Mblidhni mendjen, o burra!

Gazeta Paloma - - Histori -

Këtë radhë do ta nis tregimin tim me një batutë: “O moj ti që s’të do burri, pa dil pak aty te muri, shiko se të iku burri”.

Duke lexuar gazetën te faqja “Meshkujt kërkojnë femra” më kapi syri për të disatën herë një numër telefoni nga lagjja ime. U mendova dhe i rashë numrit për ta provokuar. Pas 10 minutash ai i ra telefonit tim. E hapa telefonin dhe iu përgjigja të gjitha pyetjeve të tij. Kështu u përgjigj edhe ai ditën e parë. Më tha se ishte i martuar dhe kishte dy djem, por donte një mami ose zonjushë mbi 35 vjeçe, pa interes dhe pa i dhënë asgjë.

Kështu u mbyll dita e parë e bisedës. Unë nga zëri dhe nga mënyra se si po fliste e kuptova që e kishte për herë të parë këtë lloj komunikimi. I dridhej zëri dhe kishte frikë se i thashë që isha nga qyteti i tij.

Të nesërmen ai mori prapë nga ora 10.00. Foli si malësor. Kurse unë që e njoha i thashë se po gënjente se nuk ishte ai që u prezantua në emër dhe të dhënat nuk ishin të sakta. I thashë që e dija që kishte grua me dy fëmijë të rritur, se ia njihja fëmijët, se ishin shokë me nipërit e mi.

Gjithë atë natë unë vrisja mendjen se si kishte mundësi që këta burra të ishin kaq mediokër në të tilla raste. Si ka mundësi që nuk bëjnë llogari, se mezi e nxjerrin lekun. Ç’kërkojnë më tepër se gratë e tyre? Si arrijnë të prishin familjen kur janë 46-48 vjeç, kur janë punëtorë krahu (si murator ose betonist që bëjnë soletat)?

Kujtova se e mbylli bisedën kur i thashë se gënjente dhe nuk kishte atë emër që thoshte. Por ditën e tretë ai nguli këmbë dhe më kërkoi takim te kisha. Iu përgjigja se tek unë kishte xhami. Për ta hequr qafe e pyeta nëse kishte makinë. Më tha se jo. Iu përgjigja: “Epo, unë nuk pres furgonin që të pi kafe në Fier”.. I thashë të mos i binte më numrit tim. Kështu bëri.

Unë jam invalide, por këtë e bëra që t’u jap atyre burrave një mesazh: mos bëni më budallëqe të tilla. Të mbrojnë familjen dhe fëmijët e tyre sepse janë gjëja më e shtrenjtë në jetë.

Ai, në qoftë se e lexon me të vërtetë të gjithë gazetën, do ta marrë vesh se kush jam dhe do të më takojë se e di që jam invalide dhe do të më kërkojë falje ose diçka tjetër. Do ta kuptojë që e kam provokuar. Për mos ta marrë vesh gruaja ai do të vijë disa herë. Jam nënë me nivel të lartë dhe do të mbajë lidhje me mua.

Unë do t’ju shkruaj përsëri se si do të rrjedhin ngjarjet. Nëse ai nuk e lexon gazetën nuk do ta marrë vesh kurrë këtë histori.

Në qytetin tim ka dhjetëra çifte të divorcuar që u kanë mbetur fëmijët rrugëve. Nënat pa burrë nuk e përballojnë dot varfërinë. Vetëm në rrethin e Fierit janë më shumë se 500 familje të ndara. Shkak për këto gjëra është varfëria, papunësia. Burrat pinë gjithë ditën e mendojnë se largojnë stresin. Burrat në demokraci kërkojnë edhe një mami të dytë. Luajnë bingo dhe i lënë paratë aty, harrojnë se kanë shtëpi, gra e fëmijë. U jap një mesazh të fortë: Mblidhni mendjen, o burra! Nga K.S.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.