KUR I RRITURI BËHET URË LIDHËSE APO SHKATËRRUESE PËR ADOLESHENTIN

Gazeta Paloma - - Psikologji -

Të qenit prind është vetëdije e fuqishme e njeriut për njeriun, është vetëdije që qëndron mbi lodhjen dhe sakrificën. Njeriu kur bëhet prind fillon të mësojë dhe zhvillojë diçka shumë të rëndësishme në jetë, të bërit të gjërave pa sakrifica dhe lodhje. Të bërit të gjërave nëpërmjet përgjegjësisë dhe vullnetit, ku detyra nuk është më bezdi, por zgjedhje. Ai, njeriu, fillon të përdorë me zhdërvjelltësi “zgjedhjen” e ndjesive, fjalëve dhe veprimeve. Njeriu tashmë prind shmang vorbullën e ndjesive në veten e tij dhe çdo minutë, çdo orë, çdo ditë dhe përgjithmonë, udhëhiqet nga vetëdija e të qenit prind. Lodhja dhe sakrifica janë pjesë e këtij procesi, por nuk duhet të udhëheqin dhe dominojnë këtë marrëdhënie dhe udhëtim në kohë.

Uollter Benjamin ka shkruar: “Edukimi është rregullimi i raporteve mes brezash”. Pra, edukimi është rregull. Format e tjera, si diktati, dhuna apo dhe butësia e tepërt, ku nuk ka rregulla dhe modele, nuk bëjnë pjesë në edukim. Ato janë ose ushtrim pushteti mbi tjetrin ose përtesë dhe neglizhim, edhe pse janë prindër dhe fëmijë.

Të rriturit, pa dallim, të shkolluar apo jo, prindër apo profesionistë, mësues e gjuhëtarë, kur flasin me fëmijën i drejtohen në “thirrore”, që nuk bën pjesë më në gramatikën shqipe. Kujtoni: “O çuni, dëgjo këtu”! Gjithashtu përdorin vetëm fjalitë në formën urdhërore dhe pyetëse. Sidomos këtë të fundit e përdorin sa herë janë të nxehur dhe do të fillojnë sulmin kundër fëmijës. Ajo që është më e habitshme, në shkollë mësuesit u mësojnë nxënësve se forma më cilësore për të dialoguar është fjalia dëftore, por për çudi ata vetë, kur u flasin e u drejtohen nxënësve, përdorin formën urdhërore e pyetëse. Këtë formën dëftore nuk e përdorin që nuk e përdorin. Ka ardhur koha që ne të rriturit të fillojmë të përdorim fjalinë dëftore nëse vërtet duam që nesër fëmijët të bëhen më qytetarë e të edukuar se ne.

Identiteti i njeriut ndërtohet nëpërmjet tjetrit. Ashtu siç vijmë në jetë nga tjetri (prindërit), ashtu edhe identiteti ndërtohet nëpërmjet njohjes nga tjetri, por me kushtin që ai tjetri të jetë si pasqyra ku njeriu duke u parë zbulon parregullsitë dhe i korrigjon vetë ato. Identiteti i njeriut fillon të ndërtohet që me lindjen e tij, fillon me njohjen e gjinisë dhe vazhdohet me emrin, emrin e familjes (mbiemri), me shenjat fizike, elemente të sjelljes dhe profesionin apo moshën. Në adoleshencë, njeriu, edhe pse i rritur fizikisht, ika dentitet adoleshent. Me fjalën adoleshent duhet kuptuar se proceset e rritjes, si ato psikoemocionale po ashtu edhe ato fizike, ende nuk kanë përfunduar, ato vazhdojnë të zhvillohen. Megjithatë, disa karakteristika që janë vetëm të këtij individi mund të dallohen, si p.sh. të qenit kurajoz, i përqendruar apo i papërqendruar, i furishëm, sportiv, fjalëpakë apo llafazan. Në këtë moshë të jetës së njeriut, pra në adolesh- encë, koncepti i të mirës dhe të keqes është ndërtuar. Mirëpo shpesh, ai apo ajo, bën veprime që në dukje të lënë përshtypjen sikur nuk e njeh konceptin e të mirës dhe të keqes. Këto sjellje e veprime në fakt janë produkt i papjekurisë trunore që ende nuk e ka mbyllur ciklin e plotë të pjekurisë. Kështu ai nuk ka zhdërvjelltësinë dhe aftësinë e përzgjedhjes të veprimeve apo të fjalëve. Gjithashtu nuk duhen harruar edhe modelet që ofron dhe vlerëson mjedisi ku adoleshenti bën pjesë. Kjo është arsyeja që adoleshenti bëhet nervoz, bërtet apo largohet nga biseda, duke bërë skena të ndryshme si përplasje dyersh, ofendime sipas nivelit kulturor dhe gjuhësor apo mbyllje në vetvete. Në këto raste ndërhyrja apo qëndrimi i të rriturit, sidomos mësuesit, do të ishte ura lidhëse ose shkatërruese e adoleshentit me të ardhmen.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.