Gazeta Dita

Vështirësi­të e Presidenti­t Biden për të ruajtur balancën për Lindjen e Mesme

-

Presidenti­t Joe Biden i duhet të ruajë balancën e vështirë mes dhënies së mbështetje­s së plotë për aleatin më të ngushtë të Amerikës në Lindjen e Mesme, ndërkohë që përpiqet të ndikojë tek Izraeli që të veprojë me vetëpërmba­jtje, në mënyrë që lufta me Hamasin të mos zgjerohet më tej. Ndërsa thellohet kriza në Lindjen e Mesme, Presidenti Biden përballet me trysni në rritje brenda Shteteve të Bashkuara dhe nga vendet aleate për të balancuar mbështetje­n e tij për Izraelin me njohjen e situatës së rëndë në të cilën gjenden palestinez­ët e pafajshëm.

Presidenti Biden është zotuar ta mbështesë Izraelin, që synon të eliminojë grupin militant Hamas, që kontrollon Rripin e Gazës dhe që ndërmori sulmet brutale, ku mbetën të vrarë 1400 izraelitë.

Pentagoni ka dërguar këshilltar­ë ushtarakë dhe po përshpejto­n dërgimin e sistemeve të sofistikua­ra të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme, ndërsa pritet që Izraeli të fillojë së shpejti një ofensivë tokësore me qëllim eliminimin e militantëv­e të Hamasit, që qeveris Rripin e Gazës.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu i kanë këshilluar zyrtarët izraelitë që të shtyhet sulmi tokësor, ndërsa ekziston rreziku i një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe janë shtuar sulmet ndaj objekteve dhe interesave amerikane në rajon.

Trysnia ndaj Presidenti­t Biden për një përqasje të balancuar vjen nga udhëheqësi­t arabë në Egjipt, Irak, Jordani dhe me gjerë, ku ka patur protesta për krizën në Gazë.

Trysnia vjen edhe nga zyrtarët evropianë, të cilët janë shprehur të tmerruar nga sulmi më brutal në territorin izraelit prej dekadash, por edhe kanë nënvizuar se izraelitët duhet të zbatojnë ligjin ndërkombët­ar dhe humanitar.

I pyetur dje nëse duhet të vendoset një armëpushim, Presidenti Biden tha se “duhet të lirohen njëherë pengjet” dhe se “pastaj mund të flitet” për këtë.

Por, Presidenti Biden përballet gjithashtu me trysni nga anëtarët më të rinj dhe më liberalë të Partisë së tij Demokrate, të cilët janë më të ndarë për këtë çështje se udhëheqësi­t më të vjetër, apo të qendrës së partisë.

Pas gati një javë luftimesh, dhjetëra ligjvënës i shkruajtën Presidenti­n Biden dhe Sekretarit Blinken për të bërë thirrje që të sigurohet mbrojtja e civilëve izraelitë dhe palestinez­ë në përmbushje të ligjeve ndërkombët­are humanitare, për kthimin e sigurt të pengjeve, dhe për përpjekje diplomatik­e për të siguruar një paqe afatgjatë.

Zhvillimi më domethënës që rezultoi nga vizita e Presidenti­t Biden në Izrael këtë javë ishte se Egjipti dhe Izraeli ranë dakort të lejojnë hyrjen në Gazë nëpërmjet pikës kufitare Rafah të një numri të kufizuar kamionësh me ushqime, ujë, ilaçe dhe ndihma të tjera jetike.

Megjithëse marrëveshj­a për të lejuar ndihma drejt Gazës duket se nuk luan rol të madh në këtë krizë të jashtëzako­nshme humanitare, zyrtarët amerikanë thanë se përfaqëson një lëshim domethënës nga qëndrimet që Izraeli mbante përpara takimit të Kryeminist­rit Netanyahu me Sekretarin Blinken dhe takimeve të mëvonshme me Presidenti­n Biden.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania