Unë, gruaja e dytë e burrit tim

Gazeta Paloma - - Front Page -

Kur e shkrova këtë letër u ndjeva deri diku e vetmuar. Ideja ishte që të shkruaja diçka për uljet dhe ngritjet e një martese dhe vendosa të ndaja eksperiencën time si gruaja e dytë e burrit tim.

Për shumë kohë mendoja se isha e vetmja me këto ndjesi dekurajimi dhe mllefi brenda vetes, por në fakt kam kuptuar se jo. Nganjëherë përpjekjet e shumta që bëjmë për të lënë të shkuarën pas na kthehen në të kundërt dhe na përndjekin. Ka copëza jete apo momente që dalin në sipërfaqe në shumicën e martesave të dyta. Disa çështje duhen trajtuar qetësisht dhe me bindje, ndërsa disa të tjera duhet të diskutohen me profesionistë. Marrëdhënia e bashkëshortit me gruan e tij të parë mund të ketë një ndikim të madh në lidhjen tuaj.

Një nga gjërat më të vështira që më është dashur të përballoj është fakti se bashkëshorti im kishte fëmijë para se të më njihte mua. Ai ka tre fëmijë nga martesa e tij e parë dhe e ka kaluar procesin e shtatzënisë së gruas dhe lindjes tri herë tashmë. Kur unë ngela shtatzënë, ai thjesht tundi kokën dhe më përcolli. Shtatzënia ime nuk ishte aspak speciale; ai i kishte përjetuar të gjitha më parë. Në fakt, kur më prezantonte me miq të tij, gjithmonë fliste shumë i emocionuar për fëmijët e tij, pa më prezantuar mua apo edhe pa treguar se prisnim një fëmijë tjetër. Ndihesha si gomë rezervë, fëmijët e tij ishin prioriteti kryesor. Më ktheu kurrizin mua dhe fëmijës tonë.

Shumë gra të dyta besoj ndihen si unë. Ndihemi të lënduara kur bashkëshortët tanë nuk interesohen për shtatzëninë tonë. Na mungojnë lotët e tyre kur fëmija ynë i parë vjen në jetë. Na mungon emocioni i pritjes së ëmbël. Nganjëherë mërzitemi sepse vjehrrat nuk vijnë në spital për të njohur beben e re. Ndonjëherë madje ato janë kundër idesë që ai të ketë fëmijë të tjerë.

Një grua e dytë ndihet e lënduar, e vetmuar dhe konfuze. Duke qenë gjithmonë e neglizhuar fillon dhe bëhet një njeri i hidhur, edhe kur i kërkohet që të kujdeset tepër për fëmijët e burrit. Ajo mund të nxehet nëse aftësitë e saj si prind krahasohen me gruan e parë dhe ajo ndihet gjithmonë si një pjatë e dytë.

Ajo mund të grumbullojë shumë mëri brenda vetes për fëmijët e burrit dhe nuk mundet të diskutojë për këtë gjë, sepse kjo çështje është tabu. Shumë femra ndihen shumë fajtore për këtë çështje dhe lejojnë që kjo ndjenjë t’i gërryejë përbrenda, në vend që të flasin dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë. Shumë shpesh burrat nuk e kuptojnë se çfarë i mundon aq shumë gratë e tyre.

Një grua e dytë mendon shpesh se çfarë ka pëlqyer në fillim ai te gruaja e tij e parë. Mund të ndiejë edhe se ai e ka tradhtuar, edhe pse “ajo tjetra” ka qenë gruaja e tij. Edhe nëse ai nuk e bën, një grua e dytë fillon të krahasojë veten me të parën. Ajo mund të shqetësohet dhe fillon të mendojë se ai do të humbë interesin për të, siç e humbi për gruan e parë.

Gjërat kompl ikohen shumë nëse ai nuk është i zoti që të ofrojë mbështetje për të dhe fëmijët e tyre. Ajo, gruaja e dytë, fillon të ketë mëri ndaj burrit, gruas së tij të parë dhe fëmijëve të tyre. Ajo do të fillojë të dyshojë te vetja dhe mbase edhe do të pendohet që është lidhur me një njeri të tillë.

Nuk më pëlqen të jem e dyta, por fakt është se jam e tillë. Të dy kemi pengje nga e kaluara. Jemi të lënduar dhe e vëmë veten në dyshim. Dy shpirtra bëhen bashkë dhe kur ndodh divorci, ajo që mbetet nuk është asnjëherë e plotë. Mua më mbeti ajo që kishte lënë gruaja e tij e parë. Jam e trishtuar dhe më vjen edhe turp ndonjëherë. Ka ditë kur kam frikë se po bëhem ajo gruaja e hidhur që nuk kam dashur kurrë të jem.

Jam e dyta dhe kjo nuk është e lehtë. Për ata që janë rimartuar, meshkuj apo femra, jepini partnerit gjithçka që keni dhe përpiquni me gjithë shpirt që të mos i bëni të ndihen si pjatë e dytë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.