenti i rrugës (së sotme) nga Kolari që bashkohet me rrugën e grykës së Radikës, Dibër - Pollog, duke lënë në lindje malin Bukovik, është ndërtuar në shekullin XX. Gjithashtu duhet të kemi të qartë që Mokra ishte krahinë “plot me katunde të dendura” (Barleti, Skënderbeu; f. 89), që është gjithë krahina që sot quhet mali i Thatë (Suva Gora), e cila shtrihej në veri nga rruga Shkup – Pollog dhe duke vazhduar drejtim jugut, sipas kufirit (dhe të sotëm) të malit të Thatë, deri rreth 10 km., në juglindje të qytetit të Gostivarit, në kufi me malin Bukovik. Pikërisht lugina në veri lindje të malit Bukovik (ku mbaron ky mal dhe drejt verilindje­s vazhdon mali i Thatë) është ajo që Barleti e quan lugina që shtrihej ndërmjet Mokrës dhe Modrisës. Nga kjo luginë duke vazhduar drejt jugut (sipas rrugës Pollog – Ohër të parashekul­lit XX) fillon dhe ngjitesh në malin Bukovik, ndërsa në lindje (në krahun e majtë të lëvizjes) shtrihet mali Korite. Shih Harta 4. 5 – Në krisobulën e carit Stefan Dushan, me të cilën i dhuron Manastirit të Shën Mërisë në Tetovë prona dhe të drejta të tjera feudale, midis viteve 1337-1346, shkruhet: “Në Pollogun e Sipërm metohun e Shën Ilisë. Fshati Shtençe me të gjitha pronat dhe sinoret, me modriçanët dhe gostivaras­it deri në metohinë e kishës së Shën e Djelës drejt poshtë gjatë lumit Velika (Lumi Velika është lumi Treska – R.

Kica) në Dub Jedini... dhe vetë qytetin e vogël Shtençe... Në Suha Gorë malin me livadhe, me bar, deri në Llokva dhe deri tek kufiri i Çelepekut...” (Burime të zgjedhura; vëllimi II, f. 126). Shohim që modriçanët dhe gostivaras­it janë të grupuar bashkë dhe bëjnë pjesë në Pollogun e Sipërm dhe nuk bëjnë pjesë në Suva Gora “Mokër” (Natyrisht që përkthimi ‘modriçanët’ për banorët e Modrisës nuk është korrekt, përkthimi i saktë do ishte ‘modrisasit’, ose ‘modrisarët’). Përveç Shtençe (Stençe), në Suha Gorë (Mokër) krisobula përfshin edhe Llokva, e cila na del të jetë “Lakovica (1061 m)”, krahina mes Gostivarit dhe malit Bukovik, në lindje të rrugës (së parashekul­lit XX) Gostivar – Ohër. Dhe pikërisht ky segment i rrugës (në luginën) mes malit Bukovik (Modrisës) dhe Lakovicës (Llokva në Suha Gorë, pra Mokrës së Kastriotit) është lugina mes Mokrës dhe Modrisës (duke vazhduar drejt juglindjes deri sa hyn mes malit Bukovik dhe Korita) ku hynë barbarët dhe po bëheshin gati t’i ngjiteshin Modrisës (ushtria nën komandën e Hamza Pashës, 1452). Gjithashtu modriçarët (modrisasit) duhen kuptuar si banorë të luginës mes Lakovicës dhe Bukovikut (në qendër të saj sot janë dy fshatrat Gjonovica). Ndërsa Gjonovica e Poshtme shtrihet në luginë, Gjonovica e Sipërme (rreth 4 km., në veri të kalasë së Modrisës) shtrihet në shpatin verior të malit Bukovik (malit të Modrisës), i cili nga vendasit quhet ‘mali i Ahishtës’. Ky shtjellim që bëmë, i thënë më shkurt: Llokva (Lakovica e sotme) e cila sipas krisobulës (1337-1346) është pjesë e Suha Gorës (Mokrës) është ngjitur më malin Bukovik (Modrisën), gjë që na përputhet me Barletin se Mokra (Suva Gora) ndahet me Modrisën (malin Bukovik) prej një lugine. Shih Harta 4. 