Një personazh shumë i njohur i skenës dhe i ekranit u përgjigjet pyetjeve tuaja

Gazeta Paloma - - Histori - Dërgoni pyetje me mesazh në cel: 068 27 66 166 ose e-mail: [email protected]

Ky skandali i fundit me hoxhën që kuronte femrat nga sëmundjet më ka lënë pa fjalë. Vetë jam besimtar dhe praktikant e nuk e konceptoj dot si mund të shfrytëzosh figurën e Zotit për paturpësi të tilla. Çfarë mendimi ke ti Mister X për këtë ngjarje? Ema, Tiranë. Përgjigje: E para nuk është hoxhë, por delenxhi. Ata që shkojnë tek ai janë teveqelë, tyryfylë, derdimenë. Ja po përdor edhe një fjalë shqip: humbameno! Lutem dhe uroj që një nga viktimat ta akuzojë për ngacmim seksual. Përshëndetje Mister X! Jam nëna e një vajze adoleshente dhe këtë javë më ra në dorë celulari i saj. Në atë moment i vjen një sms ku i shkruanin: “Zemër, del dot sot për t’u takuar?”. E mora numrin në telefon dhe m’u përgjigj një zë djali. E mbylla telefonatën dhe u zura me vajzën. Debati u ashpërsua, derisa ushtrova dhunë mbi të dhe i mora celularin. Tani nuk e lë më as të dalë nga shtëpia. Nuk e di nëse kam vepruar drejt, sepse u ndjeva shumë keq kur më tha që unë s’dija si të isha një nënë si gjithë të tjerat, që nuk u qëllonin vajzave të tyre. Ato fjalë më bënë të ndihesha tmerrësisht keq. Të lutem, më ndihmo me një këshillë! Miranda, Tiranë. Përgjigje: Mund të kishe bisedua më qetë me vajzën dhe çdo gjë do të kishte shkuar mirë e bukur. Nuk është sakrilegj që të ketë një shok a të dashur. Nuk vjen e keqja nga kjo. Mister X, e di që kur vjen puna te marrëdhënia nuse-vjehrrë, nuset janë ato që kanë më tepër faj, por në rastin tim është krejt e kundërta. Jam njohur me burrin tim para 10 vitesh dhe që prej asaj kohe vjehrra s’më ka dashur kurrë. Asnjëherë nuk më ka dhënë ndonjë arsye konkrete, as debate të drejtpërdrejta nuk kemi pasur, por ajo është gjithnjë ironike kur vjen puna tek unë. Pas vajzave të saj bën çdo gjë, kurse mua s’më ka thënë një fjalë të mirë asnjëherë. Para disa vitesh blemë një shtëpi me kursimet e përbashkëta, por në fund fare ajo iku bashkë më vjehrrin dhe jeton atje me vajzën e tyre që rrinte me qira deri në atë kohë. Edhe pse kanë ndodhur shumë ngjarje, përpiqem të jem korrekte me të, ama më duket sikur po shkel mbi veten time. Duke respektuar atë, respektoj edhe bashkëshortin, por po më sos durimi. Më thuaj si t’ia bëj me të. Lira Durrës. Përgjigje: Po ti e paske gjetur zgjidhjen. Ata jetojnë më vete. Tregohu e sjellshme dhe shkoni rregullisht për vizita me dhurata të vogla. Një herë në javë apo një herë në dy javë. Ajo do të ndryshojë. Mister X, ky sistemi i ri i arsimit po na i çakordon fare fëmijët. Me tri lendë në ditë, djali dhe vajza nuk janë të kënaqur, pasi një orë mësimi që zgjat 90 minuta e ul në maksimum vëmendjen e tyre. E di se për filloren ishte e vështirë nga numri i librave që duhej f të merrnin me vete, por kur janë më të rritur nuk mendoj se ky është një problem. Jemi shumë prindër që kemi këtë shqetësim dhe u përpoqëm t’ua shpjegonim mësueseve. Ato shprehen se nuk kanë gjë në dorë, sepse çdo veprim që bëjnë ka një shkresë të posaçme nga Ministria e Arsimit. Si mendon ti? Kujt duhet t’i drejtohemi në vazhdim? Përgjigje: Unë mendoj se e keqja në shkollën tonë ka rrënjë më të thella. Nuk është problemi te numri i orëve, por çfarë mësojnë. Në epokën e internetit dhe google, shkolla nuk duhet t’u mësojë thjesht njohuri/informacion, por mendimin e gjykimin