Si mund ta ndihmoj djalin tim të dalë nga burgu?

Gazeta Paloma - - Front Page - Studio Ligjore Xhixha, Tiranë Kontakt: [email protected] gmail.com

Si mund ta ndihmoj djalin tim të dalë nga burgu?

Përshëndetje avokat! Jam Arjani nga Levani. Në datën 13 të këtij muaji, Gjykata e Fierit më dënoi djalin me 5 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike. Sasia e kapur ishte 0.5 gramë. Çfarë i thua kësaj çmendurie ti? Të lutem më ndihmo, çfarë të bëj? I përkas komunitetit rom.

-Përshëndetje z. Arjan! Më vjen keq për atë që ju ka ndodhur! Këshilla ime e parë, atë që i them çdo personi që kërkon informacion dhe ndihmë të një natyre kaq delikate, është të gjesh një avokat penalist, i cili ushtron ose ka ushtruar profesionin e tij në zonën ku ju banoni, në këtë rast, në qytetin e Fierit. Për sa i përket rastit të djalit tuaj, ju thoni se gjykata e ka marrë vendimin e saj pasi djalit iu gjet lëndë narkotike në një sasi shumë të vogël. Si fillim, varet nga lloji i lëndës narkotike dhe çfarë sasie mund të quhet përdorim personal. Personi që ka lëndë narkotike vetëm sa për përdorim personal nuk dënohet. Thënë kjo, ju nuk sqaroni edhe rrethanat e tjera të ngjarjes. Me rrethana kuptojmë faktin nëse djali ka qenë në ndjekje për vepra të tjera, nëse ka qenë pjesë e një grupi personash që kryejnë trafikim lënde narkotike, nëse është përfshirë në vepra të tjera penale apo jo, nëse ka kundërshtuar policinë etj. Për të gjitha këto rrethana, duhet të vihet në dijeni avokati juaj, i cili do të përgatisë edhe mbrojtjen e klientit. Nëse ju nuk keni mundësi për të paguar një avokat, ju mund të zgjidhni nga lista e avokatëve të cilët kryejnë punë pa pagesë. Për këtë duhet të interesoheni pranë gjykatës.

A ka të drejtë pronari i dyqanit të ndryshojë pagesën e qirasë mujore?

Avokat, ju përshëndes! Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do t’ju shkruaja, por ja që kam nevojë edhe unë, si shumë të tjerë, për një mendim tuajin profesional. Unë kryej një aktivitet dhe kam nevojë për një zyrë. Duke qenë se nuk kam një ambient timin, kam marrë me qira një ambient. Në momentin e parë kur kam takuar pronarin e dyqanit, më tha se do të bënim një kontratë disavjeçare në mënyrë që të mos e rinovonim shpesh kontratën. Unë isha shumë dakord. Kur shkuam te noteri, më tha se duhej të bënim një kontratë njëvjeçare pasi kështu e kërkon ligji. Unë nuk kam informacion nga kjo fushë, kështu që pranova. Tani që ka mbaruar afati i kontratës, pronari kërkon të rino-

vojmë kontratën, por me një qira mujore më të lartë. A mund ta bëjë ai këtë? A kam mundësi të mbrohem? Theksoj se unë nuk jam vendali në qytetin ku kam marrë ambientin me qira dhe i vetmi jurist që njoh është noteri ku lidha kontratën e qirasë. Atë nuk mund ta pyes pasi kam merak se mos më shet te pronari. Shumë faleminderit për përgjigjen!

-Përshëndetje e nderuar zonjë! Ju nuk është nevoja të njihni një jurist për të marrë një informacion mbi një çështje. Mjafton të shkoni të pyesni në çdo zyrë avokatie apo zyrë noteriale, të dyja këto lloje zyrash janë shtuar si kërpudhat pas shiut, për të marrë një përgjigje. Sidoqoftë, përgjigjen jua them shumë thjesht në gazetë. Pronari i ambientit ka të drejtë të kërkojë çfarëdolloj pagese që ka dëshirë për dhënien me qira të ambientit që disponon. Juve, si qiramarrës, ju takon të pranoni ose të refuzoni ofertën e tij. Sa kohë kontrata e qirasë ka përfunduar, ju, të dyja palët, gjendeni në gjendjen fillestare të marrëveshjes. Pra pronari bën një ofertë dhe ju zgjidhni të pranoni ose jo. Ndërsa për sa i përket pjesës ku noteri ose pronari ju ka thënë se nuk lejohet të bësh një kontratë qiraje më të gjatë se një vit, kjo nuk është e vërtetë. Nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që të detyron të bësh një kontratë njëvjeçare qiraje. Siç e kemi thënë edhe herë tjetër, kontrata e qirasë nuk është nevoja të lidhet para noterit, mjafton që të jetë me shkrim për ato që kanë një afat mbi një vit.

Si mund të gjej certifikata tani që nuk japin më certifikata në gjendje civile?

Gazeta “Paloma”, si jeni? Mbase nuk përshtatet shumë si pyetje për te avokati juaj, por nuk kam ku gjej informacion në tjetër vend. Më kërkojnë në punë një certifikatë, por nuk kam ku e gjej. Në gjendjen civile ku unë banoj nuk ma hapin fare sportelin e certifikatave. Si mund të marr një certifikatë që të ketë edhe vërtetimin që nuk është bërë me photoshop nga unë?

-Përshëndetje! Mbi certifikatat personale, familjare ose aktet e martesës mund të gjenden në mënyrë elektronike në portalin e-albania. Pasi të kryeni procedurën e regjistrimit në portal, ju mund të zgjidhni njërin nga opsionet e certifikatave. Të gjitha këto dokumente, kur printohen, kanë një vulë elektronike dhe një kod të skanueshëm për të vërtetuar që nuk e keni shpikur ju, por që është lëshuar nga një autoritet dhe përmban të dhëna të vërteta.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.