A kemi më shumë shkolla, por më pak të shkolluar?

Gazeta Paloma - - Argëtim -

Ua moj, që do të dalësh e mirë, e mirë dhe vetëm e mirë…Ku qenka parë e dëgjuar kështu? Po pse, budallenj jemi ne të tjerët? Je treguar qytetare, por sytë e tu vuanin pak për sinqeritet gjatë kësaj interviste. “Ndiej vetëm mirënjohje për gjithë jetën. Jam rritur dhe jam formuar artistikisht prej tij (Florit). Nuk do ta ekzagjeroja të them që ne të dy përgjatë viteve që kemi punuar bashkë kemi bërë revolucion në muzikën moderne shqipe. Unë nuk harroj rrënjët, por ndjek dritën”, – do të shprehej rrjedhshëm këngëtarja. E besoni ju? Kaq paqësisht të jenë ndarë? Po përtej raportit profesional, fare, fare asgjë nuk ka pasur? Ndoshta me të drejtë e gjykon publikun sikur do të hyjë në vrimë të çelësit, ama kjo është e drejta e tij. Për sa kohë jeni shfaqur bashkë për vite me radhë dhe tani gjithçka ndryshon me një të kërcitur gishtat, ne nuk rrimë dot të heshtur. Të paktën mendimi që është i lirë, le të shprehet dhe mos të mendosh se na hodhe “hi syve”! Interesat e tua ndryshuan bukuroshe, ambicia t’u shtua dhe i ke harruar rrënjët, sado të pohosh të kundërtën. Sidoqoftë, ne kemi besim dhe të urojmë suksese në jetë!

Që ky djali ka sens të hollë humori, kjo është e vërtetë dhe nuk ia ha njeri hakun. Që ka raste kur ca detaje i thotë “tullë”, edhe këtë duhet ta pranojmë. Mirëpo Ermal, pranoje që nuk e bën dot komedianin “e madh” në një realitet të vogël shqiptar, se ne sillemi nga sillemi dhe kaq banorë kemi. Të fyesh dikë është forma më e lehtë e mundshme që të na bësh neve si popull për të qeshur. Por, besoj bie dakord me ne, që ky nuk duhet të jetë qëllimi. Nisemi nga episodi i kaluar, teksa gjatë bisedës me Elvanën, moderatori përmendi me ironi disa herë radhazi emrin e Bes Metanit, që me demek ishte shkaku pse diva aktuale ishte skualifikuar asokohe nga “Ethet e së premtes mbrëma”. Po pra po, edhe Metani nuk e la pas dëshirën për të qenë pjesë e skenës dhe ekranit, pavarësisht se i mungojnë ca asete për t’u shndërruar në yll botëror. Ç’t’i bësh? Nuk ia ka lënë mangët as ky i fundit dhe i lumtë dora: “Sa për zërin tim, o zoti këngëtar, unë s’di si të marrin kompjuterat përsipër ty”,- kështu do ta përfundonte statusin Besi, kështu do ta përfundojmë komentin edhe ne. OUT Mamaq, ndodh edhe kështu!

I ka rënë pikës dhe kur e flet dikush që e njeh realitetin nga brenda, ne të tjerëve na mbetet veçse ta pranojmë. Është e trishtë, por e vërtetë dhe hidhuni përpjetë sa të doni, nëse nuk pranoni ta shihni me këtë sy. Aulona e ka nisur karrierën herët dhe ka ecur gradualisht, por pavarësisht aftësive si moderatore zakonisht i janë besuar programe “limonadë”. Kjo ndodh me shumicën e zonjushave elokuente, të shkathëta, që natyra u ka dhuruar bukuri natyrale dhe nuk kanë pranuar silikonin…ecin, ecin dhe vjen një pikë që ngecin. Pse? Sepse prime – time u besohet gocave me më shumë ndjekës në Instagram, kukullave Barbi që janë modifikuar sipas qejfit të “publikut” (atyre bosave sponsorizues). “Për fat të keq, sot - dhe këtë e them me bindje - pjesa më e madhe e atyre që janë në ekran nuk janë në bazë të meritës, por janë sepse kanë aftësi të tjera, jashtë ekranit, te zyrat e shefave, aftësi gojore, por jo në ekran se në ekran belbëzojnë zakonisht”, - tha Aulona me plot gojë në intervistën e saj të fundit. E moj vajzë, po u dashka alamet aftësie… ti mirë që e the se të paktën nuk do kenë shpresa të kota edhe të tjerat, ato të “paaftat” në këtë zhanër. Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani e mjerë mileti… i thonë këtij muhabeti! IN për sinqeritetin.

Nëse e ka pasur pa nënkuptim dhe është shprehur troç fare, pa diskutim e meriton një IN. Nëse e ka hedhur larg e larg, se me thënë të drejtën ajo vdes pak për vëmendje, atëherë ndryshon puna. Ne do t’i mbetemi versionit të parë, si për të përcjellë edhe një mesazh të përgjithshëm. Programe pa fund, televizione me shumicë, portale që shtohen si kërpudhat pas shiut…kudo sheh të njëjtat fytyra, dëgjon të njëjtat fjalë nga të njëjtët zëra dhe prodhohen “lajme” nga halli, meqë nuk kanë shqiptarët si ta mbushin kohën e lirë. A është normale kjo? Rozi Radi shkroi: “Ju lutem, më kuptoni kur nuk pranoj të vij në emisione televizive dhe të jap intervista nëpër portale. Nuk kam çfarë të them, vetëm të filloj të shpik gjëra”. E sa kanë shpikur moj motër e sa do të vazhdojnë akoma thuaj! Veç ka një anë pozitive kjo: kushdo që ka dëshirë të bëhet i njohur sot në vendin tonë, të gjitha rrugët i ka të hapura. E mrekullueshme!

Është e zgjuar, nuk ke çfarë t’i thuash. Po është edhe e talentuar, ndaj i ka ngjitur shkallët nga pesë e nga gjashtë, për të kapur majat e suksesit. Madje, Dua nuk la çmim pa rrëmbyer, aq sa vazhdon të na bëjë krenarë dhe vetëm krenarë! Po njësoj ndodh edhe me këngëtaren Rita Ora, përveç një vërejtjeje të vogël sa i takon veshjes së ekzagjeruar. Në koncertin me rastin e 10 – vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Rita kuqezi e kishte tejkaluar pak masën e mishit zhveshur. Ndaj, Dua ka postuar një foto epike, që sigurisht ironizon performancën e biondinës kaçurrelëse. A nuk është për të qeshur dhe e ka qëlluar fiks? Fantastike ajo, fantastik sensi i saj i humorit… Bravo Dua!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.