kritik, modele, ushtrime konkrete, projekte bashkëkohore, më shumë gjuhë të huaja dhe mbi të gjitha të mësojnë të shkruajnë siç duhet. Mister X, sa herë hyj në dhomën e djalit, ai e mbyll menjëherë kapakun e laptopit. E di se mosha e adoleshencës ka ndryshimet dhe vështirësitë e veta, por kam frikë se mos gabon. Sa herë e kam pyetur më thotë se e mbyll atë sepse mbaron punët që kishte. E dimë të dy se kjo nuk është e vërtetë. Si të sillem? Më jep një ndihmë. Përgjigje: Që të mos ndodhesh më para një situate të tillë, para se të hysh në dhomën e djalit, trokit! Mister X, a nuk mendon edhe ti se çështja e Teatrit Kombëtar ishte një skandal i vërtetë? Pse duhet shteti t’i japë pronat publike një sipërmarrësi privat dhe të na shkatërrojë çdo godinë historike që kemi? Edhe stadiumi po e shohim se ka marrë një arkitekturë që i ngjan çdo gjëje, veç stadiumit. Çfarë mund të bëjmë ne që të ruajmë këto objekte? Po na varrosin historinë të gjallë. Përgjigje: Tani është vonë. Nuk ka ç’bëhet më. Kur i pari gjen katund pa qen, do të bredhë pa shkop! Duhej të kishte protesta masive që në rastin e stadiumit. Tani qani teatrin dhe blini shami të reja për të qarë “kurbanin” e radhës. O i madhi Mister X! U plakëm duke të të shkruar për hallet tona. E dimë që nuk je ti që do na i zgjidhësh, por të paktën të shfryjmë dufin që po na mblidhet çdo ditë. Po si more Mister X, edhe taksa për Rrugën e Kombit na duhej ne? Unë e bëj për punë atë rrugë dhe si mund të harxhoj nga xhepi unë lekët që mezi i fitoj për fëmijët e mi? Eh, halle çdo ditë në këtë vend! Beqiri nga Kukësi. Përgjigje: Taksë për mirëmbajtjen e rrugës duhet paguar. Jo aq sa e kanë vënë dhe jo me euro. Qeveria gabon që edhe mbledhjen e lekëve ia jep privatit. Mund t’i mblidhte vetë ato para dhe më pas të bënte tender për “përfundimin e rrugës”, për mirëmbajtje apo për çdo investim tjetër. Kaq e thjeshtë është. Çfarë ka bërë qeveria; ia ka dorëzuar një privati dhe i thotë: Po nuk mblodhe aq sa ti do, unë do t’i kompensoj këto lekë. Përshëndetje Mister X! Kur do ta vendosësh të dalësh në publik që të të shikojmë? U bë vite që ta kërkojmë këtë gjë. Je me të vërtetë i paparë. Gjithmonë përgjigjet e tua më kanë dhënë rezultat të mirë dhe po ju drejtohem përsëri. Kam një vajzë në zemër, por nuk kam mundur akoma t’i them gjë. Jemi shokë dhe rrimë ndonjëherë bashkë. E dua dhe po çmendem për të. Nuk kam pasur shumë femra në jetë dhe nuk kam shumë eksperiencë. Dua t’i shpreh dashurinë, por nuk di ç’t’i them ndonjë gjë që ta vë në mendime për mirë. Ju lutem më ktheni përgjigje këtë javë sepse ju kam shkruar edhe javët e kaluara. Me respekt, X. X. Përgjigje: Jepi të lexojë gazetën dhe thuaji: Një ditë na pret për kafe Mister X në Tiranë. Nëse bëheni bashkë të dy, do të bëhem “publik” para jush. Mister X, kisha kohë që e pëlqeja atë djalë. Kur më kërkoi të lidhesha, e pranova dhe isha shumë e lumtur. Në fillim çdo gjë shkoi shumë mirë, por pas disa javësh ai më la. Jam ende e dashuruar me të. Kohët e fundit ai po i flet shoqes time të ngushtë. Në fillim ajo kishte vendosur të mos dilte me të prej meje, por së fundmi duket se është lëkundur nga ky mendim. Nuk e di si do ndihesha po t’i shihja bashkë. E di që të gjithë më thonë të heq dorë prej tij, por unë e dua shumë. Do të bëja çdo gjë që të ktheheshim bashkë sërish. Si t’ia bëj? Përgjigje: Kam përshtypjen që në fillim do të duhet të heqësh dorë nga shoqja e ngushtë