KUR NUK KUPTOHET MESAZHI QË JEP FËMIJA NËPËRMJET TË QESHURËS

Gazeta Paloma - - Psikologji -

Prindër, zgjidhni veprimet, mos veproni pa u menduar!

Vazhdimisht u tërheqim vëmendjen fëmijëve duke u thënë të kenë kujdes, të ruhen nga gjërat që u bëjnë dëm. Gjithmonë përdorim frikën dhe kërcënimin, sidomos nga gjërat e gjalla, si kafshët, insektet apo bimët. I mësojmë fëmijët t’i vrasin insektet dhe jo t’i shmangin, pasi edhe ato janë të gjalla. Edhe ato duan të jetojnë dhe do të mbrohen po u kërcënuan dhe kështu mund të na bëjnë keq. Por, po të jemi të kujdesshëm mund t’i shmangim dhe kështu të jemi të dyja palët të qeta për jetën. Ky lloj edukimi është shumë i rëndësishëm, në radhë të parë për vetë ne njerëzit, na ndihmon të zhvillojmë mekanizma psiko- emocionalë më cilësorë. Kjo mënyrë qetëson frikën, që mund të krijojë dëme të tilla, që më pas nuk del një jetë e tërë për t’i korrigjuar. Prindër! Të rritur! Përpiquni t’i zgjidhni veprimet dhe jo të veproni pa menduar kur është fjala për jetën, për të gjallën. Jeta duhet respektuar, kudo qoftë dhe e kujtdo qoftë.

Nga frika jonë rriten fëmijë të pazot e kurajozë

Ajo që e karakterizon edukimin tonë është frika. “Vishe se do sëmuret”; “Ushqeje me zor se do dobësohet”; “Mos e lër të ngjisë shkallët se do të rrëzohet”; “Mos e lër të laget se do të ftohet”... mund të vazhdohet pa fund, duke cituar frikërat e nënave dhe gjysheve, por për fat të keq edhe të baballarëve. Ne të rriturit e dimë veten si shpëtimtarët e fëmijëve, në fakt i pengojmë dhe i bëjmë të paaftë për t’u rritur e për ta njohur vetë mjedisin. Me këtë lloj pseudo-përkujdesje i pengojmë të fitojnë atë lloj zhdërvjelltësie fizike dhe psiko-emocionale që jep eksplorimi dhe arritja e një veprimi të bërë vetë. Mirë që i pengojmë sepse kemi vetë frikë, por ajo që e bën këtë mënyrë edukimi të rëndë për fëmijën është etiketimi: “Ky mi, ky është i ngordhur”. “Ky është qullac”... Dhe për ta mbyllur, pasi kanë numëruar epitetet, fillojnë dhe qeshin. Pastaj pretendojmë që fëmijët tanë të bëhen të rritur të zot, kurajozë e të përgjegjshëm.

Kur ne nuk njohim gjuhën e të folurit të fëmijës

Kur fëmija merr çdo natë të njëjtën vëmendje dhe përkujdesje nga prindërit dhe kjo mënyrë kthehet në rregull, pra kujtesën për larjen e dhëmbëve, leximi i librit dhe bisedat e vogla, fëmija fillon të ndërtojë modelin e sjelljeve dhe t’i organizojë ato sipas modelit të prindërve të tij. Ky rregull duhet të fillojë rreth moshës 6 muaj dhe fillon me leximin. Tashmë është vërtetuar shkencërisht që në moshën 6 muajsh fëmija kupton çdo fjalë që i shqiptohet nga i rrituri. Fëmija nuk mund të përgjigjet me fjalë për shkak se aparati i të folurit nuk është i pjekur ende. Në fakt, fëmija flet me shenja apo, siç quhet ndryshe, gjuha e trupit, por ne të rriturit nuk e dimë dhe nuk e njohim këtë formë të foluri të fëmijës, kështu nuk e kuptojmë dhe nuk i përgjigjemi.

Si e modelon sjellja jonë fëmijën

Prindër, nëse doni që fëmija juaj të jetë dikush në jetë, atëherë ju duhet të jeni të vëmendshëm dhe të vetëdijshëm ndaj veprimeve, sjelljeve dhe fjalëve të çdo çasti që jeni në kontakt me fëmijën dhe sidomos kur fëmija nuk është prezent. Jepuni rëndësi gjërave të vogla, pasi janë ato që përditë ndërtojnë atë sjelljen e përhershme te fëmija. Ashtu si njeriu vjen në jetë nga dy qeliza të vogla që nuk shihen me sy dhe dalëngadalë nga unifikimi i tyre fillon e merr jetë njeriu i ardhshëm, po ashtu edhe sjelljet e të rriturit modelojnë pa zhurmë fëmijën, që më pas transformohet në një të rritur të vetëdijshëm për veten dhe jetën e tij ose një njeri peng i tjetrit, i dyshimit dhe i pasigurisë.

Kur nuk kuptohet mesazhi që jep fëmija nëpërmjet të qeshurës

E qeshura është fundi i së qarës. Shpesh na qëllon të shohim dhe dëgjojmë fëmijë që qeshin vend e pavend. Madje edhe nervozohemi dhe u themi: Pse qesh kështu si budalla apo budallaqe? Të rriturit, në vend që të përpiqen të kuptojnë mesazhin që po përpiqet fëmija t’u transmetojë pa u menduar, e etiketojnë apo ia prishin përpjekjen. Buzëqeshja dhe e qeshura i përket vetëm species tonë. Dhe një fëmijë e ndjen, e di dhe e dëshiron më shumë se çdo i rritur këtë gjë: që e qeshura e ndërpret të qarën dhe kjo gjë ndodh kur i rrituri është aty me të. Dhe të dy, nëpërmjet lojës, do të mund të zbulojnë, mësojnë dhe të kënaqen e të qeshin. Fëmija qesh vetëm në prezencë të të rriturit, sikur kërkon t’i thotë: Rri këtu me mua se vetëm nuk ia dal dot. Po i rrituri është shumë i zënë me veten dhe nuk ka kohë të qeshë dhe të luajë. E qeshura është një veti që ushqehet nga fjalët dhe gjestet e gëzuara të të rriturit që i përgjigjet fëmijës, kur i buzëqesh dhe luan me të. Po nuk “e dha” i rrituri këtë “përgjigje”, e qeshura e fëmijës ndërpritet, meket dhe pastaj bëhet një veprim për të dalë nga situata. Kur e qeshura realizohet e plotë tregon se po ndërtohet ajo lloj marrëdhënie i rritur- fëmijë, ku gërshetohet besimi me gëzimin dhe ankthi e frika dhe mërzia nga vetmia zbehen, nuk përbëjnë më problem.

Rëndësia e dialogut fëmijë-i rritur

Nuk ka fizkulturë më të mirë për trurin se dialogu i rritur - i parritur. Kjo formë ndërveprimi ndërton dhe zhvillon vullnetin dhe durimin e të dyja palëve. Fëmija ka nevojë për mbështetjen e të rriturit, ndërsa i rrituri për habinë, gëzimin dhe energjinë e fëmijës. Kështu, së bashku ia dalin për të realizuar kalimin nga një nivel i caktuar në një nivel të avancuar të psikës dhe njerëzores.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.