Burri im nuk dëshiron më seks dhe unë kam gjetur të dashur. A është e gabuar kjo gjë?

Gazeta Paloma - - Histori -

Të dashur lexues, unë kam 25 vite e martuar. Bashkëshorti im është dashuria e jetës time dhe e dua shumë. E respektoj dhe e vlerësoj për atë që ka bërë për familjen tonë. Mendoj se edhe ai ndjen njësoj për mua.

I vetmi problem që kemi në 10 vitet e fundit është seksualiteti. Gradualisht ai ka gjithnjë e më pak dëshirë, por unë ndihem krejt ndryshe. Më parë debatonim shumë për këtë gjë. Kam folur me të, për atë që po ndodh dhe ai thjesht pretendon se ndihet fizikisht i lodhur dhe nuk ka dëshirë për seks, as me mua e as me ndonjë tjetër. Kam sugjeruar që të kërkojë ndihmë profesionale, por nuk pranon. Në pikën e fundit, e kërcënova se do të gjeja një të dashur dhe më kërkoi që të bëja edhe pak durim për të. Bënim dashuri, por një herë në dy muaj dhe gjithmonë me iniciativën time.

Me kalimin e kohës unë kisha gjithnjë e më pak kurajo dhe dëshirë për ta ftuar/shtyrë atë drejt kontaktit seksual. Seksualiteti im tashmë ishte thjesht një temë e trishtë. Ndihesha e papëlqyer, e padëshiruar si femër.

Më pas njoha një mashkull që kishte të njëjtin problem si unë. Ai është tip i gëzuar, i lumtur dhe me një qëndrim pozitiv për kontaktin fizik. Nisëm një lidhje që më bëri shumë të lumtur. Në një farë mënyre lidhja jonë është edhe një miqësi e bukur dhe kemi një lidhje unike. Im shoq nuk më pyet kurrë, po ashtu edhe gruaja e tij. Edhe me partnerët tanë tashmë kemi një marrëdhënie më të mirë sepse nuk kemi më arsye për t’u konfliktuar, ndërsa unë si femër ndihem emocionalisht dhe fizikisht e plotësuar. Njerëzit na shikojnë çuditshëm sa herë që dalim për të pirë një kafe apo për të bërë diçka normale si miq. Miqtë e mi fillimisht më kanë dënuar ashpër për këtë gjë, madje edhe më kanë paralajmëruar për fundin tragjik, por tashmë nuk kanë çfarë shtojnë, duke qenë se u bënë tre vite në këtë lidhje dhe nga ana tjetër kemi një jetë familjare shumë të qetë. Nga ana tjetër shikoj që brenda meje po mblidhen ndjenja mërie dhe xhelozie, nga njëra anë dëshira për të pasur një jetë me të dashurin tim dhe nga tjetër xhelozia për gruan e tij. Nëse nuk e takoj për disa ditë, më merr malli, por nuk mbaj mëri apo inat, thjesht mezi pres takimin tonë të rradhës. Brenda meje është konstante ndjesia e keqardhjes dhe pendesa që nuk mund të kem një marrëdhënie të tillë me bashkëshortin tim.

Me siguri që kjo që po bëjmë nuk është e drejtë, sepse të dy jemi të martuar. Nuk di çfarë të bëj tjetër për veten. A është e nevojshme të harrosh seksin në një martesë të mirë, vetëm sepse tjetri nuk dëshiron më dhe as nuk pranon të kërkojë ndihmë mjekësore? A duhet të vazhdoj t’i lutem burrit, ta kërkoj me zor? Nuk kam më as fuqi dhe dëshirë ta bëj sërish një gjë të tillë. Nëse ai do të më donte si më parë dhe do të ishte gati që t’i rregullonim gjërat bashkë, atëherë nuk do të kishte vend për dikë tjetër në jetën tonë. Pas problemeve që kemi pasur në lidhje me seksin, nuk kemi më të njëjtën lidhje dhe nuk di çfarë të bëj për ta rifituar këtë gjë. Thjesht, e kam pranuar që kjo është diçka e humbur dhe nuk mund të jemi kurrë më njësoj. Nga ana tjetër nuk dua të heq dorë as nga seksi (qoftë edhe me një burrë tjetër), pavarësisht se kjo nuk do ta përmirësonte aspak lidhje me tim shoq.

A është ky një gabim? Pres çdo lloj përgjigje nga ju lexues të kësaj gazete kur unë dikur i gjykoja të tilla histori, e sot jam unë ajo që e kam jetuar një histori të tillë. M.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.