Isha shtatzënë kur u martova me të, por s’ma do më djalin. Si t’ia bëj?

Gazeta Paloma - - Front Page -

Mister X, të vlerësoj shumë për përgjigjet që jep. Jam 25 vjeçe. Më ka ndodhur një fatkeqësi, më vdiq burri para 6 vjetësh. Isha shtatzënë 5 muajshe, linda djalë. Tani jam martuar me një tjetër. Në fillim e pranoi djalin, por tani më thotë se nuk e do. Të lutem më jep një përgjigje të saktë: Çfarë të bëj se ma nxiu jetën? Nuk më përfill, merr femra në telefon para meje dhe ulet afër meje të dëgjoj se çfarë flasin. Më thuaj, a ia vlen ta kaloj jetën me këtë njeri që edhe nuk punon? Faleminderit! Përgjigje: Nëse nuk je ndarë në momentin që po lexon përgjigjen do të thotë se ke një problem shumë të madh me veten: ke firmosur skllavërinë dhe poshtërimin tënd për gjithë jetën. Ai nuk ndryshon. Duhet të ndryshosh ti dhe urgjentisht. Mister X, respekte dhe komplimente! Si të sillet një e sapomartuar 22-vjeçare me një burrë jo të pjekur mirë dhe qejfli femrash? Vjehrra sherr-budalle bën të pamundurën të më nxjerrë keq. Sapo mora përgjigjen se kam migrenë. Jam parukiere, edhe pse e diplomuar për inxhinieri - agronomi. Burri është i varur nga prindërit, po tretet i tëri për shtëpinë se janë të dy pa pension e nuk po kënaqen, si dhe nuk u pushon goja nga kunjat dhe ofendimet. Jam lodhur që tani pa bërë vitin me ta. Imagjino çfarë budallallëku thotë vjehrri: “More një burrë që s’e meriton se ti je e shkurtër”. Si i dilet me këta? Përgjigje: Me këta priten drutë shkurt. Jetoni më vete. Ndihmojini financiarisht me një pension, përndryshe nga migrena do të bëhesh për haloperidol. Mister X, më vjen shumë inat me veten. Asgjë nuk më ecën siç duhet sado që të përpiqem. Kam nisur të dyshoj në aftësitë e mia. Më ka ndodhur disa herë që sa herë kam shprehur një dëshirë dhe kam punuar shumë kohë për ta arritur, jo vetëm që nuk është plotësuar, por dikujt afër meje i plotësohet si për inatin tim. Nuk është se kam zili apo inat, por nuk e kuptoj pse më ndodh kjo gjë. S’di si të veproj ndryshe. Më ndihmo! Përgjigje: Je në rrugën e duhur. Mos humb durimin! Ia vlen të rrëzohesh 100 herë për t’u ngritur sërish në këmbë. Ai apo ajo që zgjohet çdo mëngjes dhe kërkon punë punon 12-14 orë në ditë, gjithmonë ia del. Mister X, kam një problem të madh. Jetoj në konvikt me 2 vajza të tjera dhe nuk e di cila prej tyre më ngacmon ushqimin. Nuk janë vajza të këqija, por prapë më bezdis kjo gjë. Si t’ia them me edukatë pa prishur marrëdhënien me to? Elda, Qyteti Studenti Përgjigje: Unë them të vendosësh nga një copë sallam me etiketën: kjo është për X dhe kjo për Y, që të mos grinden f me njëra-tjetrën. Përgjigje: Shkëput komunikimin. I dashuri im ka një fëmijë nga martesa e tij e parë. Jo se më bezdis kjo gjë, por ai është shumë i angazhuar për djalin e tij, sa më duket sikur humbet vëmendjen ndaj meje. Si të sillem? E dua shumë atë. A duhet ta pranoj këtë gjë? Përgjigje: Kur merr një vesh rrush duhet ta pranosh të gjithin siç është: jo duke qukur kokrrat që ty të duken më të mira. Burrin e ke marrë “paketë” dhe çdo përpjekje për ta ndarë, do të të prishë punë. Mister X, mendoj se djali im adoleshent po kalon një periudhë të