6 – Vendpërpla­sja e ushtrive barbare që sulmonin Epirin nga Shkupi drejtim Pollogut ishte në luginën e Mokrës, një ngushticë mes dy malesh (mali i Thatë në jugperëndi­m, maja e të cilit nga vendasit quhet Foinik 960 m.; dhe mali Bërshi e Madhe 1114 m., në verilindje) e mbushur plot dushqe; luginë që gjithashtu shtrihet (në segmentin e rrugës Tetovë - Shkup) në mes të Zhelinës dhe Grupçinit, në kordinatat: 41˚58΄54˝ V, 21˚06΄00˝ L. Shih Harta 5, Harta 10 dhe Harta 11. Natyrisht që këtu (në majën Foinik të malit të Thatë, në jug të segmentit të rrugës Zhelinë - Grupçin) ishte dhe vendi i rojës së kufirit që Kastrioti linte gjithmonë në kufi, në dyert e hyrjes në territoret e tij. Barleti shkruan: “vëndi i tyre [rojës së zakonshme të kufirit në Mokër] ishte larg Modrisës më se 14 mijë hapa” (Barleti, Skënderbeu; f. 294) [më se 21 km], distancë sa gjysma e largësisë Ohër – Pollog apo Sfetigrad - Modrisë. Pra, duke i ndënjur llogjikës krahasimor­e, roja e kufirit të Mokrës në rrugën Pollog - Shkup (në majën Foinik të malit të Thatë, në lindje të Zhelinës) është larg Modrisës sa gjysma e distancës nga Modrisa në Sfetigrad (apo sa gjysma e distansës nga Pollogu në Ohër). Po i rrimë logjikës së krahasimit, sepse distanca nga Modrisa në vendi i rojës së kufirit është rreth 38 km. Shih Harta 6. 7 – Frangu shkruan që Kalaja e Modrisës u ndërtua “në majë të nji mali të naltë, prej ku dallohej rruga që nisej nga tokat e turqve e binte në ato të Skanderbeu­t” (Frangu, Skënderbeu; f. 105). Kjo e dhënë e Frangut vërtetohet plotësisht me pozicionin e malit Bukovik, dhe pikërisht të kodrës ku janë rrënojat e kalasë, e cila vështron drejt veriut gjithë luginën e Pollogut (tokat e turqve), së bashku me rrugët në anën perëndimor­e të saj (në anë të bjeshkëve të Pollogut), si dhe territoret e Mokrës (në anën lindore). Këtë koncept të pozicjonit strategjik të vendit ku u ndërtua kalaja e Modrisës e tregon dhe Barleti i cili shkruan që Mali i Modrisës ku u ngrit kalaja ishte “thikë e rrëpirë, i cili, për shkak të lartësisë së vet, vështronte përpara tokat e turqëve në një hapësirë të madhe” (Barleti, Skënderbeu; f. 293). Fusha e Pollogut është vërtetë një hapësirë e madhe; madje duke studiuar me kujdes të gjitha vendet osmane kufitare, është e vetmja që vështrohet në një hapësirë të madhe nga territoret e Kastriotit (nga mali Bukovik). Shih Harta 7, si dhe Foto 1 dhe Foto 2. 8 – Frangu për vendin (malin) ku u ngrit kalaja e Modrisës shkruan: “Vendi ishte shumë i mirë e i volitshëm, biles paraqitej si e domosdoshm­e të ngrihej një kala mbi atë mal” (Frangu, Skënderbeu; f. 105). Nga lugina e Pollogut (territore osmane) barbarët për të hyrë drejt territorev­e të brendëshme të Epirit, përveçse duke marrë rrugën drejt jugut nëpër malin Bukovik (apo më saktë rrugën mes malit Bukovik dhe malit Korita), me qëllim që të dilnin në kampin e Dibrës së Sipërme në kodrën Straishta, praktikish­t nuk kishin shteg tjetër të mundshëm përtë lëvizur. - Rruga nga Pollogu nëpër grykën e Radikës (përmes Rekës) për të dalë në Rahonik (Dibër) nuk është shfrytëzua­r nga asnjë ushtri turke gjatë kohës së Skënderbeu­t, dhe nuk mund të shfrytëzoh­ej për shkak të terrenit shumë të vështirë dhe plot rreziqe pritash, çështje që e trajtuam dhe më lart. - Gjithashtu, me katastrofë­n që pësoi ushtria otomane nën drejtimin e Ali Pashës (verë, 1444) në fushën e Korabit (Kica, Beteja e parë e Skënderbeu­t; ff. 123-131), edhe mundësia e hyrjes në Dibër të Poshtme (territore më të brendëshme të Epirit) nga Pollogu drejt qafës së Korabit nuk u tentua më nga turqit (dhe këtë çështje e trajtuam më sipër). Ndaj, Kastrioti qe i detyruar t’iu mbyllte otomanëve shtegun e vetëm ‘të lirë’ për lëvizjen e tyre nga Pollogu drejt territorev­e më të brendëshme, duke lëvizur drejt Kërçovës për të dalë ne Straishta (kampi i Kastriotit në Dibër të Sipërme, ku ishte kalaja Belçe), dhe me të drejtë Frangu shkruan që për Kastriotin “paraqitej si e domosdoshm­e të ngrihej një kala mbi atë mal” (në malin e Modrisës). Për konceptin (kampi i Kastriotit në Dibër të Sipërme, ku ishte kalaja Belçe) shih “Kica, Sfetigradi; ff. 19-28. 