Duajeni familjen e burrit!

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Sot jam 28 vjeçe dhe po rris një vajzë jetime 3- vjeçare.

Falë Zotit ajo nuk është e vetme sepse ka dy xhaxhallarë që lënë kokën për të; ka një gjyshe që jep jetën. Nuk dua t’i them vjehërr, por mami sepse e meriton.

Historia ime nisi para 8 vjetësh, koha kur njoha “princin” tim. Ishte vërtet dashuri me shikim të parë. Ju duket çudi që e quaj “princ”, por për mua ashtu ishte dhe princ do të mbetet derisa të jem gjallë.

Ai më ndaloi dhe kërkoi të pinim një kafe. - Unë nuk ju njoh, - i thashë. - Prandaj po të kërkoj për kafe, të më njohësh.

Nuk e di se ç’më ndodhi në zemër kur të pashë,- më tha sapo u ulëm në kafene, - ndjeva një si goditje, therje, dhimbje, pickim...

- Kështu jeni ju çunat, - ia ktheva dhe gati po i thosha “të gjithë derrat një turi kanë”.

Ai më kapi dorën ma vendosi në kraharorin e tij dhe ndjeva vërtet që zemra po i buçiste. U tremba.

-Jam dashuruar me ty,- më tha.

- Ej, mblidh veten - ia ktheva. - Më pe në rrugë dhe u dashurove?

Me thënë të drejtën po më pëlqente tej mase. Folëm gati tri orë dhe e kuptova që kishin kaluar tri orë vetëm kur pashë orën. Koha po ecte me ritëm tjetër, ndoshta me ritmin e rrahjeve të zemrës së tij.

Më pëlqente të rrija, por nuk kisha më kohë. Më priste puna. U ngritëm të dy në të njëjtën kohë, a thua se na çoi dikush me pult. Ndjeva frymëmarrjen e tij dhe ai më rrëmbeu një puthje. Instinktivisht e godita me shpullë, por po shijoja ëmbëlsinë e buzëve të tij.

Kur dola nga puna më mbiu sërish para syve në fund të rrugës. Ai më kishte ndjekur dhe po më priste poshtë zyrës ku punoja.

U habita, u mahnita! Më dukej sikur fluturoja. Ndalëm fluturimin në krahët e njëritjetrit. Nuk doja asgjë, vetëm të puthesha pa fund me të. Kuptova që kisha rënë në dashuri.

Ecnim të përqafuar dhe ngjitur pas njëri-tjetrit. U ulëm sërish në lokal dhe kafeja m’u duk si pija më e mirë në botë.

- Ku e ke shtëpinë të të çoj me makinë? - më tha duke më ledhatuar dorën.

Rrugës kisha një “koktej” ndjenjash të çuditshme. Isha e lumtur, e humbur, e dalldisur, por gjatë gjithë rrugës në makinë më vërtitej pyetja: Po sikur ai të kërkojë seks? Iu afruam shtëpisë. - Shpëtova,- mendova me vete. Më kërkoi numrin e telefonit. U puthëm dhe, siç e merrni me mend, atë natë nuk mbylla sy. Menjëherë nisën smstë dhe telefonatat pa mbarim.

Kjo histori e bukur vijoi gati 2 vjet, deri ditën e dasmës. Ju betohem që dasma ishte si në filma. 800 të ftuar. Gaz dhe hare që nuk përshkruhet. Nuk më dukej se ecja në tokë, më dukej sikur ecja mbi re.

Ditën e parë të muajit të mjaltit më tha që kur të ktheheshim do të jetonim me familjen. Me thënë të drejtën nuk më erdhi mirë, por e pashë në bebe të syrit dhe i thashë: “Unë do të jetoj atje ku të jesh ti. Nuk më intereson asgjë tjetër. E dija që të ëmën e kishte të egër. Këshilla e tij ishte: “Nëse i gjen telat me të do t’ia kalosh më mirë se një princeshë”.

Muaji i mjaltit mbaroi dhe nisi jeta e vërtetë. Ai më donte jashtë mase, por ditët e para nuk ndihesha e qetë. Kisha një makth: vjehrrën. E ndieja në çdo qelizë se isha nën vëzhgim dhe doja që ajo të mos mërzitej ose të mos i jepja shkak për t’u mërzitur. Edhe kur nevrikosej me djemtë e mbështesja. Do të thoni ju që jam bërë servile. Po, në një farë mënyre u bëra servile. E zgjodha vetë këtë mënyrë për të arritur qëllimin tim, të vijoja jetën time si në përrallë. Shpërblimi për sjelljen time nuk mungoi.

Gjatë shtatzënisë vetëm vjehrra më ndenji në kokë. As nëna ime nuk do të më shërbente më mirë. Shtatzënia ishte e vështirë. Isha në rrezik dështimi. U shtrova në spital. Vjehrra ka fjetur çdo natë te këmbët e mia. Kur bëja ndonjë fjalë me “princin” tim sepse isha xheloze (edhe sot e pranoj që nuk kisha të drejtë) vjehrra më mbante anën. Nuk e imagjinoja që ajo vjehërr e egër do të futej aq shpejt në zemrën time dhe unë në zemrën e saj.

Siç thotë një fjalë e urtë, gjithë gjërave të bukura u vjen shpejt fundi.

Fati im i zi është që prej një viti jetoj pa “princin” tim. E humba në një aksident të mallkuar. Bashkë me të vdiq edhe gjysma e trupit tim.

Vjehrra, që unë i them mami, më thotë të martohem se e kam jetë përpara dhe se do të më shohë të lumtur.

Unë tani jetoj me një nënë, dy vëllezër (kunetërit) dhe nuk dua ta humbas këtë familje.

Kjo është historia ime dhe mesazhi im për ju gra është: Duajeni familjen e burrit! Elia

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.