vështirë. Ai rri gjithë kohës në shtëpi, luan X-Box dhe nuk ka asnjë shok. Jam përpjekur ta fus disa herë në aktivitete jashtëshkollore, por nuk pranon të rrijë më shumë se një jave. Çfarë të bëj me të? Përgjigje: Kjo është sëmundja e shekullit. Ata që kanë mundur t’ia dalin i kanë injektuar fëmijës një pasion të madh. Shumë betejë e vështirë. Si mund ta heq qafe kunatën që vetëm sherre ka sjellë për mua dhe burrin tim? Më jep zgjidhje se nuk po jetojmë dot të qetë. Mela, Skrapar Mamaja e të dashurit do të na ndajë sepse kuptoi që ne kemi fjetur bashkë. Ai s’do të ndahet me mua. Çfarë t’i bëj mamasë? Përgjigje: Çoji një pako me llokume! I dashuri më kërkon të bëj gjëra që mua nuk më pëlqejnë gjatë marrëdhënieve intime. Edhe pse refuzoj, ai vazhdon të m’i kërkojë. E dua shumë, por me këto veprime po më bëjnë t’i largohem. Si të veproj? Përgjigje: Thuaja gjatë kohës që pini kafe se me kërkesat e tij të bën të ndihesh keq. Si ta bëj të fejuarin të pendohet për faktin që më trajton keq, më tradhton dhe më gënjen? Të lutem më ndihmo! Jam në një periudhë shumë të keqe. Përgjigje: Është rrugë e gjatë. Duhet që ai të bëhet i varur pas teje. D.m.th. të mos jetojë dot pa ty se ti je e zonja, e mençur, e aftë dhe që të gjithë të kanë zili. I dashuri im më tha se do dilte me shokët e tij natën, por më vonë e kuptova që ai kishte shkuar në një vend me striptiste. Më bezdisi shumë kjo gjë. Çfarë kënaqësie merr nga këto vende ai? Kur e pyeta thashë pse shkoi, më tha vetëm që s’kishte ndodhur asgjë që cënonte lidhjen tonë. Çfarë deshi të thoshte me këtë, se ai nuk më jepte asnjë sqarim më tepër? Albina, Tiranë. Përgjigje: Ja një zgjidhje: fundjavën tjetër thuaji se do të shkoni bashkë në një klub nate dhe shkoni. Nuk ka për të qenë fundi i botës dhe jo çdo gjë është ashtu si e mendon. Pse i dashuri im është më i hedhur dhe gazmor kur dalim me miqtë sesa kur dalim vetëm? Ai as m’i hedh sytë kur jemi në grup. Përgjigje: Po a e ke pyetur atë? Ndoshta ndihet i vlerësuar në grup dhe me ty ka konsumuar gjithë bisedat dhe i duket se çfarëdo që të thotë nuk është më interesant. Shumë interesant ky rast. Jam Enisa nga Fieri dhe vuaj që prej një viti nga epilepsia. A duhet të ndahem nga i dashuri im? E dua, por s’kam dëshirë ta lëndoj. Përgjigje: Jo. Epilepsia është e kurueshme. Shërim të shpejtë. Çfarë do të bëje ti nëse i dashuri zgjedh shokët para teje? Kam tre muaj që më shumë takoj shoqërinë sesa të dashurin. Përgjigje: Do të thoja se i dashuri yt është “çun për shoqni”. Do të ndryshojë mos ki merak. I dashuri më tha se lidhja jonë po e depresiononte dhe nuk kishte dëshirë të vazhdonte më. Donte pak kohë sa të kuptonte se cilat gjëra e bënin të lumtur në jetë. Ndërkohë, sipas filozofisë së tij, kërkon të mbetemi miq. Gjithashtu më tha se dashuria për mua ka mbaruar. A mendon se e ka nga depresioni gjithë këtë? Përgjigje: Depresioni po përdoret si etiketë për t’i vënë çmimin çdo problemi. Thuaja qartë dhe prerë fjalinë e vjetër: miqësia të çon në dashuri, por kjo është rrugë njëkalimshe. Nuk e shoh të mundur të mbeteni miq. I dashuri nuk do që unë të kem kontakt me asnjë djalë tjetër. Më kontrollon kudo dhe është shumë