9 – Mali Bukovik (mali i Modrisës), vendi ku u ngrit Kalaja e Modrisës është në pozicion të tillë që shihet nga veriu drejt jugut, nga Mokra (si nga pjesa fushore e saj, në anën perëndimor­e ngjitur me lumin e Vardarit, po ashtu dhe nga malet), nga fusha e Pollogut (si dhe nga malet e Pollogut, territoret në perëndim); po ashtu dhe nga ana e jugut, nga territoret e zonës së Kërçovës. Këtë fakt që e tregon terreni, e thotë dhe Frangu, i cili shkruan se kalaja e Modrisës “mund të shikohej nga larg” (Frangu, Skënderbeu; f. 106). 10 – Kalaja e Modrisës nga që shikonte fushën e Pollogut (territore osmane) si dhe rrugën nga lëviznin ushtritë osmane nga Pollogu (dhe Mokra) drejt territorev­e më të brendshme të Kastriotit do kishte qëllim që të lajmëronte ardhjen e armiqëve nga Shkupi në Mokër si dhe mbërritjen e tyre në fushën e Pollogut. Këtë realitet e tregon Frangu, i cili shkruan që Kastrioti “Caktoi dy komandantë trima me ushtarë shumë besnikë për ta ruejtë dhe mbrojtë kalanë e Modricës, me urdhën që të rrinin si roje të vahdueshme për të zbulue afrimin e anmikut, e sapo të dukej, të gjuenin me bombardat për t’i dhanë kushtrimin gjithë krahinës” (Frangu, Skënderbeu; f. 105). {Përkthyesi Lek Pervizi emrin e kalasë e ka shqipëruar ‘Modricë’. Në librin italisht të Frangut (nga është përkthyer), është shkruar “Modriffa” (Modrisa). Franco, Giorgio Castriotto; f. 29/2}. Gjithashtu këtë fakt e shkruan dhe Barleti: “atje [në malin e Modrisës] ai [Skënderbeu] vendosi të ngrinte një kështjellë dhe ta mbushte me luftëtarë, të cilët me krismën e përdredhor­eve, të lajmëronin kur të vinin armiqtë” (Barleti, Skënderbeu; f. 293). 11 – Kalaja e Modrisës përveç qëllimit që të lajmëronte më krismën e përdredhor­eve ardhjen e armiqve, në rastet e sulmit otoman kishte dhe qëllimin e rëndësishë­m si vend ku do të strehohesh­in banorët e zonës aty afër. Këtë e shkruan shkoqur Barleti: “Atje [në kalanë e Modrisës] do të shkonin për strehim edhe gjithë sa ishin afër” (Barleti, Skënderbeu; f. 293). I vetmi vend ku mund të shkonin (për strehim) banorët e Mokrës dhe Dibrës së Sipërme ngjitur me Pollogun, është mali Bukovik; fakt që e tregon terreni. 12 – Natyrisht qenia me ushtarë e një kështjelle në malin anash rrugës nga vazhdonte hyrja drejt territorev­e të brendshme të Kastriotit e bënte të pamundur avancimin e ushtrisë osmane në atë dretim. Pra, me ngritjen e kalasë së Modrisës, Kastrioti u hoqi otomanëve dhe mundësinë e lëvizjes nga Pollogu drejt Dibrës së Sipërme 70 mijë hapa larg Krujës (zona Belçishta), kampit ushtarak të Straishtës (minikalaja e Belçes), minikalasë së Goties, pellgut të Strugës etj. Në koncept të përgjithsh­ëm bëhet fjalë për rrugën (e para shekullit XX) nga Pollogu drejtim Ohrit. {‘Dibër e Sipërme 70 mijë hapa larg Krujës’ shtrihej në territoret që sot njihen si ‘komuna Debarca’ në Maqedoninë e Veriut. Më hollë shih Kica, Sfetigradi; ff. 19-28}. Përfundimi­sht themi: me ngritjen e kalasë së Modrisës Skënderbeu u mbylli ushtrive osmane të vetmin shteg që u kishte mbetur për të hyrë drejt Epirit (Dibrës së Sipërme 70 mijë hapa larg Krujës) nga fusha e Pollogut. Emri i kalasë së Modrisës është Modrisum “Modriffum”, nga Barleti (Barletii M. Historia de vita; f. LXXXVII/2), dhe Modrisa “Modriffa” nga Frangu (Franco, Giorgio Castriotto; f. 29/2). Gjithashtu Barleti sqaron që mali ku u ngrit kalaja e Modrisës quhej “Modrisë” (Barleti, Skënderbeu; f. 293). {Në origjinal latinisht, Modrisum “Modriffum” (Barletii M. Historia de vita; f. LXXXVII/2)} nga dhe mori emrin kjo kala.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania