Kjo është për ty...

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje lexuesve të gazetës “Paloma”! Jam një lexuese e rregullt e rubrikës Histori personale”. Do të dëshiroja shumë që edhe unë të isha pjesë e saj. Çdo lot tregon një histori, ashtu siç e tregon edhe loti im që rrëshqet në faqe sikur të ishte ndonjë vejushë mbretëreshë. Kjo histori është shumë ndryshe nga historitë e tjera. Kjo është një histori magjiplotë, por në të njëjtën kohë e lëndueshme. Kam katër vjet që e dua marrëzisht atë njeri. Ai pikërisht më datë 23 shkurt m’i shprehu ndjenjat. Më kishte propozuar disa herë, por gjithmonë e refuzoja se mendoja se tallej me mua. Kur e shihja që rrinte me vajza pata interes për të dhe doja të dija çdo gjë në lidhje me atë njeri. I dhurova puthjen e parë atij më 7 prill, sepse, siç thonë, dashuria e parë nis me një puthje. Sa shumë jam mërzitur! Jam lënduar prej tij, sepse ai luante me zemrën time të gjorë, por ajo nuk bënte gjë tjetër veçse e dashuronte atë njeri engjëllor. Ndonjëherë mendoja t’i thosha lamtumirë, por lamtumira është një mënyrë e dhimbshme për të thënë “të dua”. Nuk mund t’i thosha lamtumirë, sepse ai drejtonte zemrën time. Ne bashkë jemi bërë për të mos jetuar pa frymën, aromën, prekjen e njëri- tjetrit. Lumturohem kur jam me të dhe një gjë e kam të sigurt, ata sytë e tij bojë kafe më ndjekin kudo që shkoj. Faleminderit për jetën që po më jep! Edhe nëse ndonjë ditë mund të mos jemi më bashkë, unë nuk duhet të mërzitem, sepse si çdo magji tjetër duhet të mbarojë me çdo kusht. Kur jam me të, nuk di se si ta shpreh këtë ndjenjë që po vret ngadalë zemrën time. Ajo ndez një dritë shkëlqyese në errësirën e shpirtit tim. Nga një bishë e egër zemrës i shpërthejnë krahët e një engjëlli dhe ndërron rrugë. E dua marrëzisht e çmendurisht. Do të bëja gjithçka për të që ai të buzëqeshte, sepse unë jetoj për atë buzëqeshje. Dua ta shoh atë të lumtur, qofte edhe me një tjetër. S’ka gjë, unë dua thjesht që për të të jem diçka. Kam shumë ëndrra për jetën, por varet sesa i realizoj ato; ëndrrat e mia mbase kanë perënduar. Në zemrën time nuk është më ai shkëlqimi që ka qenë dikur aty. Çdo gjë tani e bëj se duhet bërë, ndërsa më përpara e bëja sepse ma ndjente zemra. Ah sa kam ndryshuar dhe për çfarë?! Për një ndjenjë hyjnore, dashurinë. Si të tjetërson kjo ndjenjë kështu! Të bën të jesh një person tjetër, të mos jesh më vetvetja dhe pa e kuptuar aspak. Megjithëse ndonjëherë më lëndon, unë nuk e urrej, por e dua akoma më tepër. Ai është arsyeja e vetme që zemra ime rreh dhe fjalët e tij aq të ëmbla janë gjithçka që më bëjnë të ndihem gjallë. Kuptimi dhe misioni që unë jam gjallë është se dua ta bëj atë të lumtur. Për të kam bërë gjithçka dhe asgjë. Gjithçka që e bën atë të lumtur dhe asgjë që ta bëjë atë të ndihet keq. Ndoshta ai nuk ka zemër të kuptojë ndjenjat e mia ose e ka një të tillë, por që rreh për dikë tjetër. Ai papritur hyri në jetën time dhe unë fillova ta dashuroja atë. Kurrë nuk kam menduar se do të më duhej një njeri si ai. Është i vetmi person që më ka bërë të shijoj të gjitha ngjyrat e jetës.

Ai hyri në jetën time duke marrë çdo gjë timen e duke mos më lënë asgjë. Jam duke ecur mbi ujë, duke u munduar për të arritur tek ai.

Gjithçka që kisha ma more dhe ike me vrap, duke u larguar sa më shumë nga unë. Ti mendoje se unë nuk do ta merrja vesh, por ja që e mora sepse ti more gjënë që më mbante gjallë, more gjysmën e zemrës sime. Unë tani, sado që jetoj me një zemër të thyer, vazhdoj të të dua përsëri me ato pak copa që më kanë mbetur nga ajo zemër. Nëse nuk do të jemi bashkë deri në vdekje unë nuk do të qaj... unë do të mundohem që mos të nxjerr lot prej syrit tim jeshil. Kudo që ti të shkosh unë do të jem atje, duke pritur për ty. Të lutem më fal që të dua më shumë se veten time, por unë nuk mund ta komandoj dot zemrën time, sepse ajo dashuron pa më pyetur mua.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.