Tradhtia, goditja më e madhe në jetë

Gazeta Paloma - - Histori -

E ndiej veten në një rreth vicioz ku nuk ka dalje. Jam 30 vjeçe. Jam e martuar prej 2 vitesh, por kemi së bashku 13 vite. Një vit pas martese u bëmë me fëmijë. Për mua ky ka qenë momenti më i bukur i lidhjes tonë, por shumë shpejt kuptova se në martesë gjërat ishin më ndryshe seç i mendoja unë.

Ende pa lindur fëmija ndjeva bashkëshortin tim të ftohej dhe ndieja se diçka po ndodhte. Shumë shpejt gjeta edhe prova në telefonin e tij. Ai fliste me dy vajza që i kishte njohur në internet. Dëgjova për njërën prej tyre se i kishte qejf meshkujt e martuar. I pashë me sytë e mi mesazhet e tyre… u tmerrova, u turpërova dhe u ndjeva e humbur.

Më dukej sikur bota më ishte shembur mbi kokë, por bashkëshorti im këmbëngulte se vetëm sa kishin folur në telefon edhe pse në këto mesazhe kishte puthje. Ishte e vështirë për mua ta pranoja diçka të tillë, por vendosa të vazhdoja lidhjen tonë. Kemi qenë aktivë seksualisht gjatë shtatzënisë time dhe ai ishte shumë i kujdesshëm me mua.

Ndihesha më e zhgënjyer dhe e mërzitur ditë pas dite. Nuk i tregova askujt dhe mbaja çdo gjë brenda vetes. Kjo gjë më shkatërroi tërësisht.

Bashkëshorti im filloi të largohej shpesh nga shtëpia ( për punë ose jo) dhe debatonim shumë për këtë pjesë. Kur ishte larg ndonjëherë nuk u përgjigjej telefonatave të mia, ndonjëherë nuk kthehej fare në shtëpi. Më thoshte se ishte rrugë e gjatë dhe ishte i lodhur që t’i hipte makinës për t’u kthyer.

I thashë se kisha dyshime që vazhdonte lidhjen me të, por ai e mohonte. Kurrë nuk më inkurajoi t’i besoja, nuk bëri asgjë që unë të rifitoja besimin e humbur.

Fakti që nuk kthehej në shtëpi filloi të përsëritej më shpesh. Kishte një ves të keq, u shmangej konflikteve, sa herë debatonim largohej. Nuk i përgjigjej më telefonatave dhe e bënte këtë gjë kaq shpesh sa më dukej sikur për të nuk kisha më asnjë vlerë. Në inat e sipër i thashë se nuk kishte pse të kthehej më në shtëpi, nëse martesa jonë kishte kaq pak rëndësi për të.

Para dy muajsh u kthye vonë nga puna. Të nesërmen pashë një foto të tij me dashnoren, që e mohonte. E dija se çdo gjë kishte marrë fund. Ia palosa rrobat dhe i kërkova të largohej. Ndarja jonë zgjati 14 ditë. Nuk e di se si ia bëri që të më bindte sërish që do të ndryshonte sjellje për hatrin tim dhe të fëmijës tonë. Tha se e kuptoi se ishte gabim duke mos na dhënë rëndësinë e duhur mua dhe fëmijës.

Kur e pyeta nëse më kishte tradhtuar, e mohoi. Ai thotë se kurrë nuk më ka tradhtuar. Kur u kthye në shtëpi më premtoi se do të bënte çdo gjë që do t’i kërkoja si nënë dhe si grua. Isha e zhgënjyer prej tij, por e lumtur t’i dëgjoja këto fjalë. Telefoni i tij vazhdonte të ishte me kod dhe kur i kërkova të hiqte kodin më tha se nuk mund ta bënte dot këtë gjë.

Të nesërmen ai u kthye në gjendjen e mëparshme. Tani që e mendoj më lëndon fakti që nuk mora kurrë një “më fal”. Ai thoshte se unë flisja shumë dhe nuk ia lija këtë mundësi. Ai e mohoi gjithmonë se kishte një dashnore, pranonte vetëm se kishte probleme me alkoolin.. më thoshte se nuk fliste më me të. Ndërsa unë mendoja për të çdo ditë.

Ai provoi ta mohonte se kishte një tjetër lidhje edhe pasi unë hapa email- et e tij në kompjuter. Pashë foto të tyre së bashku si një çift i dashuruar, pashë foto që ua kishin bërë miq të përbashkët. Në atë moment e kuptova se gjatë gjithë kohës ai më kishte tradhtuar. Madje pashë që më kishte dërguar edhe mua email- e duke më paralajmëruar se kthimi i tij ishte një gabim. Kuptova se nuk ishte kthyer për mua, por për fëmijën tonë.

Më acaronte më shumë fakti që ai dëshironte të bënin foto së bashku kudo që shkonin dhe i bënte asaj dhurata të çmuara. Jam shumë e dëshpëruar nga çdo gjë. E dua bashkëshortin tim. Ai ka qenë i vetmi për mua. Kam qenë besnike ndaj tij gjithmonë. Goditja më e rëndë që më ka dhënë jeta është kjo tradhti.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.