Në pritje të perëndimit të jetës time

Gazeta Paloma - - Histori -

Gj i t h ç k a n d o d h i shumë shpejt. Aksidenti ishte i rëndë dhe makina u rrokullis në një greminë jo shumë të lartë, por që e kishte përfunduar rrokullisjen në anën ku qëndroja unë. Mbaj mend që u zgjova me dhimbje të forta në kokë dhe në trup. Pashë dritat verbuese të spitalit dhe fillova të hapja e mbyllja sytë, derisa ata të përshtateshin me atë dritë. Qafën nuk e lëvizja dot për shkak të qafores që më kishin vendosur. Krahët i ndieja të këputur dhe këmbët nuk i ndieja fare. U përpoqa të lëvizja duart dhe ia dola. Kur u përpoqa të lëvizja këmbët, nuk mundesha dot. As që i ndieja fare ato si pjesë të trupit tim.

Aty për aty mendova se mos nuk i ndieja për shkak të aksidentit. Thirra mamin. Ajo m’u afrua me lot në sy dhe, ndoshta pa dashje, vendosi njërën dorë në këmbën time të djathtë. Unë thjesht e pashë dhe nuk ndjeva gjë.

“Ma, kam gjë nga këmbët? Nuk po ndiej gjë. S’i lëviz dot” - i thashë dhe ajo vuri dorën përpara gojës. Lotët iu shtuan akoma më shumë në sy dhe në faqe. Aty e kuptova. Kisha ngelur invalide në dy gjymtyrët e poshtëm, pra aksidenti me kishte lënë paraplegjike.

Në atë moment nuk e kuptoja mirë rëndësinë e atij problemi, pasi isha vetëm 16 vjeçe dhe mendonim se mund të përmirësohesha me fizioterapi. Terapia e fizioterapisë zgjati një vit dhe unë nuk kisha asnjë rezultat. Pas disa muajsh, edhe vetë fizioterapisti vinte pa qejf, pasi nuk po shihte asnjë përmirësim. Pasi kaloi një vit, ai u lodh dhe ua shprehu hapur prindërve të mi që unë nuk mund të shërohesha dot. Ajo ditë ishte po aq e dhimbshme sa dita kur kuptova nga lotët e mamasë sime se kisha ngelur paraplegjike. Ndryshimi i vetëm ishte se atëherë kisha shpresa se mund të shërohesha, kurse tani isha krejtësisht e pashpresë...

Për vite me radhë mami është kujdesur për mua. Unë tani jam 25 vjeçe dhe për nëntë vite r resht, mami im ka ndenjur pranë meje duke u kujdesur për mua. Mundësitë nuk e lejojnë të punojë, sepse unë nuk mundem ta ndihmoj dot me asnjë punë shtëpie. Por pensioni im i invaliditetit është tepër i ulët që t’i mbulojë gjithë shpenzimet tona në familje. Babi merret me bujqësi dhe fitimet nuk janë as premtuese për jetesë normale. Aq keq ka qenë disa herë gjendja, saqë kemi ngrënë edhe të njëjtën gjellë dy ditë ose më shumë, pasi nuk kemi pasur.

Mirëpo ajo që mua më dhemb më tepër në shpirt është fakti që askush nuk më preferon të tillë. Mbaj mend si kohëra të bukura vetëm kur isha 16 vjeçe përpara aksidentit, kur edhe unë si shumë vajza të tjera e kisha vëmendjen e djemve. Ndërkohë tani askush nuk m’i hedh sytë. Kush do të merrte për grua një vajzë si unë që nuk mundet të bëjë dot as gjërat minimale për veten e saj?

E vetmja e mirë që më ka siguruar ky problem shëndetësor është se kam kohë të lirë dhe kam mundësi të lexoj dhe studioj. Nga ana tjetër, kam nisur edhe të bëj punë të thjeshta që mund t’i bëj me duar, p. sh. punë me grep, me qëndisje. Fitoj pak me to, por i dal në ndihmë familjes dhe kjo do të thotë shumë për mua. Unë ndihem mirë që mund të jap kontributin tim në familjen që ka qenë e vetmja që më ka mbështetur në çdo moment.

Duke qenë pjesë e një familjeje me banim në fshat, ju mund ta merrni me mend se sa herë janë përpjekur prindërit për të më gjetur ndonjë fat. Asnjë nuk u realizua. Gjithë personat që i pyeste babi nuk pranonin, sikur unë të kisha një sëmundje vdekjeprurëse, së cilës ata i trembeshin. Njëri madje kishte nisur fjalë me shkuesin që nuk ishte në gjendje të kalonte jetën duke u kujdesur për një invalide. Për të këto fjalë ishin të thjeshta, kurse për mua ishin shkatërruese, sepse unë nuk e zgjodha të jem e tillë.

Unë nuk zgjodha të zgjohem e ngurtë çdo mëngjes, e paaftë të ngrihem nga shtrati. Unë nuk zgjodha të isha kështu e të prishja edhe gjumin e prindërve të mi, kur e ndieja të nevojshme të shkoja gjatë natës në tualet. Unë nuk zgjodha të isha e paaftë, por ja që sot askush nuk do t’ia dijë. Mjafton që të jenë mirë vetë dhe për mënyrën se si do të ndihen të tjerët nuk ua ndjen.

E vetmja që ndihet e lënduar në këtë mes jam unë. Ndonjëherë më kap frika se si do të shkojë jeta ime në të ardhmen. Një ditë prindërit e mi nuk do të jenë më pranë meje dhe nuk do të kem asnjë që të më ndihmojë për t’ia dalë mbanë. Ajo ditë më tmerron dhe sa herë që e mendoj përpiqem menjëherë ta largoj mendjen e të mendoj gjëra të bukura. Por në një moment ajo ditë do të vijë dhe unë do të jem e vetme, krejtësisht e vetme dhe pa mbështetjen dhe ndihmën e askujt...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.