IDENTIFIKIMI MË I BUKUR:

MOTRA E GRETËS!

Gazeta Paloma - - Front Page -

Intervistat me Eni Koçin janë të rralla dhe kjo jo se nuk ka çfarë të thotë, por është përzgjedhëse. Ka vendosur t`i kushtohet punës, karrierës dhe biznesit. E gjen tërë kohës me koncerte, regjistrime këngësh, udhëtime (madje edhe intervistën e ka shkruar në I-Pad teksa ishte rrugës për një koncert jashtë shtetit). Tregohet mjaft direkte dhe nuk bën devijime (të forta) kur e pyesim për dashurinë, mamanë, muzikën, rrjetet sociale dhe projektet muzikore të 2018-s.

Eni, sa ngjyra ka klipi yt! E di që dukesh super?

-Faleminderit! Rëndësi që kënga dhe klipi i fundit janë pëlqyer tepër, ndaj jam dhe shumë e kënaqur.

Me këngën “Jemi dashtë”, mos u jep zë lajmeve rozë që qarkullojnë për ty ku çdo gjë ka mbaruar dhe je nostalgjike?

-Ah, këto lajmet rozë (qesh)! Këngët përgjithësisht i realizoj në përputhje me atë çka njerëzit kërkojnë dhe duan të dëgjojnë, s`ka të bëjë me asgjë tjetër.

A ndjell ters kur në një këngë (edhe pse ka ndjenja të vërteta) përfshin pjesë nga jeta jote e përditshme?

-Nuk ndodh!

Të rri shumë për shtat “Black Fish Entertainment”. Mendon se të kanë kuptuar ty si artiste apo ka qenë rastësi?

-Unë dhe Greta përfaqësojmë studion tonë “United Records” në Tiranë, ku dhe prodhohen shumica e këngëve tona. Për videot tona kujdeset “Black Fish Entertainment”, por sigurisht mes dy studiove ka bashkëpunim dhe shkëmbim idesh, le të themi njëlloj ekipi që punon fort.

Ti nuk identifikohesh si Eni, motra e Gretës (siç ishte në fillim), por Eni Koçi. Kjo do të thotë se ka ardhur koha jote?

-Ka disa raste që thonë “Ja dhe Greta, motra e Enit”. Bëj shaka, Greta ka qenë mbështetja ime më e madhe që nga fillimi dhe vazhdon të jetë, ndërsa për mua, sado lart të ngrihem profesionalisht, identifi- kimi më i bukur do të jetë gjithmonë “motra e Gretës”.

Përflitesh shumë edhe për bukurinë. Nga ana tjetër, a ndihesh keq që në çdo dy lajme, një është për pamjen e jashtme?

- Ndihem pak ndonjëherë, them që kjo puna e paraqitjes të prish edhe punë. Njerëzit s`janë kurrë të kënaqur me asgjë, keq të përflitesh për paraqitje e keq mos të përflitesh. Për mua rëndësi ka të sjell muzikë të mirë, paraqitja është sekondare.

Në disa foto që ke postuar në rrjetet sociale rezulton që je një llupëse e paparë. Kjo do të thotë se nuk mban fare dietë?

-Llupëse e madhe jam. Por këto kohët e fundit kisha shtuar disa kg, kështu që i kam hyrë një diete që ma mori shpirtin. Por besoj se do t’ia vlejë.

Mamatë janë gjithmonë perfeksioniste për bijat e tyre, nuk kënaqen asnjëherë. Të stimulon apo të prish punë perfeksionizmi i saj?

- E njeh Afërditën më duket. Mami është çelësi i suksesit tim dhe të Gretës, kaq di të them.

Kohët e fundit ka dalë një “modë” e re. Personazhet VIP jo vetëm që i lexojnë, por u kthejnë përgjigje komenteve negative në Instagram. Ti ç`mendim ke? E ke bërë?

-Jo, nuk e kam bërë dhe nuk e kam në plan të merrem. Njerëzit që rrinë e shajnë nëpër rrjete sociale për mendimin tim kanë një jetë të mërzitshme për veten e tyre dhe s`kanë çfarë bëjnë gjithë ditën e ditës, por të merren me njerëzit që luftojnë dhe arrijnë sukses.

“Artistë ka bota, jo Shqipëria që i shohim edhe në lagje”. Çfarë mendon kur dëgjon komente të kësaj natyre?

- Shqipëria ka super artistë, por këtu artistët nuk vlerësohen siç e meritojnë dhe kjo është për të ardhur keq. Bota e vlerëson artistin shumë, punën që bën dhe artin që përcjell. Ne armikun nuk e kemi pasur kurrë të jashtëm, por brenda vendit tonë, shqiptari me shqiptarin, siç përmendëm edhe më lart komentet plot dashakeqësi për shumë artistë. Fatkeqësisht, shumë artistë me plot vlera nuk vlerësohen siç duhet, duke filluar nga artistë të mëdhenj me të cilët jemi rritur e deri tek artistët e ditëve të sotme. Uroj që Shqipëria dhe shqiptarët të bëhen edhe më artdashës dhe të vlerësohen perlat që janë lindur e rritur në skenën

shqiptare.

Ti mendon se publiku bëhet për vete duke dhe jo ty apo t`i orientosh kah zhanrit tënd të preferuar?

-Muzika që është e bukur, është e bukur, për mua s` ka rëndësi gjuha, zhanri. Një muzikë e bukur do të pëlqehet gjithmonë (qesh).

A është biznesi një pikë e fortë e jotja për të jetuar në luks?

-Unë e kam pasion punën që bëj, por edhe profesion normalisht. Ajo që unë dua është të bëj një punë të mirë, të përcjell muzikë të mirë dhe gjithmonë të kem një jetë të qetë. Qetësia është thesar - thonë.

Ka shumë raste kur kolegë të kërkojnë t`u postosh videot e këngëve të tyre në Instagram. Kjo është qokë për t`u bërë apo ndjeshmëri profesionale? Ka thika pas shpine në këto raste?

- Unë kam dëshirë të jem e pastër në gjithçka, që nga klikimet reale në Youtube ( 95% e këngëtarëve fatkeqësisht i blejnë masivisht) e deri te respekti që u bëj kolegëve. Në momentin që më pëlqen kënga, unë ua shpërndaj me kënaqësi.

A ke pasur ndonjëherë frikë të guxosh në art? Deri në ç`pikë për ty guximi është i shëndetshëm?

-Deri në atë pikë ku nuk del jashtë loje logjika.

Sa herë në ditë takon njerëz që quhen Genc?

-Rrallë...

Koncertet tregojnë suksesin e një artisti. Ky vit sa afër fansave të tu do të të gjejë?

-Më afër se asnjëherë më parë. Do të jetë një vit shumë i bukur, me angazhime dhe me koncerte e projekte të reja.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.