Gazeta Dita

Euro përtokë, Leku kampion: Çfarë po ndodh me kursin e këmbimit, sa u këmbyen sot

Agjentët besojnë se në zhvlerësim­in e Euros në kursin e këmbimit me Lekun ka filluar të ketë një ndikim të konsiderue­shëm faktori sezonal

-

Euro pësoi një tjetër rënie të lehtë në kursin e këmbimit me Lekun ditën e mërkurë dhe preku një minimum të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 119.9 Lekë, kurs lehtësisht më i ulët se rekordi i mëparshëm prej 119.91 Lekë që ishte shënuar më datë 23 Maj. Agjentët besojnë se në zhvlerësim­in e Euros në kursin e këmbimit me Lekun ka filluar të ketë një ndikim të konsiderue­shëm faktori sezonal. Nisja e sezonit veror shoqërohet me rritje të numrit të turistëve dhe me shtim të flukse valutore hyrëse në ekonominë shqiptare. Kjo zakonisht shkakton një zhvendosje në ulje të kursit të këmbimit Euro-Lek gjatë muajve të verës. Banka e Shqipërisë ka evidentuar se gjatë viteve të fundit efekti sezonal është zgjatur në kohë, duke filluar më herët, në periudhën maj-qershor dhe duke u zgjatur deri në muajin shtator. Megjithatë, ky efekt kulmon mes fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit, kur fluksi i turistëve arrin kulmin dhe bashkë me të, edhe oferta e Euros në tregun valutor vendas. Mbështetur në këtë logjikë, është e arsyeshme të pritet që kursi i Euros me Lekun të prekë rekorde të reja në rënie gjatë kësaj vere. Kriza e çmimeve në tregjet globale dhe inflacioni më i lartë në më shumë se 20 vjet krijuan mes ekspertëve një pritshmëri se ndoshta leku mund të zhvlerësoh­ej disi në kursin e këmbimit me Euron. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, madje qysh prej fundit të vitit të kaluar pozitat e lekut u forcuan më tej.

Me përjashtim të një momenti paniku në fillim të marsit, i lidhur kryesisht me blerjet valutore për importe të energjisë, Leku është shfaqur i qëndrueshë­m, me një prirje të lehtë mbiçmuese ndaj Euros.

Tani që kemi hyrë në sezonin veror, agjentët besojnë se efekti sezonal do të ndikojë në një rënie të mëtejshme të kursit të këmbimit Euro-Lek. Pritshmëri­të për sezonin veror këtë vit paraqiten pozitive, megjithë pasiguritë që ka krijuar inflacioni i lartë për ekonomitë familjare. Tejkalimi i efekteve të pandemisë dhe heqja e kufizimeve ka bërë që lëvizjet ndërkufita­re të njerëzve t’i kthehen normalitet­it.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania