X MISTER

Një personazh shumë i njohur i skenës dhe i ekranit u përgjigjet pyetjeve tuaja

Gazeta Paloma - - Mister X - Dërgoni pyetje me mesazh në cel: 068 27 66 166 ose e-mail: [email protected]

Mister X, televizioni grek dha një kronikë për djegien e njerëzve në spitalin amerikan. Çfarë bëhet kështu në atë vend? Rrezikohet jeta e njeriut edhe në spital? Çfarë bën qeveria apo ka filluar pushimet e verës?

Përgjigje: Shqiptarë si ti flasin gjithmonë qesim. Nëse ke parë filmimet, një i çmendur bën një çmenduri që nuk është parë as në filma. Para budallallëkut edhe Zoti ngre duart lart. Jo më qeveria jonë që ka një vit që mërmërit si ata që flasin me vete në rrugë: “Reforma në drejtësi… reforma në drejtësi”.

Mister X, me sa di unë ju s’besoni në gjëra të mbinatyrshme, sikurse është bota e përtejme, fantazmat, xhindet, engjëjt etj. ( më fal nëse e di unë gabim). Si ka mundësi që mbi 80 për qind e njerëzve në botë sot besojnë në të mbinatyrshmen, madje ka edhe njerëz të ditur dhe shkencëtarë që besojnë në libra të shenjtë? Si ka mundësi që gjithë këta miliarda njerëz sot dhe miliarda që kanë jetuar përpara nesh besojnë nëpër gjëra të tilla? A thua të jenë të gjithë budallenj?

Përgjigje: Jo, nuk kanë qenë budallenj, por nuk u them dot as të mençur. Kanë qenë njerëz. Njeriu vetë po bëhet krijues dhe dalëngadalë po shkatërron tokën ku jeton.

Mister X, kemi 26 vjet që dëgjojmë Europë sot, Europë nesër. A nuk e kuptojnë këta politikanët tanë, që janë të gjithë hajdutë, se bota tallet me ne? Na është shpifur fjala “Europë”, nuk dua ta dëgjoj më. Mister X, ia u futi Amerika dy këmbët më një këpucë qeverisë dhe opozitës. I detyroi dhe u bëri presion që të votonin reformën në drejtësi. Nuk kisha parë ndonjëherë kaq trysni mbi qeverinë dhe opozitën bashkë. Turp që i tërheq bota për hundësh këta deputetë që janë të gjithë hajdutë! Dhe populli vuan për copën e bukës.

Përgjigje: Sa mirë që Amerika ia do të mirën popullit! I detyroi ta votonin dhe pastaj u tha: Merrni 2 javë pushim dhe lexoni! Por edhe pushimet ua zuri në grykë: do të vijnë si delet më 11 gusht për të punuar mes vapës. Sikur të sillej edhe populli kështu me ata që nuk mbajnë fjalën!

Mister X, cila është shenja që ke rënë në dashuri?

Përgjigje: Kur ndahesh nga shokët. Rri vetëm. Mendon vetëm për atë kudo dhe gjithë kohën.

Mister X, u njoha me një vajzë. E donim shumë njëri- tjetrin, por erdhi momenti që e morën vesh familjarët e saj dhe ajo më tha se s’dinte ç’të bënte. Më vonë, pas 2 ditësh, më mori në telefon duke qarë dhe më tha se nuk do që të vazhdojmë më. Më pas më mori mamaja e saj dhe më kërcënoi. Unë e kisha seriozisht, por ata mendonin se po tallesha. Tani çfarë të bëj, ta pres apo jo? Apo ta marr në telefon? U bë një javë që s’flas më me të dhe më ka ikur truri.

Përgjigje: Shko qethu te berberi, vishu bukur dhe mbaje frymën te shtëpia e saj. Mamaja do të të bëjë kafe dhe ti do t’i thuash: “Vajza jote do të jetë njeriu më i lumtur në Shqipëri”.

Mister X, keni moral, prandaj përgjigjet tuaja kanë vlerë. Dua t’ju pyes për reformën. A mund të zbatohet ajo në Shqipëri?

Përgjigje: Me të shtyrë, por do të zbatohet. Sefte do të ikin mbi 100 gjyqtarë dhe prokurorë. Do të ikin vetë. Ky është pastrimi… Pastaj do të nisë pastrimi i parlamentit, pastaj i qeverisë ( cilado qoftë ajo).

Mister X, si mendoni, a përputhen pikëpamjet e feve me ato shkencore? Fetarët pretendojnë që feja ecën paralelisht me shkencën, po ju si mendoni?

Përgjigje: Perëndimi ka ecur përpara kur ka ndarë fenë nga shteti. Pastaj, ka disa fe në botë: për cilën e ke fjalën?

