A nuk e keni edhe ju inat janarin?

Gazeta Paloma - - Argëtim -

Përshëndetje të dashura mikesha! Si jeni? Iku janari, ky muaj i parë i vitit. Sinqerisht, janari është muaji më kot. Dhe e dini pse? Sepse hiqen zbukurimet e Vitit të Ri, nuk ka ndonjë festë, është ftohtë dhe kohë e keqe e nuk kemi si të ngremë humorin. Madje edhe rroga e janarit del me vonesë. Edhe kur del, na duhet vetëm për të mbyllur ato vrimat që kemi lënë bosh nga fundi i vitit që lamë pas. Eh, janari, është si e hëna. Të gjithë kthehen nga fundjava e kaluar me punë shtëpie, me pushim, me gjumë mëngjesi dhe detyrohen të shkojnë në punë që herët. Ky janar ishte veçanërisht i shpifur dhe i trishtë, sidomos pas lajmit që pamë në media mbi vrasjen e një vajze të re nga një psikopat. E mendoni dot që ajo vajzë mund të jetë fëmija jonë nesër? Çfarë u mësojmë ne fëmijëve tanë? Të lexojnë, të mësojnë, të ngrenë personalitetin e tyre mbi baza të shëndosha. Unë, siç e keni parë edhe në shkrimet e mia e besoj më mbështesni, u mësoj fëmijëve të mi rëndësinë e të qenit i pavarur. Ata janë ende të vegjël e varen nga unë që ç’ke me atë punë, por për disa gjëra të vogla u mësoj se si të vendosin vetë. Ashtu si edhe mua prindërit e mi, kur isha e vogël, më dhanë një shtysë, një drejtim, një bazë informacioni mbi të cilën të ndërtoja të ardhmen time. Por ama, unë kam vendosur vetë se si do të veproja, ku do të studioja, ku do ta kaloja kohën e lirë, ku do të kërkoja për punë dhe sidomos kë do të merrja për burrë. Ndërkohë që unë përgatitesha për të veshur fustanin e bardhë, im atë m’u afrua e më tha se ishte shumë i kënaqur dhe i emocionuar për hapin e madh që isha duke hedhur. Ishte shumë i lumtur me zgjedhjen time dhe te bashkëshorti im gjeti një mik, një djalë e një njeri të afërt, të cilin e deshi shumë. Sidoqoftë, më tha se nëse, për çdo lloj arsyeje, gjërat nuk ecnin, bashkëshorti ndryshonte, sillej keq me mua ose unë e kuptoja se isha duke jetuar në një marrëdhënie që nuk është e mirë për mua, kisha gjithë mbështetjen e tij për t’u larguar nga kjo marrëdhënie e për t’u kthyer në shtëpi. Kjo gjë ka ndodhur para disa vitesh e, përsëri, im atë e tha fjalën pasi nuk dëshironte kurrsesi që unë të vuaja. Këtë gjë mundohem unë t’u mësoj fëmijëve të mi. Të kenë guxim e vendosmëri e të mos rrinë me njerëz që nuk i bëjnë të lumtur. Si mund të mendohet që të kalohet jeta me dikë që nuk e do? Si e mendon ai djalë që ajo vajzë të kalojë jetën e saj me të nëse nuk e do? Si mund të detyrosh dikë të veprojë kundra vullnetit të tij? A është dashuri kjo? A është fiksim? A është injorancë? Sigurisht që është injorancë. Djalin nuk e njoh fare dhe as të ndjerën. Më vjen keq edhe kur e shkruaj që një vajzë 21 vjeç është tashmë një e ndjerë. Megjithatë, kemi dëgjuar për shumë raste kur meshkujt e marrin si sfidë personale “këputjen” e një femre. Për ta është e paimagjinueshme të marrin një përgjigje negative. Nëse një mashkulli i teket të propozojë një femër, ajo e ka për detyrë të thotë vetëm po. Nëse, për ndonjë arsye, vajza e shkretë thotë që nuk dëshiron të lidhet më këtë propozuesin, ai i qepet nga pas, nuk lë shok e shoqe pa i futur mik, nuk lë vend ku ajo shkon pa u paraqitur dhe vetë, e ngacmon, i ngacmon njerëzit me të cilët ajo rri dhe nëse ajo përsëri reziston dhe thotë jo, atëherë ajo është një kurvë që nuk ia lë këtij pasi është në kërkim të lekëve, pozitave etj. Pra, jemi para rastit tipik injorant ku një mashkull e ka të mbledhur mendjen se është perfekt, e ka bindjen e plotë se është duke kërkuar një vajzë që i përshtatet, se ai e di më mirë e se ajo truthara nuk e ka idenë me kë po merret e kë po refuzon. Ndërkohë që është, në shumicën e rasteve, një budalla i papunë, i paarsimuar, i paditur, që nuk e kupton që kur një femër thotë jo e ka seriozisht. Edhe më i miri të jetë, edhe djali më perfekt të jetë, nëse nuk kupton që një marrëdhënie nënkupton dy persona, atëherë është një hiç. Një lidhje ka nevojë për bashkëpunim, për mirëkuptim, për dashuri, për marrëveshje e, sidomos, për dy persona që kanë vullnet për të qëndruar bashkë. Nëse mungon vullneti, jemi në kushtet e skllavërimit. Një person, ai më i forti fizikisht ose psikologjikisht, mundohet të lidhë personin tjetër me zor e pa dëshirë. Këtij djalit që na ishte aq i dashuruar me atë të shkretën që sot nuk jeton më, a ia kishte treguar dikush se çdo gjë nis, jeton e përfundon? Edhe nëse vajza do të kishte dashur të ndërpriste një marrëdhënie të nisur, ai nuk kishte të drejtë ta cënonte e aq më pak ta vriste. Jo për gjë, por kur një i afërm i tij u prononcua për mediat, e ligjëroi veprimin e nipit duke thënë se ata kishin qenë të dashur, por ajo e la prandaj ai u soll ashtu si u soll. A është një arsyetim i shëndoshë ky? Sigurisht që shqetësohem edhe për shumë vajza të tjera, të cilat vuajnë nga persona të tillë të paqëndrueshëm, të cilët synojnë të cënojnë vullnetin e të tjerëve. Por mbi të gjitha, shqetësohem për të ardhmen e fëmijëve të mi. Çfarë fati do kenë në këtë shoqëri? Si do ndjehen kur të përballohen me vulgaritetin, prostitucionin apo kriminalitetin?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.