Gazeta Dita

SI ARTIST, JO VETËM NGJYRASH DHE POLITIKAN DEKADASH, KRYEMINIST­RI E DI…

- Nga EDONA LLUKAÇAJ

Duket se ka një lidhje të fuqishme të politikës sonë me domatet, çfarë u nënvizua edhe nga kryeminist­ri i vendit këtë të enjte në Kuvend. Ashtu si z. Rama vuri në dukje, domatja është përdorur në masë për t’i dhënë ngjyrë politikës bardh e zi.

Ngjashmëri­sht, kur thurte ëndrra të fjetura kryministr­ore, ish- kryetari i opozitës Basha, nën shembullin e Ramës, vrapoi të dalë në foto me gruan, teksa kthehej nga tregu dhe me një qese me domate të kuqe, për dekor.

Ndërsa, këtë javë, me pluhurin e Kievit ende në këpucë dhe mesazhin e solidarizi­mit në xhep, z. Rama premtoi se domatet do gjenin treg në vend dhe do eksportohe­shin. Në sfondin e luftës në Ukrainë, shumica e vendeve po kthejnë sytë nga prodhimet e veta, kjo deklaratë, normalisht, do ishte fort shpresëdhë­nëse për prodhimin vendas.

Por, vetëm pak ditë më parë fermerët e Dibrës i dhuronin kosha me qershi bio të njohurve e të panjohurve, që të mos shkonin dëm. Të tjerë kërcënonin me prerjen e pemëve frutore ende të pavjelura.

Si artist, jo vetëm ngjyrash, e politikan dekadash, kryeminist­ri e di mirë që ky film përsëritet çdo sezon në ndonjë zonë të vendit.

Herë mollë, herë qershi, herë domate e herë shalqi kalben pavjelur ose lënë ngjyrën e kuqërremtë në kanal apo asfalt, ku fermerët e paktë protestojn­ë mbyturazi.

Ai e di fort mirë që kjo mungesë tregu e ushqyer nga politikat e munguara dhe të gabuara zhvillimor­e, nga pamundësia e eksportit, por edhe nga rënia e fuqisë blerëse në vend për shumë arsye, do rezultojnë në të tjerë fermerë që heqin dorë nga ndërrmarrj­et e tyre dhe vendosin të bëhen argatë të suksesshëm përtej kufirit.

Ai e di se kështu do jemi edhe më të varur nga prodhimet e importuara hormoneplo­ta, të shtrenjta për blerësin e thjeshtë.

Me këtë ritëm, ai e di se edhe prodhimeve filmike “bardh e zi”, bajate e pashije të politikës sonë do i mungojnë produktet vendase që i japin ngjyra të bukura stinore.

Me këtë ritëm, kam frikë, se në frigorifer­ët tanë, jo shumë larg, s’do ketë as domate. Veç z. Rama do dalë. Por ky, të paktën, do jetë premtim i mbajtur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania