Unë do të vdes, por....

Gazeta Paloma - - Histori -

Të dashur lexues të gazetës “Paloma”, shumë herë kam lexuar historitë tuaja, por nuk kam menduar se do të isha edhe unë pjesë e kësaj rubrike. Por ja që fati të rezervon shumë gjëra, që nuk mendon se do të të ndodhin ndonjëherë.

Edhe unë, si çdo vajzë tjetër, rashë në dashuri me një djalë që quhej Besi. Me të kam kaluar çastet më të bukura të rinisë, çaste që nuk do t’i harroj kurrë, derisa të prehem pranë tij në parajsë.

Kur njoha Besin isha një vajzë e padjallëzuar dhe e papërballur me jetën. Ai gjithmonë më shihte, por asnjëherë nuk më kishte folur deri në ditën kur u takuam në një festë që kishte organizuar shoqja ime e ngushtë. Ai më ftoi të kërcënim. Mjaftoi aq për të kuptuar që ndieja diçka për të.

Aty nisi gjithçka. Filluam të takoheshim përditë pas mësimit dhe çdo ditë që kaloja me të, ndieja se e doja gjithnjë e më shumë.

Kaluam së bashku katër vite të mrekullueshme. Çdo gjë ishte në rregull dhe kishim vendosur që të fejoheshim. Një ditë, kur po dilja nga shkolla, pashë shokun e tij, të cilin nuk e pëlqeja fare. Ai më ndaloi dhe më tha që Besi po më tradhtonte me motrën e tij.

Gjithçka m’u nxi dhe desh më ra të fikët. E mora menjëherë në telefon dhe i thashë se nuk doja ta shihja më me sy. Ai u mundua të më pyeste se çfarë kisha, por nuk e lashë dhe i mbylla telefonin. Për disa javë nuk folëm, por një ditë vendosa t’ja hapja celularin. I thashë që nuk do e falja kurrë për tradhtinë e tij. Ai më tha se më donte dhe se kurrë nuk më kishte tradhtuar. Nuk i besova asnjë fjalë. E shava dhe i kërkova të zhdukej nga jeta ime.

Fillova të qaja me të madhe, por u betova që nuk do të derdhja më asnjë lot për të, pa e ditur se do të qaja gjithë jetën për të.

Disa orë më vonë më erdhi një telefonatë nga motra e Besit, e cila më tha që ai kishte pësuar një aksident dhe ishte gati duke vdekur. U nisa si e çmendur për në spital. U ula pranë tij, por ishte shumë vonë. Besi vdiq në duart e mia.

Gjatë varrimit të Besit erdhi dhe shoku i tij. Ai m’u afrua dhe më kërkoi të falur, pasi ishte gabuar për atë që më kishte thënë. Fillova të ulërija dhe e godita me sa fuqi që kisha. Të gjithë u kthyen nga ne dhe po na shikonin, por unë nuk e mbaja dot veten. I thashë që ishte tepër vonë për të kërkuar falje, pasi tashmë Besi kishte vdekur për fajin e tij.

Doja kaq shumë t’i kërkoja Besit falje për gjithçka ndodhi, por ja që nuk kam se si. Që nga ajo ditë jeta ime është bërë një ferr i vërtetë. Kam hyrë në rrugë të keqe, pasi ndjenja e fajit po më çmend. Do të doja që shoku i tij më mirë mos të më kishte thënë fare që ishte gabuar. Më ka shkatërruar jetën.

Për një gjë jam e lumtur, të paktën së shpejti edhe unë do të vdes, pasi vuaj nga SIDA, të cilën e mora nga përdorimi i drogës. Shumë shpejt do të jem pranë Besit dhe do t’i kërkoj falje.

Shpresoj të më kuptoni sado pak se sa po vuaj në ditët e mia të fundit.

Të gjitha vajzave të dashuruara u them: Bëni kujdes se njerëz të ndyrë si ai ka shumë, por njerëzt e mirë si Besi janë të paktë. Ju përshëndet, vajza e lënduar, Kejsi Tr.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.