dhe të shohësh punët e tua. Pastaj do t’i vijë radha harresës së bandillit. I nderuar Mister X, jam një zonjë 30 vjeçe. Kam dy fëmijë: djali 12 vjeç, vajza 9 vjeçe. Problemin e kam me burrin, është bërë i padurueshëm. Merr rrogën, nuk e sjell në shtëpi, pi nëpër lokale. Mua më ofendon pa shkak në prani të të tjerëve. Dua ta ndaj por më vjen keq për fëmijët, nuk dua t’i ndaj nga njëri – tjetri. Ju lutem Mister X, përgjigjja juaj, ilaç për mua. Përgjigje: Kërcënoje me divorc dhe përgatitu që t’i shkosh kërcënimit deri në fund. Mister X, jam një vajzë 17 vjeç, sapo kam ardhur nga fshati. Të gjithë më shohin shtrembër. Unë madje u zbukurova, leva flokët, ndryshova modelin, u vesha bukur por prapë të gjithë më shohin çuditshëm. Pres përgjigjen tënde. Me respekt, Xhemilja. Përgjigje: Tirana ka parë shumë dhe po shesh shumë fasada. Nuk ka nevojë për fasada se ka shumë ofertë. Tirana vuan për mendje të bukura. Mendjet e bukura bëhen duke menduar e lexuar. E bën dot? Bëje mirë, bëje vetë! Mister X, përse është mbushur vendi me vajza të përdala? Po shkon vendi drejt Europës apo drejt gropës? Përgjigje: Po ty kush të ka vënë kujdestar të moralit publik? Mister X, kam një shoqe që shprehet shumë keq për të tjerët kur dëgjon diçka për ta. Na rastisi që për një shoqe tjetër të përbashkët dëgjuam diçka dhe ajo e hapi lajmin te çdo person i mundshëm. Kjo nuk më duket diçka normale për t’ia bërë dikujt, që të dyja, pak kohë më parë, e konsideronim shoqe. I kam folur shpesh për këtë gjë, sepse kështu ka për t’i larguar të gjithë nga vetja, por nuk më dëgjon. Çfarë të bëj? Jona, Tiranë. Përgjigje: Përgatitu mirë për ditën që do të dëgjosh nga të tjerët çfarë ka thënë ajo për ty! Mister X, çfarë mendon për të gjithë ata që mezi presin të shkojnë në një vend të bukur për ta reklamuar e për t’u mburrur nga pak në rrjetet sociale? A po jetohet sot jeta në çdo moment, apo po mendohet si të kënaqim të tjerët me fotot tona? Zamira, Berat. Përgjigje: Është sëmundje e kohës. Nuk i shijon më njeriut pjata e makaronave pa e postuar më parë foton në Instagram! Përshëndetje Mister X! Kam një problem të madh në familje. Jam e mar- tuar me djalin me të madh të familjes, mirëpo për shkak të një fatkeqësie im shoq e humbi logjikën dhe tani dy kunetërit e mi, bashkë me kunatat, duket sikur duan të ndërhyjnë në punët tona familjare. Fëmijët e tyre ofendojnë djalin tim, duke e etiketuar xhaxhanë e tyre dhe burrin tim si “budalla”. Mua më urdhërojnë, më japin ide për të cilat nuk është se kam nevojë, të them të drejtën. S’di çfarë të bëj. S’di se si t’i bind të largohen përfundimisht nga jeta jonë, pasi persona të tillë të pacipë dua t’i mbaj sa më larg nga vetja. Ti çfarë më këshillon të bëj? Përgjigje: Sot çdo sëmundje është e shërueshme, përfshi edhe sëmundjet mendore. Bëj çmos për një kontroll të mirë mjekësor në një klinikë të specializuar jashtë. A mund të ndihmojnë kunetërit për këtë? Mister X, unë jam një adoleshent i dashuruar me një vajzë të moshës sime, por të gjithë na thonë se dashuritë në këtë moshë nuk zgjasin. A është e vërtetë kjo gjë? Theksoj që duhemi shumë, por duket sikur na bie ai entuziazmi, kur dëgjojmë fjalë të tilla. Eriseld, Tiranë. Përgjigje: Në këtë moshë që je, mos shih të ardhmen, mos shih të shkuarën. Shijo të tashmen. Njerëzit që jetojnë me të tashmen, shijojnë më shumë dashurinë. Mister X, a mendon se mund të ndryshojë një person i fiksuar pas bixhozit, apo një person i varur nga droga dhe alkooli? Dona, Durrës. Përgjigje: Shumë vështirë. Shumë rrallë. Shumica e atyre që ndryshojnë, kthehen sërish në “vendin e krimit”. Huqi del me shpirtin. Përshëndetje! Nuk e kisha menduar kurrë që do të vinte dita që të shkruaja edhe unë këtu. Kam nevojë për ndihmën e fansave tuaj pasi jam në një dilemë shumë të madhe. Jam një vajzë 23 vjeçe e lidhur prej 20 muajsh me një djalë nga Tr. Në fillim çdo gjë nisi thjeshtë si një lojë, deri sa përfunduam të lidhur e të dashuruar me njëri-tjetrin. Çdo gjë vazhdonte mirë e bukur kur një ditë më tha se nuk mund të vazhdojë gjatë me mua (d.m.th. në fejesë) pse unë nuk jam e virgjër. Kjo pasi ne e kishim diskutuar më përpara këtë temë dhe ai di çdo gjë në lidhje me të kaluarën time dhe pasi më kishte prezantuar me gjithë familjen e vet. Që nga ajo ditë e vuaj shumë këtë gjë. Kam menduar se personi që kam unë në krah të më dojë për atë që unë jam, jo për një cipë. Pavarësisht sesa e lënduar jam ndierë, vazhdoj ta dua dhe të jem me atë njeri. Më duket e pamundur jeta pa atë. Kam frikë të mbetem vetëm. Ju lutem më jepni një mendim si të mund të dal nga kjo gjendje se më duket se po bie në depresion. Anonim ju lutem. Përgjigje: Ke zgjedhur njeriun e gabuar. Që të mos vuash duhet të shohësh jetën tënde, duhet të duash veten tënde, duhet të njohësh djem të tjerë derisa të mbërrish tek ai që do të të vlerësojë nga mendja. Mister X, jam një nuse, kam një fëmijë një vjeç. Ka 6 muaj që burri nuk fle me mua. Jam e bindur se ai nuk ka tjetër se ne duhemi. Ju lutem, çfarë duhet të bëj? Përgjigje: Po, si fillim duhet të pyesësh burrin për arsyen. Mund të mos ketë tjetër, por të detyrohet një shpjegim për këto 180 ditë. Përshëndetje! Jam 37 vjeçe, jam e martuar dhe kam 2 fëmijë. Para 5 vjetësh njoha një vajzë, brenda muajit u bëmë shoqe shumë të ngushta. Një ditë shkova në shtëpinë e shoqes dhe fjetëm bashkë. Kur m’u afrua ndjeva një rrahje shumë të fortë brenda meje. Nuk u mbajta dot dhe i kërkova të më puthte dhe ajo pa menduar dy herë më puthi. Që nga ajo ditë nuk rrinim dot pa njëra-tjetrën. Vazhdoi shumë gjatë, rreth 4 vjet, flinim bashkë te shtëpia e saj, u lidhëm aq shumë sa e lamë mënjanë shoqërinë, u bëmë një çift si burrë e grua. Unë e doja shumë, u bëra xheloze, nuk doja që të rrinte me njeri tjetër përveç meje. I premtuam njëratjetrës se nuk do të ndaheshim kurrë. Edhe pse ajo u martua, prapë më donte dhe lidhja jonë vazhdoi si më parë. Po bëhet një vit që jemi ndarë. U largua shumë shpejt nga unë. Flasim rrallë në telefon. Nuk e kuptova pse u nda nga unë. E kam pyetur, por nuk më kthen asnjë përgjigje. Ju lutem më ndihmoni, e dua dhe më mungon shumë. Kur rrija me të gjithë bota ishte e imja, ndihesha mirë. Më thoni, çfarë duhet të bëj? Me respekt, S. Përgjigje: Dashuria është një tango që luhet dyshe. Tani je në fazën që e luan dyshe me imagjinatë. Arsyet e saj mund të jenë 100, por mund të jetë edhe 1... ka rënë në dashuri me njeriun që është martuar. Mister X, kam të dashurin që punon me koncerte, por aty bëhen edhe sfilata dhe unë jam xheloze. Bëhem keq sa një ditë doja të ndahesha. Një përgjigje ju lutem se jam shumë e mërzitur. Përgjigje: Problemin e ke te vetja. Po sikur burri të punonte balerin? Çfarë do të bëje? Domethënë më lehtë pranon që të jetë i verbër se të shohë “ato”? Qetësohu, as do t’i hajë, as do ta hanë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.