xheloz. Më kërkon gjithnjë t’i çoj “screenshot”-e të bisedave të mia në Whatsapp dhe nëse sheh një bisedë me ndonjë djalë, tërbohet. Çfarë të bëj? Përgjigje: Duhet ta qetësosh. Është xheloz. Ka nevojë për më shumë besim dhe kjo do të vijë duke të njohur më shumë. Kur jetoja në Krujë, kisha një rreth shumë të gjerë shoqëror, por kur u zhvendosëm në Tiranë çdo gjë ndryshoi. Këtu jam shumë i tërhequr. Nuk afrohem me miq të rinj dhe kjo jo për fajin tim. Të gjithë janë mendjemëdhenj dhe askush nuk ofron miqësi të vërtetë. Si t’ia bëj? Nuk e përballoj dot jetën kështu. Përgjigje: Në Tiranë nuk njeh komshiu komshiun. Njohin vetëm administratorin e pallatit. Vend i ri, zakone të reja. Tirana nuk është qytet që të ofron miq. Nëse kërkon një mik në Tiranë, shko dhe bli një qen. Mister X, e dua të dashurin, por nuk kam besim tek ai. Më duket sikur gjithnjë më tradhton. Ç’të bëj? Përgjigje: Nga tradhtia te “më duket se më tradhton” nuk është se ka shumë distancë, por nuk është e njëjta gjë. Ai duhet të marrë “karton të verdhë” si paralajmërim dhe ta ketë të qartë se nuk ngurron t’i nxjerrësh “kartonin e kuq”! Kaq. Mister X, jam një vajzë, problemi im është se sa herë që bëj seks me të fejuarin unë nuk prishem. Jam 18 vjeç. Ai më pyet se pse ndodh kjo. Të lutem më jep një përgjigje. Faleminderit! Keka. Përgjigje: Fjala “prishesh” është e një banaliteti bërtitës. Sidoqoftë, për mosarritjen e orgazmës duhet folur vetëm me partnerin sepse unë nga shtëpia ime nuk mund të të ndihmoj. E keni më të lehtë të shkruani në gazetë sesa të flisni me njëri-tjetrin. Mister X, sapo jam kthyer nga Kanadaja për një vizitë të shkurtër në Shqipëri. Më kanë bërë përshtypje shumë gjëra, por dua të ndaj mendimin tim për dy prej tyre: 1. kafenetë janë plot në çdo orë të ditës dhe tema e bisedës është kriza dhe e dyta: në mbrëmje pothuajse të gjitha kafenetë kishin vendosur ekrane të mëdhenj televizori dhe gjindja rrinte duke parë ndeshje futbolli të kampionateve të huaja dhe duke vënë baste. Do të isha shumë mirënjohës nëse do më shkruaje mendimin tënd. Përgjigje: Kjo është Shqipëria. Kafenetë janë edhe vende pune. Bastet janë sporti kombëtar. Edhe gjyqtarët e Vettingut me gogla po i zgjedhim. 3 bizneset që po njohin rritje në vend: 1. bastet; 2. kafenetë; 3. parukeritë. Kaq. Përshëndetje Mister X! Jam një djalë 17 vjeç. Unë e dua shumë shkollën dhe e humba një vit për arsye shpërnguljeje nga një vend në tjetrin. Për këtë arsye jam bërë shumë nevrik. Prindërit më mallkojnë shumë, nuk di si të sillem me ta. Gjumi nuk më merr, ngela duke menduar. E ndiej që po shkatërroj veten. Mendoj se kur të futem në shkollë do të qetësohem. Ose tani ndonjë qetësues do më bëjë mirë. Të keqen vëllai këtë javë, faleminderit!.E.Dr. Përgjigje: Një vit pushim nuk janë asgjë, nëse kthimi në shkollë do të jetë triumfator dhe do të zgjedhësh një universitet të mirë. Nuk ke nevojë për qetësues. Dil bëj vrap një apo dy orë dhe nëse ke mundësitë: bëj palestër, mos pi mall. Mister X, kisha nisur të dyshoja te babai. I kapa disa mesazhe në celular dhe menjëherë nisa t’i mbaja qëndrim. E kuptoi dhe i dha fund çdo gjëje. Pata frikë të përballesha me të sepse nuk