Për sa kohë mund ta rrisësh fëmijën fshehtas?

Gazeta Paloma - - Histori Personale -

Deri sa njoha atë, nuk e dija se si ishte të dashurosh. Kisha menduar se kisha dashuruar dhe më kishin dashuruar, por jo. U desh të takoja atë burrë që të kuptoja se si ishte të dashurosh në të vërtetë.

Ishte një ditë me shi. Isha shumë e mërzitur. Kisha dalë me rroba sporti për të blerë diçka në supermarketin poshtë pallatit. As nuk isha lyer dhe as nuk isha krehur. Prej disa muajsh e kisha lëshuar veten fare. Haja vetëm një herë në ditë. Pija cigare sa të mundja. Shtëpia ishte bërë pis e gjitha dhe mua nuk më bëhej asnjë lloj pune. Isha në një stres apo depresion. Nuk kishte fjalë përcaktuese për gjendjen time. Dhe e gjitha kjo se i fejuari im, me të cilin njihesha që fëmijë, kishte një lidhje tjetër. E zbulova krejt rastësisht. Në të vërtetë kisha vënë re një sjellje ndryshe, por kurrë nuk ma priste mendja se do të kishte një lidhje paralele. E gjeta në një restorant bashkë me të. Ishin ulur ngjitur dhe po putheshin. Unë hyra rastësisht aty e ftuar nga një shoqja ime për të ngrënë një picë.

Zakonisht nuk para haja në restorante, por atë ditë sikur e çoi Zoti që shoqja ime të më ftonte pasi kishte një sebep. E motra kishte lindur djalë. Ato ishin shumë të lidhura bashkë dhe ajo fluturonte. Më mori me makinë dhe më tha se do të më çonte në një lokal të njohur pranë Parkut të Madh.

Kur hyra në lokal nuk i vura re, por pashë fytyrën e shoqes që u pre. Pastaj pashë andej nga po shikonte. Kur ç’të shoh? Ishte ai, ngjitur me të duke u puthur dhe as që donin t’ia dinin për njerëzit. Nuk mundesha të lëvizja dot. Shoqja se ç’po më thoshte për të më qetësuar. Doja të shkoja tek ajo tavolinë dhe t’ia veshja me pëllëmbë fytyrës, por nuk më bënë këmbët të lëvizja. Pas disa minutash shkova pranë tyre dhe i thashë asaj vajzës se unë jam e fejuara e këtij me të cilin ajo po puthej. Prisja që ajo të reagonte, por thjesht buzëqeshi. Ika nga lokali bashkë me shoqen. Ai as nuk u ngrit për të më ndaluar.

Kaq mjaftoi për ne të dy. U mblodhën familjet, për të na pajtuar, por inati im ishte shumë i madh dhe nga ana tjetër ai nuk bëri asgjë për të rifituar dashurinë. Përkundrazi reagoi ftohtë, që për mua do të thoshte se do të rrinte me të.

Kjo histori më tronditi tej mase. Edhe pse shoqja ime më e ngushtë më thoshte vazhdimisht që ta harroja, nuk mundesha. Ndihesha shumë e lënduar dhe më humbi besimi te vetja.

Kështu ajo ditë te supermarketi ishte si të gjitha ditët e mia, kur unë e mërzitur po blija një paketë cigare dhe dy shishe me ujë. Ndërsa po i thosha shitëses që cigaret i doja pa pullë, një burrë në krahun tim, thotë: “Njëlloj të vrasin, si me pullë si pa pullë”.

Në ato momente vura buzën në gaz dhe mendova se ky duhej të ishte mjek që bënte moral për shëndetin. “Ka gjëra të tjera që të vrasin në këtë jetë. Jo cigarja”,ia ktheva dhe dola.

Ndërsa po ngjisja shkallët, ndjeva hapa pas meje dhe zërin: “Cilat janë ato gjëra që vrasin?”

Ktheva kokën dhe pashë atë. “O Zot, qenka budalla ky! Dashka muhabet!” Nuk i dhashë përgjigje, por hyra në shtëpi. Në fakt edhe u tremba se kujtova se mos ishte ndonjë maniak seksual.

