SI TË SILLESH ME VJEHRRIT QË URREN?

Gazeta Paloma - - Front Page -

Të gjithë e kemi dëgjuar atë shprehjen: “Kur martohesh me dikë, martohesh edhe më familjen e tij gjithashtu”. Ndonjëherë gjërat shkojnë mirë dhe çdo gjë është në rregull, por ndonjëherë keq fare. Sipas një studimi të bërë në 2016-n, rreth 96% e meshkujve kanë përjetuar stres negativ në marrëdhënien e tyre me vjehërrinë. Nëse je pjesë e 4% me fat, që mezi pret të kalojë ditën duke bërë pazar me vjehrrën dhe e thërret vjehrrin babi, atëherë ky artikull nuk vlen për ty. Ndërsa për ju të tjerët mund të themi se ka ende shpresë që të ruani paqen në martesën tuaj. Nuk ka pse të jetë kështu.

Sipas dr. Terri Apter, shkencëtar dhe profesor në universitetin “Cambridge”, sfida më e madhe për të pasur një marrëdhënie të mirë me vjehërrinë është ta krijosh atë. Sepse në mes jush qëndron marrëdhënia e ndryshme që keni krijuar me të njëjtin person: gjysma juaj dhe fëmija i tyre.

“Personi që i bashkohet një familjeje të re, të konsoliduar, kur martohet shpreson se do të ndërtojë familjen e vet dhe se do të ketë respekt reciprok midis palëve dhe status të njëjtë me partnerin, si edhe që do të kenë influencë direkte te partneri. Ajo që njerëzit zbulojnë pasi martohen është që vjehërria kërcënon këtë afrimitet, status apo influencë”,- thotë Apter.

Po, sepse ata duan të të sfidojnë dhe testojnë dhe ti e ndjen këtë. Nga perspektiva e tyre, ata duhet të bëjnë pyetje të tipit: “A do ta dojë ky njeri vajzën/djalin tim? A do të kujdeset siç duhet për të? A po kërcënohet në këtë mënyrë pozita ime në familje? A do të ndryshojë marrëdhënia me fëmijën tim?”

Kështu pra, ajo që supozohet të jetë një marrëdhënie e shëndetshme, në fakt merr formën e një kompeticioni dhe shanset për të pasur një marrëdhënie të mirë me ta duken inekzistente. Por duke e ditur këtë gjë, ke mundësinë që t’u japësh drejtim gjërave, para se të marrin të tatëpjetën.

“Këshilla ime më e mirë është të adresosh frikërat se mund të përjashtohen apo kritikohen, pasi këtu qëndron problemi. Mund t’i sigurosh vjehrrit se lidhjet familjare do të vazhdojnë njësoj edhe pas martese. Mund të tregosh faktin se e vlerëson atë që ata mund të sjellin në familje.

Mund t’u tregosh se ke dëshirë t’i njohësh dhe në këtë mënyrë u jep edhe mesazhin se i mirëpret dhe nuk ndihesh i kërcënuar prej tyre”.

Kjo do të thotë se është detyra jote që të kthesh atë që duket si një kompeticion në një bashkëpunim, nëse nuk dëshiron që të përfundosh duke i urryer ata.

Përveçse të jesh inkurajues për rolin e tyre në familjen e tyre dhe tënden, të jesh i sinqertë dhe të tregosh interes për të mësuar se kush janë vjehrrit e tu dhe se çfarë mund të mësosh prej tyre, gjëja më e mirë që mund të bësh për të pasur një marrëdhënie të mirë me ta është të përcaktosh kufij. Nuk ka nevojë t’i përfshish në gjithçka nëse nuk ndihen të përjashtuar në asgjë. “Mos harro se frika më e madhe e një prindi

është frika se do të përjashtohen nga marrëdhënia e çmuar me fëmijën apo mbesën/nipin”,thotë Apter. “Ndonjëherë njerëzit që ndihen nën presion sillen keq, prandaj qasja më e mirë është të ofrosh siguri për një lidhje të vazhdueshme dhe të vendosësh kufij”.

Jo të gjithë e marrin mundimin që të afrohen dhe krijojnë një lidhje me vjehërrinë. Sipas Apter, gabimi më i madh që mund të bësh është të mendosh se mund të injorosh plotësisht nevojat dhe dëshirat e vjehërrisë, duke i kërkuar partnerit të zgjedhë midis nënës dhe gruas, apo përpjekja për të ruajtur pushtetin tënd duke ulur poshtë ata.

Kështu që, pavarësisht se në çfarë stadi është marrëdhënia aktuale me vjehërrinë tënde, kupto se gjërat mund të përmirësohen, por duhet pak iniciativë dhe mirëkuptim nga ana jote. Shanset janë që do të marrësh të njëjtin reagim mbrapsht. Përmbledhëse: Gjëja më e mirë që mund të bësh për të përmirësuar marrëdhënien është të tregosh vlerësim dhe ofrosh siguri se gjërat nuk do të ndryshojnë, por njëkohësisht duke vendosur kufij.

Gabimi më i madh që mund të bësh është të supozosh se mund të injorosh plotësisht nevojat e tyre.

Kurrë mos i kërko partnerit që të zgjedhë midis teje dhe prindërve.

Kthe këtë kompeticion natyral në bashkëpunim.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.