S’dua që burri të takojë më vajzën...

Të gjitha pyetjet që keni për Lira Gjikën në lidhje me fëmijët nga 0-18 vjeç mund t’i nisni me sms në 0682766166. Edhe ju adoleshentë, për të gjitha pyetjet që keni, mund të merrni përgjigje duke shkruar ose me sms ose në adresën e e-mail-it [email protected]

Gazeta Paloma - - Psikologji -

Përshëndetje Lira! Dua të filloj procedurat e divorcit nga burri. Nuk e shtyj dot me të, është një njeri i papërgjegjshëm, që luan bixhoz dhe shkon me femra. Problemi është që ne kemi edhe një vajzë 4 vjeçe dhe unë nuk dua që ai të ketë kontakte me të, nuk dua që ta takojë më. Ka problem kjo gjë? A do të jetë më mirë për vajzën time nëse nuk e takon fare të atin e saj të papërgjegjshëm?

-Edhe pse ke shumë të drejtë të dëshirosh një gjë të tillë, për fat të keq kjo dëshirë duhet shmangur me gjithë forcën e shpirtit. Ti babanë e vajzës tënde e ke burrë, me të cilin edhe mund të ndahesh, nëse nuk ekziston më ajo ndjenja që ju mbante bashkë, ndërsa vajza jote e ka baba. Dhe nga babai nuk të ndan dot gjë, edhe po s’e takove ai mbetet babai. Mendoje si për veten, po të të shajë njeri babanë, ti ndihesh keq dhe nuk e lejon, madje edhe sikur ky njeri të jetë nëna jote. Ki kujdes, në këto raste nuk duhen marrë vendime sipas ndjesive të tua, por duke e marrë edhe vajzën në konsideratë dhe mbi të gjitha moshën e vajzës. Vajza është në moshën kur figura e babait merr një vlerë të veçantë dhe nëna kalon në plan të dytë. Kjo për arsyen e thjeshtë se fëmija e ka ndërtuar marrëdhënien me nënën, thënë ndryshe i ka ndërtuar tashmë themelet e sigurisë dhe besimit. Në këtë fazë fuqizohet identiteti, fuqizohet fjala, të menduarit e pavarur, ku figura e babait zë një vend të veçantë. Mos harro, mbiemri ynë është mbiemri i linjës së babait. Ti duhet të flasësh me shumë kujdes me vajzën. Duhet t’i tregosh të vërtetën, por nga këndvështrimi i të rriturit dhe bashkëshortes së këtij njeriu. Duhet t’i tregosh që ai e do shumë, por është një njeri që nuk e do shumë veten dhe kjo e bën të harrojë përgjegjësitë e jetës dhe të familjes. Kjo është arsyeja që ti nuk do ta kesh më burrin tënd. Ti si e rritur do të kesh pranë një njeri të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha që e do veten, pra që nuk e harxhon kohën me njerëz dhe lojëra që dëmtojnë familjen dhe mirëqenien e saj. Ki kujdes, zgjidh çdo fjalë që i thua vajzës për të atin, sepse ajo nuk ka baba tjetër.

Zonja Lira, jam 17 vjeçe dhe jam e lidhur me një djalë. Para dy ditësh zbulova që ai kishte një adresë false ku fliste me goca të tjera. U mërzita shumë, edhe pse ai m’u betua që ishte adresë e vjetër dhe që e kishte hapur që para se të më njihte mua. Nuk di çfarë të bëj, t’i besoj apo jo? E dua shumë dhe nuk e imagjinoj dot të ndahem prej tij, edhe pse pak kemi që jemi lidhur. Një mendim do të të më ndihmonte shumë.

-Është normale që në moshën tënde të reagosh nëpërmjet sedrës, që shpesh ngatërrohet për dashuri, pasi edhe ajo është ndjenjë. Ti je në moshën që po mëson të menaxhosh veten tënde jo vetëm nëpërmjet asaj që ndjen, por edhe nëpërmjet zgjedhjes. Kjo ndjenjë është për t’u marrë në konsideratë ose duhet të zbulosh diçka më cilësore. Por ka diçka që nuk shkon në këtë ngjarje që ti përshkruan. Nëse edhe djali është 17 vjeç, ai po eksperimenton, por në një mënyrë banale. Nëse është më i madh se ti, atëherë këto eksperienca të shkuara lënë për të dëshiruar. Unë do të thosha të bëni kujdes!