Mister X, a njeh moshë dashuria? A mundet një djalë të dashurojë një vajzë më të madhe, me dife- rencë vitesh? Në qoftë se bie në dashuri, a ka ndonjë gjë të keqe kjo lidhje? A zgjat lidhja përgjithmonë në qoftë se zemrat rrahin njësoj? Më kthe përgjigje të lutem. Faleminderit!

Përgjigje: Dashuria nuk njeh moshë. Njerëzit ndryshojnë. Dashuria është e përjetshme në libra dhe në pak raste të tjera.

Mister X, njihemi prej 6 vitesh dhe jetuam bashkë 11 muaj para se të ndaheshim. E doja shumë dhe më duket se jetoj vetëm për të. Për fat të keq u zumë para një muaji. U bëra keq. Kurrë nuk kam qarë aq shumë, përveçse kur isha fëmijë dhe më rrihte plaku se nuk shkoja në shkollë. Të shtunën e kaluar e takova në Durrës. Vendosëm ta kalonim natën bashkë në hotel. Kaluam një natë magjike. Në mëngjes më tha: “Dua të gjej veten. Më duhet kohë”. Nuk di ç’të bëj.

Përgjigje: 1. Jepi kohë. 2. Bli shtëpi në Durrës.

Mister X, i dërgoj mesazhe por nuk përgjigjet. I dal në rrugë, kthen kokën në anën tjetër. Rri te hyrja e pallatit dhe nuk i lëviz asnjë muskul në fytyrë. Si t’ia bëj me Anën që gjithmonë më injoron? Adi, Durrës.

Përgjigje: Injoroje edhe ti. Më dukesh si njeriu që ka marrë shatin dhe po prashit në det. Ka Durrësi plot vajza.

Mister X, pas 4 vitesh lidhje, i dashuri më tha se ka… një djalë! M’u shemb bota mbi kokë. Kam ndërprerë çdo komunikim me të, por tani e ndiej mungesën e tij dhe jam bërë kurioze të di historinë e tij të vërtetë. Ju çfarë më këshilloni?

Përgjigje: Oh, kurioziteti! Sa krime bëhen në emrin tënd! Ndaje mendjen. Nëse lidhja juaj është shumë e fortë, djali nuk është problem. Unë shoh problem gënjeshtrën.

Mister X, çfarë të bëj me “të dashurën”? Kam një vit që i sillem rrotull. I kam thënë 100 mijë herë që e dua. Ajo asnjëherë të vetme nuk më ka thënë. Vras mendjen se pse dhe nuk po gjej dot përgjigje. Ju lutem më ndihmoni!

Përgjigje: Edhe mua më tremb lehtësia me të cilën thua “të dua”. Shumica e vajzave ngurrojnë jo se e kanë të vështirë të thonë “të dua” apo “edhe unë”, por druhen se do t’u thyhet zemra. Vajzat duan kohë dhe më shumë se kohë duan besim – atëherë po, thonë “të dua” nga mëngjesi në mëngjes.

Mister X, sa duhet të qëndrojë njeriu online? Djali im rri 10- 12 orë. Jam e shqetësuar mos sëmuret. Zihem me të. Heq internetin në shtëpi, bëhet si i çmendur. Tim shoq nuk e kam ndihmë në këtë betejë. Ndihem vetëm.

Përgjigje: Zonjë, për fat të keq e ke të humbur betejën. Nuk është sëmurë vetëm djali juaj. Ky “grip” ka rënë për të gjithë. Nëse djali është ende i vogël regjistroje në kurse të ndryshme me shpresë se do të zbulosh një pasion tjetër të madh: gjuhë të huaja, kitarë, piano, futboll, not… çfarë do kursi që do ta shkëpusë nga ekrani i kompjuterit.

Mister X, cila është mosha ideale për vajzat për t’u martuar? Po për djemtë?

Përgjigje: Varet nga vendi dhe nga kultura e atij vendi. Tendenca është në rritje. Nëse dikur djemtë martoheshin 20- 24 vjeç, sot mosha ka lëvizur në 30- 35 vjeç. Me dy fjalë do të thosha se njeriu duhet të martohet kur është mirë mendërisht dhe financiarisht. Kur është i përgjegjshëm për përgjegjësitë e reja që ka në jetë.

Mister X, jeta njëherë të jepet. Pse njerëzit merren vetëm me gjëra negative? Pse ka kaq shumë energji negative rrotull?

Përgjigje: Ka të bëjë me mënyrën se si rritemi. Që kur jemi të vegjël na thuhet çfarë nuk duhet bërë: “Mos këtë! Mos atje! Mos… mos… mos!” Që të vegjël jemi përqendruar te gjërat negative, jo te gjërat e duhura. Pastaj, nga të gjitha kafshët vetëm njeriu gënjen. Dhe ata që gënjejnë më shumë vendosen në krye të turmës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.