Sapo hyra në shtëpi ndeza cigaren time që më dukej se do të më shpëtonte nga stresi. Të nesërmen do të shkoja në punë. Sapo dola pashë atë “budallain”. Kështu e thërrisja me veten time.

Ai sikur e lexoi atë që kisha në mendje dhe m’u drejtua duke më thënë: “Më fal se ndoshta po të dukem si budalla, por thjesht m’u duk interesante ajo që the dhe kisha dëshirë të pinim një kafe. Unë e shoh që ti je në stres, edhe unë nuk jam më mirë. Ndoshta një kafe do të na bëjë mirë”

Ai fliste dhe unë mendoja me vete se nga e dinte ai që unë isha në stres. “Nga e di ti që unë jam në stres?” - e pyeta. - Dukesh nga sytë. - Mos je gjë mjek? - Ti kuptohesh që larg. Po filloja të nevrikosesha me faktin se ai po kuptonte gjendjen time. Si duket e vuri re nervozizmin tim dhe më tha: “Mos u nxeh me mua. Jemi njerëz dhe situata të tilla që të gjithë kemi. Të të pres pas pune për një kafe? Asgjë më shumë.

Nuk i thashë as po, as jo, por i thashë se duhej të nxitoja se isha vonë. Ai e mori si një po dhe sapo mbarova punën e pashë se po më priste para pallatit.

“Një kafe. Mos ma merr për ters”,- më tha shpejt e shpejt që të mos më linte kohë që t’i thosha jo. E kështu u ulëm në një lokal aty pranë. Në fakt, ishte simpatik dhe jo më shumë se 30 vjeç. Ishte i veshur këndshëm dhe një kafe me të nuk ishte e tepërt. Që kur kisha nisur cigaren, kafeja më ishte bërë si bukë. E pija sa më shumë që të mundesha. Biseda na pëlqeu. Na përputheshin mendimet. Që në kafenë e parë më tha se ishte i martuar dhe se kishte një vajzë. Kjo më preu disi. Për t’i dalë përpara ndonjë pakënaqësie ai më tha se thjesht donte të kishte dikë me të cilën të bisedonte, asgjë më shumë. Kjo sikur më qetësoi. Fundja edhe unë kisha nevojë të dilja qoftë edhe për një kafe me dikë.

Kështu kafetë nisëm t’i pinim çdo ditë pas pune. Filluam të tregonim historitë tona. Ai kishte probleme me gruan. Vajzën e donte shumë, por marrëdhënia me gruan i kishte marrë fund. Shkak ishin bërë shumë gjëra, por kryesorja, sipas tij, ishte edhe bashkëjetesa me prindërit. Gruan nuk e kishte marrë me dashuri, por ia kishte bërë halla e tij.

Më pas kishin filluar pakënaqësitë e nënës së tij. Ai nuk gjente dot qetësi në shtëpi. Marrëdhënia jonë filloi të bëhej ngushëlluese për të dy. Rrëfenim çdo gjë te njëri-tjetri. Dalëngadalë bisedat me këtë njeri po ma largonin gjendjen e keqe në të cilën ndodhesha. Pas gati gjashtë muajsh takimesh ku ishim mësuar të bisedonim gati dy-tri orë me një kafe përpara, po ndjenim diçka për njëri-tjetrin. Nisa të ndryshoja. Preva flokët me një model shumë modern dhe i leva krejt të zeza. Më shkonin jashtë mase. Nisa të bëja kujdes edhe për veshjet. Shtëpinë nisa ta rregulloja dhe ta shijoja. Je- toja vetëm me qira, pasi rrogën e kisha të mirë dhe mund ta përballoja.

