Nuk e dimë çfarë po hamë, që të kuptojmë se çfarë në të vërtetë jemi

Gazeta Paloma - - Koktej -

KUJDES! U bë kohë që është vendosur alarmi në industrinë e produkteve ushqimore. Nuk ka ditë që nuk dëgjojmë të flitet për skandale të ndryshme, nga konsumatorë të njohur apo panjohur publikisht. Aq problem është bërë, saqë nuk kemi besë as tek pazari që dikur e bënte gjyshja, as tek kasapi i lagjes, që mbaj mend të ketë njohje të vjetra me tim atë, as tek shitësi i bukës që e ka radhën kilometrike në orar dreke.

Ne jemi vërtetë çfarë hamë, po ne nuk e dimë çfarë po hamë, që të kuptojmë se çfarë në të vërtetë jemi… Epidemi njëra pas tjetrës, tumore të përhapura si kurrë më parë, a thua të jetë një grip i zakonshëm, grupmosha fare të reja me diagnoza të padëgjuara më parë…çfarë po ndodh? Jemi të gjithë njësoj të rrezikuar, pavarësisht nëse jetojmë në vila luksoze apo pallate relativisht të vjetra. Jemi të gjithë “pre” e një biznesi të shëmtuar, që ka në dorë as më pak e as më shumë…po vetë jetën tonë.

E keni vënë re? Edhe emisionet televizive janë drejtuar kah këshillave për ushqyerje të shëndetshme. Sa këndshëm, se çfarë thotë njëri nuk e thotë tjetri nga këta pseudo dietologët e vendit tonë të vogël. Nuk janë mjekë, po propagandues me diploma e informacione të selektuara në faqet online. Meqë dolëm në këtë pikë, edhe unë, edhe ti, të tërë ne mund të jemi ekspertë sepse interneti është plot me materiale, sig- urisht që mjafton një klik me fjalën kyçe të produktit, për të cilin jemi kuriozë.

Problemi nuk qëndron tek teoria ore të nderuar, por tek praktika. Pra, tek tezgat që tregtojnë, supermarketet, furrat e bukës, ëmbëltoret, çdo pikë shitje që ofron produkte të ngrënshme. Hallkat e zinxhirit janë disa: nisin që tek prodhuesi, që herë është shqiptar e herë aziatik (për mallrat e importit), pastaj kalojmë tek rrjeti i shpërndarjes për të mbërritur tek pika e fundit. Rruga e gjatë ka edhe firot e veta, përsa kohë kontrolli i ushtruar ka mangësi. Pra, maja e piramidës ( shteti) duhet të jetë vigjilent, në secilën etapë. Duhet ta kontrollojë edhe atë fermerin, që i skuq me bojë domatet pa u pjekur, edhe atë pronarin që vendos etika sipër datës së kaluar të skadencës së biskotave, edhe atë importuesin e mishit të “qenit”, me të cilin mbushet sufllaqet dhe donerat, edhe atë bukëpjekësin që e ngop në ngjyrues bukën, për ta servirur si të zezë, edhe atë… ah sa nga këta veprojnë në këtë treg pa rregulla…

Ju gënjen mendja, nëse pretendoni të shkoni në Shkodër për krap, apo në Berat për ullinj vendi, për të marrë në Korcë mjaltë Morave, apo në Vlorë për mish keci… jo, jo, jo… është kthyer në biznes të pisët kjo industri, më e rëndësishmja, ajo jetikja!

Po e hamë saponin për djath dhe po themi “faleminderit”, po paguajmë sa “frëngu pulën” dhe sër- ish po ulemi tek i njëjti restorant ( që gjasme ka veç prodhime shtëpie), po sëmurim fëmijët dhe akuzojmë mjekët, në vend të ngremë zërin përditë, të veprojmë radikalisht, duke mos pranuar as kafen si “lëng gështenjash” tek kafja ngjitur, as ujin me çmim stratosferik.

A e dime ne që e gjithë kjo merr fund nëse për një javë rresht, ne të gjithë refuzojmë të blejmë? Nëse për një periudhë të caktuar, të gjithë ne denoncojmë njëzëri dhe me fakte këto pisllëqe që po kapërcejmë dhe fusim në stomak e gjak çdo ditë?

Ju lutem të merremi me atë problem shqetësues, që nuk lidhet me thashethemet, por me të vërtetën e pamohueshme! Ju lutem ndërgjegjësohuni dhe mos pranoni këshilla fiktive nga njerëz që po pasurohen në kurriz të “fatkeqësisë” sonë të përbashkët. Janë ca vemje, që kanë shpikur tituj për veten dhe po na rrjepin, për hiç mos gjë. A e dini, që janë pikërisht këta njerëz, që sapo mbyllin derën e klinikës dhe ju kanë mbushur kokën me broçkulla…ia fusin një sanduiç me brumë pice apo më keq akoma… patate të skuqura me vaj të ndenjur?

Le të hapim sytë, kaq mjafton për të reflektuar! Pres rezultatet e para këto ditë, që ta di se nuk më ka shkuar dëm i gjithë ky editorial.

Jeni të mirë, më të mirë sesa ushqimet që po hamë… Fundjavë të mbarë!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.