Lira, unë që po ju shkruaj jam nënë e 3 fëmi- jëve, më i madhi është 11 vjeç. Jam 31 vjeçe. Jam martuar 13 vjet më parë dhe martesa ime ka qenë katastrofë, shtyje ta shtyjmë. Kishte dhunë fizike dhe psikologjike. Nga prindërit s’kisha mbështetje dhe isha krejt e varfër. Doja të ikja diku larg. Po ku se, lekë nuk kisha, e shkolluar nuk jam... Edhe po të ikja dhe të filloja një punë, ku t’i lija fëmijët ose ku t’i merrja kur unë nuk dija ç’të bëja? Një ditë tepër e rënduar nga gjendja psikologjike vendosa të largohesha. Që në momentin që ika zemra m’u asfiksua. Kisha 3 ditë pa fëmijët. U ktheva, por çfarë nuk hoqa! U rraha, u ofendova, u përçmova, por durova dhe sot jam me fëmijët e mi. Do të duroj edhe tri herë më shumë, por fëmijët kurrë s’do t’i lë më. Kam kaq shumë nevojë të flas me dikë dhe një mendim nga ti do të më lehtësonte disi.

-Ti nuk duhet të durosh dhunën. Dhuna është e dënueshme edhe për kafshët, jo më për njerëzit. Ti duhet t’i drejtohesh policisë dhe ajo, policia, e ka detyrë me ligj të mbrojë një grua dhe nënë fëmijësh nga bashkëshorti dhunues. Ti duhet të veprosh me kurajë edhe për t’u treguar fëmijëve që njeriu me njeriun merren vesh me fjalë. Dhe kur nuk ka fjalë, ata nuk rrinë më bashkë, por nuk dhunojnë apo harrojnë detyrat që kanë ndaj fëmijëve të tyre si prindër. E di që nuk është një gjë e lehtë, por mos lejo të të keqpërdorin, për veten në radhë të parë, por edhe për fëmijët. Duhet t’u tregosh atyre që të mos e shohin femrën si send apo skllave të mashkullit dhe të paaftë të jetojë e vetme. Kurajë!

Përshëndetje zonja Lira! Jam 17 vjeçe, kam 3 muaj që jam ndarë nga i dashuri. S’e harroj dot. Ai është lidhur me një tjetër. Ajo e di që unë kam qenë me të dhe sa herë që më shikon e puth. Më vjen të vras veten. Si t’ia bëj se po vdes dhe mami s’më lë të dal me shoqet që të harrohem. Të lutem më jep një përgjigje. Më kanë thënë shumë njerëz që e kam jetën përpara, por unë pa atë s’mundem. Të lutem një përgjigje këtë javë se po çmendem!

-Në këto mosha këto histori janë gati normale. Ju po mësoni të njihni ndjenjat tuaja, t’i përjetoni dhe t’i menaxhoni. Ajo që ju bën të ndiheni keq është sedra, e cila nxit edhe atë vajzën tjetër të sillet ndaj jush në mënyrë sfiduese. Natyrisht që nuk është më e mira që mund të bëjë duket sikur e përdor atë djalin. Unë mendoj që ju të tre po rriteni dhe po eksperimentoni sipas modelit të të rriturve që ju rrethojnë. Unë mendoj që ju duhet të bëni eksperiencat tuaja të para, të mos i harroni, ndryshe nuk do të mësoni të njihni veten dhe të bëni zgjedhjen duke mos u gënjyer nga një ndjenjë çfarëdo. Jetojeni këtë “dhimbje” me kurajë dhe do të shihni që kur të vijë dita do të provoni atë ndjenjën që të gjithë e kërkojnë, por pak e provojnë, pikërisht se nuk kanë kurajë të përballojnë e jetojnë këto eksperienca që pikërisht këtë vlerë kanë, të të përgatisin psiko- emocionalisht si person që e ka zhvilluar aftësinë t’i bëjë bashkë emocionet dhe të menduarin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.