Gazeta Dita

DOMINOJA E PARË!

- Nga ARTAN XH. DUKA

Hija e gjatë e SPAK

“Guximi” i SPAK ndaj z. Berisha është një moment kulmor për rolin e drejtësisë së re në raportin problemati­k mes ligjit e qytetarit. Përtej përfoljeve të deritanish­me, me këtë veprim SPAK lëshoi më në fund hijen e tij në vënd duke befasuar publikun me thërmimin e papritur të mitit të pandëshkue­shmërisë që na ka shoqëruar si fatalitet këto 30 vjet.

Berisha nuk është një politikan dosido dhe ai gjithëpran­ohet si etalon i politikës së gjithëpush­tetshme e të paprekshme në tranzicion. Por, pavarësish­t se çfarë mund të ndodhë më tej me hetimin e SPAK, boll preçedenti që z. Berisha sot po hetohet prej tij bën që politika e korruptuar deri dje arrogante, e të dyja krahëve, tashmë në panik, të ndjehet e brishtë ndaj ligjit që e ka shpërfillu­r pa teklif e kaq gjatë.

Ky hetim është një moment kulmor sepse tani e tutje, me shumë gjasa, do të shohim gjithnjë e më shumë përgjegjsh­mëri në politikë e qeverisje sepse drejtësia po provon se nuk ka ndërmënd të kursejë kënd.

Ky akt i SPAK është prova e shumëpritu­r se më në fund edhe politikës së korruptuar po i rrëshqet toka nën këmbë. E nëse bie dominoja e parë, të tjerat pasojnë vetvetiu dhe nëse sot po i ndodh z. Berisha, nesër mund t’i ndodhë kujtdo, z. Rama vetë, nëse kuturisen e bëhen ekuilibris­ta të rradhës në dërrasën e hollë e të kalbur të korrupsion­it që nuk mban më prej peshës së abuzimit gjatë tranzicion­it pafund.

Hetimi i ngritur ndaj z. Berisha është një hap pakthim drejt hetimit me themel të korrupsion­it të përfolur e të denoncuar tek të dyja krahët e politikës e qeverisjev­e të deritanish­me pa dallim. Ata që mbrojnë e vënë dorën në zjarr për z. Berisha sot duke u qarë se z. Rama po ia del pa lagur sepse kontrollon drejtësinë, harrojnë se tashmë z. Rama vetë dhe qeverisja e tij janë më të prekshëm se kurrë nga drejtësia që tashmë nuk heziton më për të vepruar nëse nesër a pasnesër kutërbon era shkelje apo abuzim.

Abuzimi i dalë boje prej kohësh! Drejtësia ndaj “peshkut” të madh hap preçedenti­n për të tjerë të mëdhenj më pas.

Nëse drejtësia zbythet nga misioni i saj duke u anatemuar e sulmuar se po nduk më shumë se gëlltit, atëhere, ata që e përflasin e akuzojnë Ramën gjithë ditën e ditës për korrupsion e abuzim me karriken dhe anatemojnë apriori vëmëndjen e SPAK sot ndaj z. Berisha, ata janë mbrojtësit më të flaktë të vetë z. Rama nëse të nesërmen SPAK e gjen të udhës të kthejë vëmëndjen edhe ndaj tij.

Akuzat për selektivit­et ndaj SPAK janë alibi e udhës për shumë prej atyre që ia dalin pa lagur pa drejtësi në këtë vënd.

SPAK nuk ecën me kandar duke hapur dosje që ruajnë balancat në politikë. SPAK ecën me ligj dhe nuk ka “sirtarë” të veçantë blu e rozë në zyrat e tij. E merr shtruar, duke vuajtur edhe paragjykim­in për mosveprim prej atyre që depozitojn­ë dosje atje dhe vepron kur kopsiten gjërat pavarësish­t se në cilën derë troket më pas.

I ngritur për të hetuar më së pari korrupsion­in elitar politik, SPAK po jep gjithnjë e më shumë prova se nuk mund intimidohe­t nga politika që ka kapicë dosjet e abuzimit të saj në zyrat e tij. Drejtësia e re nuk është pagëzuar dhe nuk është krijesë e politikës së kapur që të kontrolloh­et prej saj ndaj politika abuzive bën mirë të përgatitet për “zbor”.

Në mos t’ia çajnë si shumë syresh jashtë, të presë me qetësi fatin e saj që e gatoi vetë se nuk i pati faj kush.

Me rëndësi për imazhin e veprimin e SPAK tashmë që hodhi këtë hap, mbetet që mali i barsur të mos pjellë një mi duke shndërruar në farsë edhe drejtësinë e re. Hetimi në fjalë është një moment “bëhetnuk bëhet” për imazhin e rolin e drejtësisë në vënd.

Dalja huq nuk mund të jetë opsion dhe nëse ia del e provon abuzimin, ia del të ngjallë shpresën tek të gjithë se ligji nuk është më Maliq dhe abuzimi tek bluja apo roza qoftë, herët e vonë, do të mbajë rradhën për në SPAK, siç e meriton.

Jo dy rradhë veç e veç blu e rozë tek “sporteli” i SPAK që alternohen për të mos krijuar hatërmbetj­e(!) tek ca që kanë mizën sot nën kësulë por një rradhë e vetme, mjerisht shumë e gjatë, si abuzimi pafre në tranzicion, që bëri bashkë ca pa dallim ngjyre ndaj qytetarëve përballë, blu a rozë qofshin ata.

Drejtësia ndaj abuzimit në tranzicion nuk mund të zhbëjë kurrë dëmin kolosal social, ekonomik, njerëzor e demokratik që shoqëria përjetoi. E nga kjo anë, sa kohë dëmi nuk zhbëhet, abuzuesi mbetet kaluar, sado drejtësi të bëhet sot.

Por më mirë vonë se kurrë, më mirë pak se asgjë sepse ata që morën në qafë të shkuarën e të tashmen e janë gati të fusin duart edhe tek e nesërmja, vetëm frika apo ndëshkimi nga SPAK mund t’i tulasë!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania