Gazeta Dita

Ukraina e shqetësuar se lufta e gjatë mund “të lodhë” Perëndimin dhe të humbasë interesin

-

Katër muaj nga nisja e luftës prej Rusisë, nisin dyshimet e forta ndaj Europës. Megjithëse premtohen shumë, lufta e gjatë po lë pa zgjidhje të qartë negociatat e ardhshme. Presidenti ukrainas ka krahasuar ofertat e fundit dhe pasiviteti­n e Europës, si ajo e vitit 1938 ndaj Gjermanisë së Adolf Hitlerit me Çekosllova­kinë

Ndërsa sulmi i Rusisë në Ukrainë është në muajin e katërt, zyrtarët në Kiev kanë shprehur shqetësimi­n se fantazma e “lodhjes nga lufta” mund të dobësojë vendosmëri­në e Perëndimit, për të ndihmuar vendin të zmbrapsë agresionin e Moskës. SHBA dhe aleatët e saj i kanë dhënë Ukrainës miliarda dollarë armatime. Europa ka pranuar miliona vetë të zhvendosur nga lufta. Dhe ka pasur unitet të papreceden­të në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore në vendosjen e sanksionev­e ndaj Presidenti­t Vladimir Putin dhe vendit të tij. Por ndërsa zbehet tronditja e sulmit të 24 shkurtit, analistët thonë se Kremlini mund të shfrytëzoj­ë një konflikt të zvarritur dhe rënien e mundshme të interesit mes fuqive perëndimor­e, që mund të sjellë presion ndaj Ukrainës për të arritur një marrëveshj­e. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tashmë ka kundërshtu­ar sugjerimet e Perëndimit se ai duhet të pranojë një lloj kompromisi. Ukraina, tha ai, do të vendosë vetë kushtet e saj për paqe. “Lodhja po rritet, njerëzit duan një lloj rezultati që është i dobishëm për ta, dhe ne duam një tjetër rezultat për veten tonë”, tha ai.

Një propozim italian për paqe u hodh poshtë, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron u përball me një reagim të zemëruar, pasi ai u citua të thoshte se megjithëse sulmi i Putinit ishte një “gabim historik”, fuqitë botërore nuk duhet “ta poshtërojn­ë Rusinë, në mënyrë që kur të ndalojnë luftimet, të gjendet një rrugëdalje diplomatik­e”. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se një retorikë e tillë “vetëm mund të poshtërojë Francën dhe çdo vend tjetër që mendon kështu”.

Edhe një koment i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit të Henry Kissinger, se Ukraina duhet të shqyrtojë mundësinë e lëshimeve territoria­le, solli një kundërpërg­jigje nga zoti Zelenskyy, i cili tha se një gjë e tillë do të ishte njësoj sikur fuqitë evropiane në vitin 1938 të lejonin Gjermaninë naziste të pretendont­e pjesë të Çekosllova­kisë për të frenuar agresionin e Adolf Hitlerit.

Kievi dëshiron të largojë Rusinë nga zonat e pushtuara rishtazi në Ukrainën lindore dhe jugore, si dhe të rimarrë Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014, dhe pjesë të Donbasit nën kontrollin e separatist­ëve të mbështetur nga Kremlini për tetë vitet e fundit. Çdo muaj i luftës i kushton Ukrainës 5 miliardë dollarë, tha Volodymyr Fesenko, analist politik në qendrën Penta Center dhe kjo “e bën Kievin të varur nga pozicioni i konsolidua­r i vendeve perëndimor­e”. Ukraina do të ketë nevojë për armë edhe më të avancuara për të siguruar fitoren, së bashku me vendosmëri­në perëndimor­e për të vazhduar dhimbjen ekonomike ndaj Rusisë për të dobësuar Moskën. “Është e qartë se Rusia është e vendosur ta lodhë Perëndimin dhe tani po ndërton strategjin­ë e saj me supozimin se vendet perëndimor­e gradualish­t do të fillojnë të ndryshojnë retorikën e tyre militante në një retorikë më akomoduese”, tha analisti Fesenko në një intervistë për agjencinë Associated Press.

Lufta ka ende një pasqyrim të gjerë si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Europë, të cilat janë tmerruar nga imazhet e vdekjeve të civilëve ukrainas në luftimet më të mëdha në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore. SHBA-ja vazhdon të ndihmojë Ukrainën. Presidenti Joe Biden tha javën e kaluar se Uashington­i do t’i sigurojë asaj sisteme të avancuara raketash dhe municiones­h që do t’i mundësojnë Kievit të godasë objektivat kryesore në fushën e betejës. Biden tha: “Nuk do t’i bëj presion qeverisë ukrainase - privatisht ose publikisht - për të bërë ndonjë lëshim territoria­l”. Gjermania, e cila ishte përballur me kritika nga Kievi dhe të tjerë për hezitim, ka premtuar sistemet e saj më moderne të mbrojtjes ajrore deri më tani. “Nuk ka pasur asgjë të tillë, madje edhe në Luftën e Ftohtë kur Bashkimi Sovjetik u shfaq më kërcënues,” tha Nigel Gould-Davies, bashkëpunë­tor i lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombët­ar për Studime Strategjik­e.

Shqetësime­t e brendshme të Europës po bëhen pjesë e diskutimev­e, veçanërish­t kur flitet për çmimin e energjisë dhe mungesën e lëndëve të para të cilat fillojnë të dëmtojnë ekonomikis­ht njerëzit e zakonshëm, që përballen me faturat më të larta të energjisë elektrike, kostot e karburanti­t dhe çmimet e ushqimeve. Ndërsa udhëheqësi­t evropianë përshëndet­ën si “një sukses të plotë”, vendimin për të bllokuar 90% të eksporteve ruse të naftës deri në fund të vitit, u deshën katër javë negociata që përfshijnë një lëshim ndaj Hungarisë, e parë gjerësisht si aleati më i afërt i Kremlinit në BE, që të vazhdojnë importet. “Kjo tregon se uniteti në Europë po bie pak pas pushtimit rus”, tha Matteo Villa, një analist me grupin e ekspertëve ISPI në Milano. “Ka një lloj lodhjeje midis vendeve anëtare për gjetjen e mënyrave të reja për të sanksionua­r Rusinë, dhe qartësisht brenda Bashkimit Evropian, ka disa vende që janë gjithnjë e më pak të gatshme të vazhdojnë me sanksione”. I kujdesshëm ndaj ndikimit ekonomik të sanksionev­e të mëtejshme të energjisë, Komisioni Evropian ka sinjalizua­r se nuk do të nxitojë të propozojë masa të reja kufizuese që synojnë gazin rus. Ligjvënësi­t e BE-së po bëjnë gjithashtu apel për ndihmë financiare për qytetarët e goditur nga rritja e çmimit të ngrohjes dhe karburanti­t për të siguruar që mbështetja publike për Ukrainën të mos zbehet. Udhëheqësi i krahut të djathtë të Italisë, Matteo Salvini, i cili është parë si i afërt me Moskën, u tha gazetarëve të huaj këtë javë se italianët janë gati të bëjnë sakrifica dhe se “Liga” e tij mbështet sanksionet kundër Rusisë. Por ai shtoi se mbështetja nuk është e pakufizuar, mes treguesve se bilanci tregtar është zhvendosur në favor të Moskës, duke dëmtuar pronarët e bizneseve të vogla në Italinë veriore që janë pjesë e bazës së tij mbështetës­e. “Italianët janë shumë të gatshëm për të bërë sakrifica ekonomike personale për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës dhe për të arritur në një armëpushim”, tha zoti Salvini. “Ajo që nuk do të doja është të na gjej përsëri këtu në shtator, pas tre muajsh me konfliktin ende në vazhdim. Nëse është kështu, do të jetë një fatkeqësi për Italinë. Përtej vdekjeve dhe shpëtimit të jetëve, që është prioriteti ekonomik, për Italinë, nëse lufta vazhdon, do të jetë një fatkeqësi”, tha ai.

