Kam një peng dhe një këshillë për ju

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Unë që po ju shkruaj jam një burrë që e lexoj vazhdimisht gazetën dhe historitë tuaja. Gëzohem kur lexoj histori të bukura, që i kanë bërë njerëzit më të lumtur dhe hidhërohem kur lexoj për vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificat e të tjerëve. Kur lexoj historitë e dhimbshme që shkruhen shpesh në këtë gazetë, nis e bëj analizën e jetës time. Edhe jeta ime nuk ka qenë fort e lehtë, por për të qenë i sinqertë kam kaluar pak ngjarje të rënda. Mendoj për fëmijët e mi, që falë Zotit i kam për mrekulli. Të gjithë prindërit e dinë se kur i ke fëmijët mirë me shëndet e të plotësuar në jetë ndihesh sikur ke gjithë pasurinë e botës. Në mënyrë egoiste i anashkalon gjërat e tjera, mjafton që të kesh fëmijët mirë.

Edhe unë sot do t’ju tregoj një histori të dhimbshme, që më rëndon në shpirt. Unë kam dy fëmijë, por ndihem sikur të kisha tre. Nuk para e shpreh këtë gjë, por vendosa ta ndaj me ju. Ndihem sikur të kisha 3 fëmijë sepse kam edhe një nip, djalin e vëllait. E kam një brengë të madhe në shpirt në lidhje me këtë fëmijë, që sot është burrë. Ai është i vetmi fëmijë i tim vëllai dhe jeton larg, por unë e kam gjithmonë në zemër, ashtu si edhe fëmijët e mi.

Ne ishim 3 vëllezër, unë, D. (vëllai i vogël) dhe R. (vëllai i madh). Gjithmonë kam qenë më i lidhur me R-në, ngaqë kishim pak vite diferencë, ndërsa D. ishte i llastuari i familjes. Ai kishte më shumë diferencë moshe me ne dhe të gjithë e trajtonim si të privilegjuar.

R. u martua 2 vjet përpara meje. E mori të shoqen me dashuri. Ajo ishte një vajzë e mirë dhe e shtruar, ndaj dhe familja jonë ra menjëherë dakord. Në shtëpi ishim mësuar që ta përkrahnim njëri-tjetrin. Familja e vajzës nuk pranoi menjëherë, por pas disa bisedash që u bënë mes prindërve tanë e prindërve të saj gjithçka u finalizua me martesën e tyre. Nga kjo martesë erdhi në jetë një djalë. Ishte nipi i parë për prindërit e mi dhe trashëgimtari i parë i familjes tonë. Duke qenë se im vëlla R. dhe e shoqja jetuan me ne, edhe ai u rrit në shtëpinë tonë. Është e kotë t’ju them se e donim shumë të gjithë.

Dy vjet më pas u martova edhe unë. Fati e deshi që unë të dilja në shtëpi tjetër me gjithë gruan. Në atë kohë lëvizjet nga një qytet në tjetrin ishin të zakonshme dhe unë i kam bërë disa lëvizje të tilla deri sa pak vite përpara demokracisë më sollën në Tiranë. Të njëjtin fat pati edhe vëllai im, 6 muaj pas meje erdhi edhe ai në Tiranë. Kishim vetëm njëri-tjetrin në Tiranë dhe bëheshim shumë. Edhe nuset tona shkonin mirë me njëra- tjetrën, po ashtu edhe fëmijët.

Nipi im, S, ishte një fëmijë shumë i shkathët. Dukej që në fëmijëri që ishte i zgjuar, i shkëlqenin sytë. Prindërit e tij i kishin sytë veç tek ai. Ndërsa unë u bëra me dy fëmijë, ata nuk kishin në plan të bënin fëmijë tjetër edhe për shkak të gjendjes ekonomike. Në atë kohë ishim të varfër të gjithë, por ata që atëherë mendonin ta rrisnin me pekule S-në. Nuk e mohoj se i kam gjykuar disa herë që nuk donin të bënin fëmijë tjetër. U thosha të mendonin edhe për djalin e t’i bënin një vëlla apo motër. Ata nuk ma merrnin për ters. “Të rrisim S-në njëherë, pastaj do shohim e do bëjmë”,- thoshte im vëlla.

Në vitet që do të vinin ekonomia e tyre u bë gjithmonë e më e dobët. I ndihmoja sa mundesha, por edhe mundësitë e mia ishin të kufizuara. Im vëlla mbeti nja 2 vite pa punë dhe më pas u rregullua në punë shteti. Mua më eci disi më mirë edhe për shkak të profesionit që kisha. Por edhe atëherë kur ekonomia e tyre ishte shumë e dobët, S-së nuk i mungoi kurrë asgjë. Prindërit e tij jetonin vetëm për të.

Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në ’97-n. Vëllai im, me shumë përpjekje, arriti ta largonte të birin nga Shqipëria. Atëherë S. ishte rreth 20 vjeç. Kaloi shumë peripeci djali. Në Europë lëvizi nga një shtet në tjetrin dhe në fund përfundoi në Kanada. Fatmirësisht atje u rregullua mirë. Edhe vëllai im sikur u çlirua. E shikoja që vuante shumë kur i bridhte i biri në Europë. Por Kanadaja ishte tjetër gjë sepse edhe S., që deri atëherë kishte lëvizur pa dokumente të rregullta, nisi të bënte dokumentet. Kjo puna e dokumenteve ishte me shumë rëndësi sepse për vite me radhë nuk i pa asnjëherë prindërit. Për vëllain tim, dokumentet ishin mundësia për ta takuar djalin e tij.

Nuk ishte e thënë që çdo gjë të shkonte mirë. Për 4 vjet, im vëlla nuk e pa të birin. Sikur ta shikonte pas 4 vitesh do të kishte qenë shumë i lumtur, po edhe pas 10 vitesh sikur a shihte prapë i lumtur do të kishte qenë. E keqja është se babë e bir nuk u panë kurrë më. Im vëlla u nda nga jeta para kohe me një pishman të madh. Ishte diçka e papritur, një aksident dhe jeta e tim vëllai mbaroi atje. E shoqja nuk qante vetëm burrin, por kishte edhe dhimbjen që babë e bir nuk u panë dot për herë të fundit. 4 vjet më parë, im vëlla dhe i biri ishin ndarë të bindur se shumë shpejt do të takoheshin përsëri. Malli i 4 viteve pa u parë e bënte edhe më të rëndë gjendjen.

Kush do ta lajmëronte djalin? Askush nuk e merrte përsipër një gjë të tillë. E dija se kjo barrë binte mbi mua. E mora në telefon dhe nuk munda t’ia thosha të vërtetën. Si mund t’i thosha unë djalit që i ati nuk jetonte më?! Diçka duhej t’i thosha që ai të merrte menjëherë rrugën drejt Shqipërisë. I thashë se i ati ishte sëmurë dhe kërkonte ta shihte patjetër. Por S. e parandjeu që nuk po i thosha të vërtetën. Një gjë ishte e sigurt, varrimi pa ardhur djali nuk bëhej.

Shkova unë me djalin tim dhe e pritëm në aeroport. Ishte me lot në sy. Sapo na pa u sigurua se ajo që druhej ishte e vërtetë. I treguam, pa shumë fjalë, që im vëlla e babai i tij ishte ndarë nga jeta. Ai vetëm pëshpëriste: “Po si nuk të pashë mor babë?!”. Ai varrim ishte i tmerrshëm. Unë humba vëllain tim të shtrenjtë, por më shumë ndieja keqardhje për S-në që kishte humbur të atin pa pasur mundësi që ta takonte e t’i jepte një përqafim për së gjalli njeriut që kishte sakrifikuar çdo gjë për të birin, që i biri të bënte një jetë më të mirë. Nuk po ju flas më për atë moment tragjik, pasi fjalët nuk mund ta përshkruajnë.

S. u kthye në Kanada. Pas disa kohësh mori edhe të ëmën. Ai ka krijuar familjen e tij dhe është bërë me fëmijë. E kam takuar vetëm njëherë pas vdekjes së vëllait sepse ai jeton larg. Por flas vazhdimisht me të.

Sa herë që kujtoj tim vëlla, mendja më shkon tek i biri, S, që nuk mundi ta takonte përpara se të mbyllte sytë përgjithmonë. Jo vetëm e dua fort nipin tim, por kam edhe dhembshuri për atë që i është dashur të kalojë.

Prandaj, të dashur lexues të gazetës “Paloma”, ju këshilloj t’u gëzoheni gjërave të mira që keni në jetë sepse e keqja nuk ka fund. Atëherë kur mendon njeriu i shkretë që i ka gjithë të mirat, atëherë e keqja del në sipërfaqe e krejt papritur t’i bën të mirat të padukshme, duke t’i shkatërruar brenda një sekonde. Sakrifikon njeriu gjithë jetën për të pasur më të mirën e krejt papritur, në mënyrë të paparashikuar, çdo gjë kthehet mbrapsht.

Im vëlla vdiq me një pishman të madh, që nuk e pa qoftë edhe për herë të fundit të birin. Ndërsa nipi im jeton me një brengë të madhe që nuk e përqafoi për së gjalli të atin. Të njëjtën brengë e kam edhe unë në shpirt. Vëllai im shpirtmadh meritonte ta takonte të birin, por ja që jeta qenka e padrejtë. Nga ana tjetër, edhe ai fëmijë i mbarë meritonte t’i shprehte të atit mirënjohjen për çdo sakrificë që ai kishte bërë për të.

Tani S. i ka gjithë të mirat, por nuk ka pranë njeriun e tij më të dashur, babën. Këtë ma thotë shpesh vetë ai dhe unë gjithmonë i them t’u gëzohet gjërave që ka, të mos jetojë me kokën pas, po të ecë përpara, t’u gëzohet fëmijëve të tij sepse jo në pak raste jeta është e padrejtë.

Të njëjtën këshillë dua t’jua jap edhe juve, të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Jeta është plot me pengesa e vështirësi, disa të vogla e të tjera të mëdha, por të gjithë duhet t’u gëzohemi gjërave të mira që kemi në jetë. Këtu po e mbyll rrëfimin tim, duke ju uruar gjithë të mirat!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.