A mund të hap gjyq për anulimin e shitjes së shtëpisë?

Gazeta Paloma - - Front Page -

A kam të drejtë të jetoj në shtëpinë e vjehrrit, edhe pse ata nuk më duan?

I nderuar avokat, në qershor të 2008- s bëra celebrimin me të dashurin. I ati edhe ishte, edhe s’ishte dakord. I ati s’e lejon djalin të më çojë në shtëpi se s’kam familje “të mirë”. Ata jetojnë në qytet, kanë një djalë më të madh, beqar. I fejuari rri herë në shtëpinë time, herë tek i ati. Më thuaj të lutem, kam të drejtë të jetoj atje? Më thonë të shkoj atje, do apo s’do ai se më takon. Ka të drejtë të më ofendojë apo të më nxjerrë jashtë nëse vete? Edhe prindërit e mi sikur s’po durojnë më, i kuptoj. Ju lutem më ndihmoni me përgjigjen, më ktheni përgjigje numrin e ardhshëm. Në bazë të përgjigjes suaj do të veproj. Faleminderit!

- E nderuar lexuese, martesa që keni lidhur ju dhe bashkëshorti juaj është plotësisht e ligjshme dhe si e tillë sjell edhe pasoja në të drejtat dhe detyrimet që ju keni ndaj njëri- tjetrit. Një ndër detyrimet kryesore që kanë bashkëshortët me njëritj etrin është edhe detyrimi për një jetë të përbashkët. Kjo nënkupton që bashkëshortët duhet të jetojnë në një banesë të përbashkët. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht që banesa të jetë në pronësi të të dyve apo që banesa të jetë në pronësi të ndonjërit prej bashkëshortëve, por thjesht që jeta e përditshme të jetë e organizuar në një banesë të qëndrueshme kolektive. Po të rikthehemi te problemi juaj, duhet të kuptojmë një gjë: nëse për ju nuk është problem që të jetoni në banesën tuaj, mund të qëndroni atje bashkë me prindërit tuaj dhe me bashkëshortin. Gjithsesi, meqë ju doni të jetoni në shtëpinë e bashkëshortit tuaj, duhet të jeni të sigurt për një gjë, që bashkëshorti juaj të jetë bashkëpronar i shtëpisë ku jeton me prindërit. Në rast se është bashkëpronar, atëherë ai ka të drejtë të jetojë atje, por meqë ai është i martuar me ju dhe ka detyrimin që të jetojë me ju, atëherë ka edhe të drejtën që në banesën ku jeton vetë të jetojë me ju. Kushdo që kufizon këto të drejta dhe detyrime e bën në mënyrë të paligjshme dhe për këtë ju mund t’i kërkoni gjykatës që të pushojë cenimin e këtyre shkeljeve të të drejtave. Në rast se bashkëshorti juaj nuk është bashkëpronar në shtëpinë e prindërve të tij, atëherë ata kanë të drejtë që të mos lejojnë hyrjen e tij apo të personave të tjerë, që mund të jeni edhe ju, në pronën e tyre. Gjithsesi, gjendja e pronësisë shikohet në certifikatat e pronësisë që lëshon Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Nga ana tjetër, asnjë njeri nuk ka të drejtë t’ju ofendojë në asnjë lloj mënyre. Fyerja dhe shpifja janë dy vepra penale për të cilat personat mund të ndiqen penalisht nga organet kompetente. Në rast se dikush ju fyen mund t’i drejtoheni prokurorisë së rrethit dhe të bëni kallëzimin penal. Shpresojmë t’ju kemi ndihmuar me këtë përgjigje.

A mund të hap gjyq për anulimin e shitjes së shtëpisë?

I nderuar avokat, jam martuar në vitin 1991. Pas dy vjetësh unë dhe burri blemë një shtëpi, e cila u hipotekua në emër të tij. Pas dy vjetësh, patëm probleme në familje dhe im shoq e vuri shtëpinë në emër të motrës së tij, pra sikur ia shiti asaj. Kjo u bë në 1996- n. Faktikisht shtëpia është e jona akoma, por në emër të saj. Doja t’ju pyesja, a ka pasur im shoq të drejtë ta shesë pa pëlqimin dhe firmën time? A mund të hap unë gjyq që të bëj anulimin e shitjes dhe të rikthe- het siç ka qenë? Këto gjëra ai i bëri që në rast ndarjeje unë të mos përfitoja shtëpi. Ju faleminderit!

- E nderuar lexuese, në parim ju keni të dre jtë të kërkoni anulimin e kontratës që bashkëshorti juaj ka lidhur me motrën e tij, kontratë e cila në këtë rast është fiktive ( e simuluar). Dhe si e tillë mund të goditej normalisht duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë së saj nëpërmjet gjykatës.

Ka një problem në rastin tuaj, pasi koha që nga lidhja e kontratës fiktive deri sot ka kaluar afatet e parashkrimit sipas Kodit Civil, që në këto raste është 5 vjet. Pra, që nga çasti që ju keni marrë dijeni për lidhjen e kësaj kontrate ju keni pasur të drejtë të kërkonit konstatimin e pavlefshmërisë brenda 5 viteve, afat i cili ka kaluar. Në këto rrethana, nuk mund ta kërkoni më pavlefshmërinë.

Ju këshillojmë që të konsultoheni me një avokat për të verifikuar të gjitha faktet dhe mundësitë për të kërkuar pavlefshmërinë e kësaj kontrate fiktive edhe në rrugë të tjera përveç fiktivitetit. Besojmë se jeni orientuar lidhur me pyetjen tuaj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.