A jemi duke shkatërruar gjithë shtetin me arsimin që kemi?

Gazeta Paloma - - Argëtim -

Përshëndetje të dashura mikesha! Si keni kaluar ditët e fillimit të dhjetorit? Filloi atmosfera festive tani! Fëmijët ëndërrojnë lodrat që do të marrin për Vit të Ri, ndërsa prindërit ëndërrojnë lekët me të cilat do t’i blejnë këto lodra. Fëmijët ëndërrojnë ditët e pushimit e prindërit gjithashtu ëndërrojnë ditët e pushimit që nuk dihet a do t’i shijojnë apo jo. Fëmijët ëndërrojnë darkën e Vitit të Ri me tavolinën plot e me gjumin që vjen pas mesnate, prindërit ëndërrojnë shpërblimin me të cilin do të blejnë gjelin e detit. Mbase ju që lexoni titullin e shkrimit të kësaj jave jeni duke menduar se është diçka shumë dramatike. Diçka që nuk i përshtatet humorit që bëjmë çdo javë bashkë. Epo, mora shkas nga një mikja ime, e cila e ka të birin në Fakultetin e Mjekësisë. Nuk dua të jap shumë detaje, por i shoqi i saj është mjek dhe i biri u fut në mjekësi, donte apo nuk donte, dinte apo nuk dinte. Ajo më tregon gjithmonë mbi arritjet e tij në shkollë, mbi lavdërimet që gjasme ai merr gjatë vitit e për ëndrrat e saj si nënë për të ardhmen e ndritur të djalit. Ajo që kjo shoqja nuk më tregon është fakti që i biri fle deri vonë, nuk shkon thuajse fare në klasë, shokët zëre se nuk e njohin, ama prapë se prapë ai shkëlqen. Këtë e tregojnë postimet e tij në rrjetet sociale ku hedh vetëm foto ku tregon se argëtohet në jetën e natës, hedh postime me diçitura: “Iku dhe kjo ditë, në krevat gjithë ditën”. E tregon fakti që shoqja ime telefonon çdo ditë në mesditë për ta zgjuar e për ta kujtuar se ka shkollë. Nuk jam xheloze aspak. Nëse dikush ka mundësi të arrijë suksesin me diçka edhe pa u lodhur, pse të mos e bëjë? Kush është ai që kur iu dhanë ca pushime të mira nuk i shfrytëzoi? Edhe mua të më thuash të iki në shtëpi e ta bëj pushim se lekët do të m’i japin gjithsesi, iki. Me të vërtetë që iki dhe pa pishman fare madje! Por një student mjekësie, ose i çfarëdo fushe qoftë, nëse dëshiron të bëhet një profesionist në të ardhmen, nuk mund të arrijë suksesin aq kollaj. Sigurisht që mbështetja e prindërve është një forcë e madhe për të rinjtë, madje edhe për ne më pak të rinj, por nuk mund të marrë babai apo mamaja diplomën e fëmijës së tij, pa bërë fëmija në fjalë asnjë përpjekje. Nesër, secili nga ne do të përballet me djalin e shoqes sime në një moment halli e sikleti. Sëmundja vjen edhe tek ata që e mendojnë veten superiorë, që kontrollohen jashtë shtetit e që kanë lekë për të bërë trajtimet më të shtrenjta. Herët apo vonë, neve, të afërmit tanë, miqtë tanë, do të përballemi me një rast kur kemi nevojë për një mjek. Dhe ky mjek do të jetë ky djali i jetës së natës, ky që e zgjon mami për të ikur në shkollë, ky që i ka marrë lëndët duke thënë që është djali i babit të famshëm. Po mua, si do të më shërojë? Duke thënë emrin e të atit? Sëmundja ime as që e njeh të atin e tij. Unë kam nevojë për studim të rastit, për këshillë mjekësore, për ndjekje e kurim. Sado mikeshë ta kem të ëmën e këtij mjeku të ardhshëm, atë vetë do të mundohem ta evitoj sa të jetë e mundur, nëse do të kem nevojë për mjek. E njëjta gjë vlen edhe për profesione të tjera, që nuk janë mjekë e nuk kanë kaq fizikisht në dorë jetën e njerëzve. E njëjta gjë vlen edhe për ekonomistët e juristët, që në Shqipëri i kemi me thasë. Nëse bën një lajmërim në gazetë për një vend të lirë pune për bukëpjekës, për pastiçier ose për ndonjë profesion tjetër, mbase nuk vijnë më shumë se tre ose katër aplikime për punë. Nëse bën një lajmërim në gazetë ku kërkon një jurist apo një ekonomist, atëherë bën mirë të vësh pa zile telefonin dhe ta mbash të karikuar në prizë pasi nuk do të pushojë kurrë! Ka kaq shumë juristë e ekonomistë të rinj me shkollë të lartë, madje edhe master, që janë diplomuar në universitetet shtetërore e private, sa nuk ka absolutisht mundësi që të gjejnë punë në profesion të gjithë. Kjo bazuar në vendet e punës në të gjithë Republikën e Shqipërisë dhe në kuotat e pranimit çdo vit në universitetet publike e private në vend. Për mos të folur pastaj për faktin që çdo shqiptar, brenda apo jashtë kufijve, që arrin të marrë një kuotë në Tiranë, nuk e mendon kurrë që të kthehet në qytetin e tij e të lindjes. Kisha një problem me një pronë dhe iu drejtova një zyre avokatie shumë luksoze në dukje. Ishin disa vajza e djem të rinj që punonin me zell, të veshur mirë e që punonin në një zyrë ku muret nuk arrinin të mbanin më certifikata e dekorata. Nuk i njihja për punë, por fati e deshi që të afrohesha. Hyra brenda e bëra një pyetje specifike pasi atë informacion kërkoja. Pasi m’u afruan të gjithë si miza te mjalti (për mos të thënë ndonjë fjalë tjetër) më dhanë katër shpjegime të ndryshme për të njëjtën gjë. Unë nuk jam eksperte, por nëse ata të katërt nuk arrinin të binin dakord me veten e tyre, si mund të kem unë besim se do të më zgjidhin hallin? Procedurën nuk e njihnin thuajse fare e madje më thanë se një dokument që unë sapo e kisha marrë në një institucion, nuk ishte origjinal sepse atyre nuk u dukej origjinal. Kështu kot! Epo, pikë e zezë. Bëra sikur kisha një telefonatë për të bërë dhe u largova. Sa vajza e djem të rinj ka që kanë prirje e që kanë studiuar për të qenë juristë të zotë? Si ka mundësi që janë diplomuar edhe këta karafilat e zyrës ku hyra unë, me ato njohuri aq të cekëta që kishin? Po nesër, a nuk do të kemi të gjithë nevojë për një jurist të mirë? Mbase nuk kemi të gjithë probleme me pronat, por juristët janë edhe nëpër banka, edhe nëpër sportelet e shtetit, edhe si avokatë, edhe noterë, edhe prokurorë. Kush mendoni se do të na zgjidhë çfarëdolloj problemi të kemi? Këta të lezetshmit që hyjnë kunguj në shkollë e dalin tranguj me diplomë?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.