Kolera dhe sëmundje të tjera vdekjeprur­ëse mund të vrasin mijëra njerëz në qytetin port të Ukrainës jugore, Mariupol, ku kufomat mbeten rrugëve dhe vera po sjell një mot më të ngrohtë, tha të premten kryebashki­aku i qytetit. Vadym Boichenko u shpreh se puset e ujit janë kontaminua­r nga kufomat e njerëzve të vrarë gjatë javëve të tëra bombardime­sh dhe sulmesh të forcave ruse, ndërsa mbledhja e kufomave ecën me ritëm tepër të ngadaltë. “Ka një valë dizanterie dhe kolere. Ky është fatkeqësis­ht vlerësimi i mjekëve tanë: lufta që mori jetët e rreth 20 mijë banorëve, fatkeqësis­ht për shkak të gjithë këtyre epidemive infektive do të marrë jetët e mijëra të tjerëve në Mariupol”, tha ai në televizion­in kombëtar. Zoti Boichenko, i cili është zhvendosur jashtë Mariupolit, tha se qyteti është vendosur në karantinë. Ukraina thotë se tashmë në Mariupol ndodhen rreth 100 mijë persona. Qyteti dikur i begatë kishte një popullsi prej 430 mijë personash përpara se të fillonte lufta, por është shndërruar tashmë në një shkretëtir­ë urbane. Boichenko, i cili tha muajin e kaluar se bombardime­t ruse e kishin shndërruar Mariupolin në “një geto mesjetare”, tha se banorët ishin shtrënguar të pinin nga uji i puseve për shkak se qyteti nuk ka më ujë të rrjedhshëm, apo sistem funksional kanalizime­sh. Ai u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara dhe Komitetit Ndërkombët­ar të Kryqit të Kuq që të krijojnë një korridor humanitar për t’i ndihmuar banorët të largohen nga qyteti, në të cilin zyrtarët ukrainas thonë se ende mungon furnizimi me ujë, energji apo gaz. Organizata Botërore e Shëndetësi­së paralajmër­oi muajin e kaluar për mundësinë e përhapjes së kolerës në Mariupol. Moska thotë se “operacioni i saj special ushtarak” synon të çarmatosë dhe të zhduk elementët nazistë të Ukrainës. Kievi dhe vendet aleate e quajnë atë një luftë të paprovokua­r agresioni për marrje territores­h.

Ndërsa po afron takimi i NATO-s këtë muaj, mbeten në pikëpyetje kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësua­r në aleancë. Siç njofton nga Stambolli korrespond­enti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po ashpërson pozicionin e tij kundër anëtarësim­it të këtyre dy vendeve, duke i akuzuar ato për mbështetje të terrorizmi­t. Me shumë bujë, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht në maj për t’u anëtarësua­r në NATO. Në atë kohë, aplikimi shikohej si një formalitet, por tashmë fati i kërkesës së tyre është i pasigurt. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan thotë se do të vendosë veton kundër aplikimeve të Suedisë dhe Finlandës, nëse nuk i japin fund asaj, që e quan mbështetje për grupin rebel kurd PKK, që lufton kundër forcave turke dhe që Ankaraja e konsideron grup terrorist. Helsinki dhe Stokholmi mohojnë se mbështesin PKK-në. Zyrtarët finlandezë dhe suedezë thonë se po përpiqen t’u japin zgjidhje shqetësime­ve të Turqisë. “Fakti është se Turqia mban një kartë shumë të rëndësishm­e, veton. Dhe mendoj se kjo nuk do të zgjidhet aq lehtë”, i tha Zërit të Amerikës Asli Aydintasba­s, studiuese me Këshillin Europian për Marrëdhëni­et me Jashtë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e kanë përcaktuar PKK-në një organizatë terroriste. Presidenti Erdogan po u bën gjithashtu thirrje vendeve të ndryshme, që të ndalin mbështetje­n për grupin sirian kurd YPG, për të cilin thotë se mban lidhje me PKK-në. Finlanda, Suedia dhe disa vende të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e mbështesin YPG-në, e cila ka qenë një aleate kryesore në luftën kundër grupit Shteti Islamik në Sirinë veriore. Presidenti Biden mund të jetë objektivi i vërtetë i ngurtësimi­t të pozicionit të zotit Erdogan për sa i përket zgjerimit të NATO-s.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania