Të dashurosh me shpirt personin e gabuar

Gazeta Paloma - - Histori -

Desha të vdisja atë pasdite. Mora një gozhdë dhe e futa në vrimat e një spine. Doja që jeta të mos vazhdonte pa Arin. Kur gishtat e mi iu afruan gozhdës, ra zilja e telefonit. Ishte një SMS nga Ari. Zemra më rrahu fort. Kisha frikë ta lexoja. Më shkruante se i bëri përshtypje që e pyeta nëse ishte lidhur me një tjetër. Më tha se e vërteta ishte se asaj ia kishin prishur (pra i kishin folur keq për mua). Gjithashtu thoshte se nuk është se nuk më donte, por jo aq sa e doja unë. O Zot, nuk mund ta besoja, Ari më donte. Vendosa të mos i ktheja përgjigje, kisha frikë se mos po tallej. Kështu kaluan disa ditë. Të enjten në vijim e mora në telefon dhe i thashë se të nesërmën doja ta takoja. Të nesërmen ( të premten) vajta në katin e katërt në pushim të gjatë. Ajo po fliste me një shoqen e saj. Nuk desha ta ndërprisja, kështu që e mora në telefon. I thashë se po e prisja, por ajo më tha mos ta prisja. Pas orës së pestë e prita përsëri. Kur u shfaq bashkë me një shoqen e saj. I thashë të priste, por ajo kaloi pa u ndalur. Gati sa nuk qava. Dola sipër në katin e tretë sepse kisha mbledhje. Ndërsa sot e kësaj dite thjesht po jetoj me kujtimin e saj. E di që është tallur me mua dhe me zemrën time. Gabimi im i vetëm ishte se e desha tepër. Dashuria e tepërt e dëmtoi, e bëri krenare se një djalë i klasit tim i vinte rrotull. Ajo kujtonte se ishte e zonja dhe e aftë për të më vërtitur rreth gishtit të saj. Sot sikur edhe të pendohet do t’i them se është tepër vonë. Me sa duket për atë kishte më tepër rëndësi të dëgjonte një breshkë sesa mua. Me sa duket, për atë kishte më tepër rëndësi të pastronte klasën sesa të më dëgjonte mua. Dhe kjo më dhemb edhe sot e kësaj dite. Unë nuk do të dua kurrë një njeri tjetër siç desha atë. Në atë mendjen time i vura kapak tërë historisë sime me Arin, por jo. S’paska qenë e shkruar nga Zoti të shpëtoj pa u shkatërruar shpirtërisht. Ndenja një javë pa kontaktuar me të. Më çoi zile teksa pija një kafe me shefin tim në kafenë pranë punës. S’po u besoja syve të mi. E mora në telefon dhe e pyeta se përse më çoi zile. Më tha “gabimisht”. Kjo më bëri të qesh. I thashë se më duket se e kishte marrë malli të më dëgjonte zërin. Më tha “po”. Po më fluturonte mendja. “Më në fund!”- mendova. “Dua të të takoj, duhet të flasim, ku mund të takohemi, nesër?” - thashë.

“Flasim nesër”,- më tha. Gati sa nuk bërtita nga gëzimi. Isha shumë i lumtur, nuk ma merr mendja që në ato momente të ketë qenë njeri tjetër më i lumtur se unë. Mendoja se më në fund po afronte fitorja. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhi. Të nesërmen e mora disa herë në telefon. I dhashë disa variante për t’u takuar. Më në fund më humbi durimi. Vajta te konvikti, i thashë se e prisja te fotostudioja ime. “Mirë”,- më tha. Vajta te studioja, i thashë shefit të dilte dhe të pinte një kafe pa i shpjeguar se përse. Dhe ai më respektoi dhe doli jashtë. Më në fund erdhi Ari brenda, bashkë me një shoqe të sajën ( Fatin). E dëgjova kur më tha: “Po, jam gati të lidhem me ty”. Nuk arrij ta përshkruaj dot lumturinë që po ndieja, mezi po përmbahesha pa bërtitur. Pranonte me kushtin që lidhja të mbahej e fshehur për një farë kohe. Pranova, pavarësisht se s’më pëlqeu. Fola gjerë e gjatë me të për planet që kisha për të ardhmen. I thashë gjithashtu se nëse donte më shumë kohë isha gati t’ia jepja gjithë kohën që i nevojitej. Por më tha se ishte e bindur. Më në fund u çova dhe i thashë se ishte më mirë të shkonin se do t’u fliste kujdestarja. U ngritën dhe ikën. Brenda hyri shefi. E përqafova fort nga gëzimi. Po arrija qiellin prej lumturisë. Por lumturia zgjati shumë pak......

Këtu fillon historia e vërtetë. Pasi mbarova orarin e punës, i dërgova një SMS ku i shkruaja se e doja shumë dhe e pyesja se sa më donte. Me ankth po prisja një përgjigje, që nuk e mora kurrë. Dyshimi po ma brente shpirtin. Hapa librat të lexoja diçka, por ishte e kotë. Çdo gjë që bëja më kujtonte Arin dhe heshtjen e saj. Gjërat po komplikoheshin. Në orën 22:22 të asaj nate e mora në telefon. E pyeta se si ia kaloi dhe se përse nuk më ktheu SMS. Më tha se përtoi. Ishte një përgjigje që më tmerroi. E pyeta nëse po tallej, por më tha jo. D. m. th e kishte seriozisht. E fika telefonin. Kjo ishte diçka që duhej sqaruar. Të nesërmen vajta të flisja me të. Përgjigja e saj ishte e ftohtë. E pyeta nëse kishte diçka që nuk shkonte. Por ajo mohoi me kokë. Ktheva kokën nga Fati por ajo rrudhi supet. U ndamë dhe thashë me vete më mirë të mos e ngacmoja më. Kjo ndodhi në 08 pa 10 minuta. Në 08:00 vajta te Fati me shpresën se mos zbuloja diçka më shumë, por pa rezultat. Ndër të tjera Fati më tha se ajo ishte mendje-fëmijë. Kjo më habiti, pasi nuk e kuptova arsyen se përse e tha. Nuk vonoi shumë dhe habia ime mori përgjigje. Në 08 e 10 minuta Ari më dërgoi SMS ku më thoshte se nuk mund të bëhej e dashura ime nëse babi i saj nuk e dinte. Unë kurrë nuk kisha e pretenduar një lidhje të tillë, nuk më trembte fakti se prindi i saj do ta merrte vesh lidhjen tonë. Por e dija se në ato anë vajzat rriteshin me një ndjenjë të thellë frike ndaj prindit të tyre, sidomos babait. Më dukej e pakuptimtë që Ari jetonte në një familje të tillë, mendoja se i ati, duke qenë një njeri i arsimuar, nuk mund të ishte anadollak. Por ajo që ma “zbukuroi” ditën ishte takimi pasdite. E mora në telefon aty nga ora 2: 00. Isha bërë si i marrë. Atë ditë nuk e kisha pasur mendjen fare te mësimi. Mora edhe një notë 4 në fizikë, por nuk u shqetësova fort, jo për ndonjë gjë por “shqetësimi” im i vetëm ishte Ari. Si shumë raste ne u takuam te studioja. Fati erdhi me të, por na priti te banaku. Nga mënyra se si murmuriste ca justifikime kot e shihja gënjeshtrën e saj të shfaqej hapur. Ajo nuk më donte mendoja, por ma kishte thënë fjalën po vetëm për të mos më humbur mua durimi me të. E pyeta se si kishte fytyrë të më dilte përpara, pas fjalës “përtova” që më kishte thënë. Ajo nuk foli. E ngrita zërin. Ajo përsëri heshti.

Gjithë pasditen vrava vetminë me Edin, shokun tim. Erdhi mbrëmja. Vajta te shtëpia ime, ndieja shpirtin si më ftohej. Atë natë qava shumë. Vëllai u zgjua nga dënesat e mia. Më pyeti nëse qaja për Arin, por nuk doja t’i përgjigjesha.

Të nesërmen prita të flisja me të. U ndal në katin e katërt. I thashë se doja dhe kisha nevojë ta takoja.

- Ku mund të pimë një kafe? - e pyeta. Ajo tha se do të vinte përsëri te studioja. E prita, por ajo nuk erdhi. Erdhi e premtja. Ishte data 18 maj, dy ditë para ditëlindjes së saj të shtatëmbëdhjetë. Prita ta shihja, por ajo m’u shmang me sukses. Iku, por unë e mora të dielën në telefon dhe i urova ditëlindjen. Ajo nuk u përgjigj me ndonjë mirënjohje të veçantë. E pyeta se çfarë donte t’i dhuroja të hënën, por ajo më tha se nuk donte asgjë. E pyeta nëse kishte folur me motrat apo babin. Ajo tha jo. E fika telefonin dhe e përplasa për dysheme. Mora një copë letër dhe bëra një tip bilanci për shanset e mia për të qenë i lumtur me Arin. Me sinqeritet them se vetëm atëherë kam kuptuar se ku isha. Më vinte vërtet keq për veten time. Vendosa t’i jepja fund asaj pak lidhjeje që ekzistonte. Erdhi ditëlindja ime. Kjo ishte kulmi i së ligës dhe mashtrimit. Në mëngjes, në orën 6: 30 më erdhi një SMS nga Ari. Më uronte realizimin e të gjitha ëndrrave dhe jetë të lumtur. Por jeta ime nuk mund të ishte e lumtur pa Arin, kështu mendoja. Nuk i ktheva një përgjigje falënderuese. E mora në telefon në pushimin e gjatë dhe i thashë se doja të rrinim bashkë me rastin e ditëlindjes sime. Pranoi, por u deshën disa përpjekje për t’ia arritur asaj fjale. Më në fund u takuam te një lokal. Aty ishim edhe bashkë me një shok dhe shoqe të të dyve, pra njerëz të brendshëm. Me Edin ndenjëm pasdite, por ai nuk më mbështeste më. Më tha: “Jepi fund kësaj marrëzie, nuk kalohet kështu gjithë jetën, na çmende neve dhe veten”. Të nesërmen në mëngjes vendosa t’i jepja shansin e fundit. Vajta te klasa e saj. E thirra dhe ajo erdhi. I thashë: “Ari, po të jap shansin e fundit, shko fol me njerëzit e shtëpisë tënde ose më lër të flas mua me babin tënd sot”. Ajo tha: “Jo, flas unë gjatë fundjavës”. Iu luta të më lejonte të flisja me babin e saj, por ajo këmbënguli për jo. Atëherë i thashë se vërtet nëse të hënën në mëngjes nuk e kishte të mbaruar si çështje, gjithçka merrte fund. Dhe në fund i thashë: Gëzuar 1 qershorin! Qeshi. I thashë se nëse donte të më vërtetonte se nuk ishte fëmijë duhej ta bënte këtë hap. Mezi erdhi e hëna. Në mëngjes e mora në telefon dhe duke m’u dridhur goja e pyeta se çfarë kishte thënë babai. Për një çast ndali koha. Ari më tha se nuk kishte folur me të atin apo motrat. E ndërpreva bisedën telefonike. Me shpirtin copë shkova në shkollë. I dërgova një SMS: “Moj e pabesë, ti sikur ma dhe fjalën se do të flisje me ata. Por nuk ke nga ta dish se çfarë është besa, mirditore hesapi”. Me këtë SMS mbaroi çdo gjë. Dhimbja, ndjenja, zhgënjimi, iluzioni, frika, ankthi, pritja dhe një kompleks ndjenjash që nuk përshkruhen dot me fjalë. Askush nuk do ta dojë siç e kam dashur unë. Por unë do të arrij të dua ndonjë njeri tjetër siç desha atë, mbase edhe më shumë. Jeta është e gjatë Ari!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.