Mosha e pse-ve pa fund dhe e vlerave

Gazeta Paloma - - Front Page - nga PEDIATRIA LIRA GJIKA

Fëmijëria dhe babagjyshi

Debati për ekzistencën e Babagjyshit te vitit të Ri rishfaqet gjithmonë në fundvit. Ashtu siç nuk e shohim fjalën, që vetëm e themi apo e dëgjojmë. Ne nuk e shohim mendimin, por e dimë që ekziston se na bën të dimë dhe të kuptojmë që jemi.E njëjta gjë vlen edhe për Babagjyshin e Vitit të Ri. Ashtu si ekziston fëmijëria, po ashtu ekziston edhe Babagjyshi i Vitit të Ri. Fëmijëria dhe Babagjyshi janë dy “gjëra” të lidhura bashkë, madje gati të pandashme. Fëmijëria ka nevojë për shumë, po shumë gjëra, që të vënë në lëvizje psihën e fëmijës për të shkuar në të ardhmen, drejt rritjes. Mendja e fëmijës, psiha e tij, ka nevojë për abstrakten që të mund të zhvillohet sa më e plotë. Ndërthurja e fantazisë me abstrakten bëjnë të mundur lëvizjen e psihës së fëmijës, si për mirë edhe për keq. Babagjyshi i Vitit të Ri është simboli i të mirës, që i rri pranë fëmijës pa u dukur, e nxit, e inkurajon, ia bën të bukur pritjen dhe durimin. I shmang mërzinë që lodh edhe të rriturin. Nuk ka formë më të bukur dhe efikase për të nxitur fëmijën të përballojë padurimin që e karakterizon sesa dhurata e Vitit të Ri që ia sjell Babagjyshi. Babagjyshi i Vitit të Ri, edhe po të mos ishte, duhej shpikur. Babagjyshi i Vitit të Ri ekziston sepse ekziston fëmijëria.

Fëmija sillet sipas modelit që sheh

Kultivimi i diskriminimit për tjetrin realizohet në mënyrë të heshtur e pak nga pak. Diskriminimi fillon e “tiret” në fëmijëri, kur fëmija, i përqendruar për të njohur e zhvilluar njerëzoren, ndjek me vëmendje çdo lëvizje, mimikë, fjalë, luhatjet e tonit të zërit të të rriturit, pra çdo gjë që bën i rrituri, duke filluar me prindërit. Dialogu i të rriturve me etikën e komunikimit dhe opinionet që ata shprehin ndërmjet tyre është padyshim modeli dhe “shkolla” ku fëmija mëson njerëzoren. Në përgjithësi të rriturit mendojnë se fëmija i vogël nuk kupton dhe për këtë arsye janë të pakujdesshëm në sjelljet dhe opinionet e tyre për të tjerët, sidomos për etiketimet që ata shprehin. Të rriturit nuk janë të vetëdijshëm që e mira dhe e keqja nuk janë thjesht fjalë, por një mënyrë të qeni në raport me veten dhe tjetrin nëpërmjet barazisë ose jo. Fëmija sjelljet e të rriturit i merr të mirëqena, pasi mendon se i rrituri i di të gjitha. Dhe kur i rrituri i thotë të bëhet “djalë apo vajzë e mirë”, ai sillet sipas atyre sjelljeve që ka brendësuar nga të rriturit. Fëmija nuk e di të mirën apo të keqen, ai e mëson nëpërmjet sjelljeve dhe qëndrimeve të të rriturve. Ai sillet sipas modelit që ka vëzhguar në qetësi, kur prindërit flisnin dhe ai luante në një cep.

Mosha e pse-ve pa fund dhe e vlerave

Kur fëmija tregon diçka, të rritur, prindër, dëgjojeni me kujdes, pasi më shumë po pyet sesa po tregon. Fëmija 5 vjeç nuk di ende të bëjë pyetje, për këtë arsye ai përdor të vetmen mënyrë që di, të tregojë. Dhe kjo, sepse edhe prindërit kështu bëjnë, i tregojnë. Në moshën 4-11vjeç, mosha e “pse-ve” pa fund dhe e vlerave, është faza që fëmija mëson të ndërtojë strukturat që lidhin fjalën me kuptimin, veprimin, vlerat dhe shkakun. Pra po ndërton skemat shkak pasojë dhe të vlerave. Për fat të keq, ne të rriturit kur dëgjojmë fëmijën, harrojmë që fëmija në fakt kërkon një ndihmë nga ne për t’u sqaruar, ndërsa ne qëndrojmë të hutuar ose indiferentë. Shpesh prindërit, të rriturit, duke u kapur në befasi nga fjalët e fëmijës ngecin dhe nuk dinë se si të veprojnë. Reagimet e tyre janë disa formëshe. Ka prindër që kur nuk e dinë si të sillen heshtin, ndërsa të tjerë reagojnë duke qeshur dhe të habitur. Gjithashtu është dhe kontingjenti që bërtet, që është edhe më i madhi. Në të gjitha rastet fëmija mbetet konfuz. Prindër, kur dëgjoni fëmijën, mos ngecni te fjalët, por mendoni se çfarë do të thoni, pra mendoni përgjigjen. Kur nuk e dini, i thoni fëmijës me qetësi se nuk e dini por mund ta lexoni në libër apo mund të pyesni një njeri që di të japë një përgjigje të saktë. Kur e dini tregojani se ju e dini në një variant të caktuar dhe thoni variantin tuaj. Ajo që duhet të keni parasysh është: asnjëherë mos u nxehni, të bërtisni apo të përdorni fjalën “turp”, edhe sikur të jetë një fjalë apo veprim që i përgjigjet kësaj fjale. Duhet ta dini se fjala “turp” është edhe mënyrë të ndjeri dhe të qeni, kështu që nuk duhet lejuar të keqpërdoret si fjalë pa vlerë. Fjala “turp” në fakt duhet të jetë konkluzion që duhet ta arrijë vetë fëmija, natyrisht nëpërmjet edukimit. Edhe një gjë të fundit prindër, që të jepni përgjigjen e duhur dhe të mos ndodhë shkëputja prindfëmijë apo i rritur-i parritur, është mirë të njihni moshën e fëmijës tuaj: çfarë karakteristika ka dhe si mund të ndërtoni një marrëdhënie të vazhdueshme.

Jo vetëm vëmendje, por edhe respekt fëmijës

Shpesh shohim në rrugë dhe kudo të rritur, që i prekin fëmijët në kokë apo u kapin duart, deri i puthin pa i përfillur. Thjesht i prekin se u pëlqen dhe vetëm kaq. Nuk u kushtojnë asnjë lloj vëmendje. Në fytyrat e të rriturve dallohet vetëm indiferenca. Është gati i njëjti veprim, që shumë njerëz bëjnë me gjethet e luleve, duke folur me dikë, shkërmoqin me gishtërinj gjethe të bimës që gjendet afër tyre në ato çaste. Mirë gjethen nuk e përfillin, por me fëmijën nuk mund dhe nuk duhet të sillemi kështu. I rrituri duhet ta respektojë fëmijën dhe jo thjesht ta shohë si një fëmijë i vogël dhe i lezetshëm. Kjo lloj njohje nuk vlen për asgjë. Fëmija mbetet anonim në veten e tij nga kjo lloj njohje. Vetëm respekti ofron atë njohje cilësore, që e bën fëmijën të vetëdijshëm për veten dhe njerëzoren.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.