dua që familja ime të shkatërrohet. A kam vepruar drejt? Përgjigje: Nuk e di. Koha do ta tregojë. Përshëndetje Mister X! Je njësh fare. Jam një djalë 21 vjeç. Jam i dashuruar pas një vajze por ajo është e fejuar. Nuk mund të rri pa të. Më thoni të lutem çfarë duhet të bëj? Nga E. Tr. Përgjigje: Do të kalojë. Ajo do të martohet, ti ndërkohë mendo për vajzën tjetër pa të cilën nuk mund të rrish asnjë minutë. Jam një vajzë 17 vjeçe, jam e dashuruar me një djalë 22 vjeç, por mami s’më lë të lidhem me të. Më detyron të shkoj me një burrë të martuar që po ndahet nga gruaja. Është me 2 fëmijë, 38 vjeç. Unë e urrej, edhe pse na ndihmon kur kemi nevojë se jam jetime. Çfarë të bëj? Më ndihmoni! Përgjigje: Po të dija adresën tënde do t’ia jepja policisë. Vetëm policia mund të ndihmojë. Mister X, ju lutem më ktheni përgjigje këtë javë se ju kam shkruar edhe herë tjetër dhe nuk kam marrë përgjigje. Jam D. nga K., 22 vjeçe, e dashuruar me një burrë të martuar, 38 vjeç, me 3 fëmijë. Ai më thotë që më do dhe më thotë që do të lërë gruan dhe fëmijët që të jetojmë bashkë jashtë shtetit. Më merr 5-6 herë në telefon në ditë dhe më thotë që kudo që të shkoj t’i dërgoj sms dhe më thotë ta dëgjoj për çdo gjë se të dua. Ju lutem Mister X, a më do vërtet ky njeri? A po veproj mirë unë? Përgjigje: Hiq dorë një orë e më parë se ai njeriu që do hedhë në rrugë gruan dhe 3 fëmijët nuk e ka problem të të flakë në një “humnerë” në rastin më të parë. Si mund të ndihet një djalë 18 vjeç me një grua 30 vjeçe në shtrat. Përgjigje: Kërko pak në Google ç’do të thotë pedofili. Mister X, jam një djalë nga Elbasani. Shqetësimi im është se kam pasur shumë të dashura. I mbaj një vit dhe ndahem sepse më mërziten dhe nuk marr dot guximin të fejohem se mos ndodh e njëjta gjë. Si t’ia bëj, të fejohem tani apo të pres se mos ma rrëmben ndonjëra zemrën? Unë jam 24 vjeç. Përgjigje: Unë them të presësh edhe 10 vjet. Rezisto derisa të gjendet ajo që do të të rrëmbejë zemrën. Mister X, jam Jona nga El., 16 vjeçe. Prindërit e mi kanë 6 vjet të divorcuar me gjyq, por kanë jetuar bashkë deri para 2 muajsh. Para 3 ditësh u zura me mamin për problemet e moshës që kemi të gjithë dhe ika nga shtëpia sepse më goditi. Tani jam te halla në Dr. dhe do të vijë babi. Çfarë qëndrimi të mbaj ndaj mamit? Bëra mirë që ika? Përgjigje: Mami nuk të do të keqen. Pajtohuni dhe ndihmoje edhe ti të kalojë këtë periudhë të vështirë. Ajo të kupton. Përpiqu sadopak ta kuptosh edhe ti. Mister X, dua një vajzë dhe do të martohem me të, por ajo më tradhton. Kur ia përmend unë tradhtinë, më thotë: Mos më çaj trapin! Si të veproj? Të lutem me gjithë shpirt më kthe përgjigje. Përgjigje: Nuk gjej përgjigje më të mirë se kjo që të paska dhënë vajza. Mister X, je shumë i zgjuar!. Jam një vajzë 16 vjeçe. Doja të pyesja: pse djemtë i mashtrojnë vajzat kur ato i duan marrëzisht? Ata marrin atë që duan nga vajzat dhe i hedhin si plehra në rrugë. Pse ndodh kjo? Të lutem më kthe një përgjigje këtë javë. Përgjigje: Jepi kohë vetes se po rritesh. Nuk janë kështu të gjithë djemtë. Shprehjen “të duash marrëzisht” do ta kuptosh shumë vonë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.