Edhe ai kishte një punë shumë të mirë dhe fitonte. Nuk doja që miqësia jonë të përfundonte në një lidhje, por tërheqja mes ne të dyve u bë aq e madhe sa nuk rezistuam dot. Ai ishte një mik dhe i dashur i shkëlqyer. Marrëdhënia jonë ishte e përsosur. Kurrë nuk kisha përjetuar një lidhje të tillë. Ishte shumë i dhënë pas meje. Flisnim në telefon orë e çast. Nuk bënim dot pa njëritjetrin. Aq intensive ishte lidhja jonë sa kurrë nuk e ndjeva se ai kishte një grua tjetër. Këtë lidhje nuk e kisha pasur as me të fejuarin tim që ishte beqar. Ndihesha e mbushur me të. Po përjetoja një mrekulli. Filluam madje të kishim edhe një lloj bashkëjetese. Pas një viti lidhjeje intensive, mbeta shtatzënë. Sikur më ra bota sipër, kur pashë testin. Vetëm këtë gjë nuk e kisha parashikuar. Ishim aq të dashuruar sa nuk kishim diskutuar se ç’do të bënim më tej. Nuk e kisha parë të nevojshme ta diskutoja këtë çështje pasi nuk e ndieja. Ai ishte 24 orë i imi trup e shpirt. Kur i thashë se kisha mbetur shtatzënë prisja të më thoshte që ta abortoja. Këtë gjë nuk doja që ta dëgjoja nga goja e tij. Ai nuk e tha. Thjesht më tha se më takonte mua të vendosja dhe ai do të përgjigjej për gjithçka. Familjen time nuk e kisha në Tiranë. Dilema për ta mbajtur apo jo fëmijën ishte shumë e madhe. Si mund të mbaja një fëmijë pa burrë? Nuk ishte e lehtë. Më në fund historinë time ia rrëfeva shoqes time të ngushtë. Deri atëherë askush nuk e dinte lidhjen që kisha me të. Ajo u skandalizua, por njëkohësisht më tha: “Kjo jetë kështu qenka, kur e ke beqar s’e ke për vete, as të martuar nuk e ke për vete, por të paktën ke dashurinë. Unë them që fëmijën ta mbash se ndoshta kjo e bën të lidhet më shumë me ty”.

E rraha për ditë të tëra këtë çështje me shoqen time dhe në fund vendosa ta mbaja fëmijën. Për fat të mirë, më qëlloi që muajt e fundit të ishin në dimër dhe me rroba të gjëra nuk vihesha re deri muajin e shtatë. Dy muajt e fundit e ndërpreva punën duke gjetur si sebep sëmundjen që kishte prekur mamanë time. Ata në punë më besuan dhe më premtuan se do të ma ruanin vendin e punës.

Ndërkohë i dashuri im më ndenji pranë. Marrëdhënia jonë nuk ishte intensive si më parë, por ai nuk më la vetëm asnjë çast. Fëmijën shkova që ta lindja në një qytet tjetër ku nuk njihesha. Gjithçka e pagoi ai. Linda djalë. Ai u gëzua pa masë. Por gjatë gjithë kohës mua më mundonte atësia e fëmijës. Çfarë do t’i thosha djalit se kush është babai. Marrëdhënia jonë në fshehtësi nuk mund të vazhdojë përgjithnjë. Pastaj prindërit e mi një herë do ta merrnin vesh që unë kisha një fëmijë.

Kisha shumë ankthe. Të gjitha ia shpreha edhe atij. Ai më donte, këtë gjë e dija, por njëkohësisht hezitonte që të merrte një zgjidhje përfundimtare, që të ndante gruan dhe të jetonte me mua. Sot që po e shkruaj këtë histori djalin e kam vetëm dy muajsh. Lidhja jonë vazhdon sërish me intensitet, por për mua mbetet e lodhshme edhe të punoj, edhe të mbaj djalin. Nuk mund t’i kërkoj askujt që të më ndihmojë pasi jam munduar ta mbaj sa të mundem të fshehtë. Ai më thotë se do të marrë një vendim, por kur? Po më sos durimi duke u fshehur dhe duke jetuar me ankthin se mos ndonjë ditë ime më dhe im atë vijnë për të më parë në Tiranë pa më lajmëruar. Edhe për ta e kam menduar një gënjeshtër. Do t’u them se po punoj si dado dhe se fëmija im është i dikujt tjetër. Por jam e bindur se nuk mund ta mbaj gjatë fshehur… Nuk e di. Thonë se me të pyetur gjendet Stambolli. E tashmë unë po pyes jo për të gjetur Stambollin, por shtëpinë time. Ku do të jetë ajo? Ose më saktë pyes për të qetësuar veten. Nëse ai nuk vjen të jetojë me mua, çfarë do t’i them fëmijës nesër? Si do të reagojnë njerëzit kur ta marrin vesh? Një mendje më thotë se vetëm jashtë mund të gjej zgjidhje…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.