Jetën time e ndërtoi tjetërkush...

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Jeta nuk është treguar shumë bujare as me mua, ashtu siç ka ndodhur edhe me shumë prej atyre që kanë shkruar historitë e tyre të dhimbshme në këtë gazetë. Në fakt, çdo gjë shkoi në drejtimin e gabuar për mua që kur timonin e jetës sime e mori në dorë dikush tjetër. Unë, nga padia, nga papjekuria apo ndoshta edhe nga naiviteti, i lashë fushë të lirë, ia bëra çdo gjë të thjeshtë, e lashë atë që ta ndërtonte jetën time siç donte. Nuk i mendova pasojat në atë moment, pasoja të cilat po i vuaj përditë e më shumë.

Kur isha e re ëndërroja për një jetë të lumtur, kur do të ndihesha e plotësuar dhe krenare për veten dhe arritjet e mia. Kisha thurur shumë ëndrra, të cilat isha e bindur që, edhe pse me vështirësi, do t’i realizoja. Por mesa duket jeta qenka shumë e pabesë dhe të papriturat që ajo të dhuron janë aq të mëdha ndonjëherë, saqë ti je i pafuqishëm t’i ndryshosh. Në moshë të vogël mbeta jetime, më vdiq nëna nga një sëmundje e rëndë. Vdekja e saj më kapi të papërgatitur. Isha shumë e lidhur me të dhe e përjetova shumë largimin nga jeta. U mbylla në vete dhe kalova një gjendje depresioni. Por me babin nuk kisha marrëdhënie të ngushtë, ai nuk më kuptonte dhe nuk fliste me mua për atë që po kaloja. E di që ai vuante për vete, por unë isha e vogël dhe kisha nevojë për mbështetjen e tij. Kjo mbyllje më bëri që të rrija shumë kohë në shtëpi, mos të afrohesha me askënd dhe rrjedhimisht edhe shoqëri nuk kisha. Nuk dilja pothuajse fare dhe çdo gjë më dukej e zezë. Derisa një ditë takova atë. Ishte i vetmi që e mori mundimin të më dëgjonte dhe të më kishte në qendër të vëmendjes. Vetëm kaq mjaftoi që unë ta dashuroja çmendurisht atë njeri.

Prej kohësh më mungonte prezenca e një njeriu të afërt që të më dëgjonte, të më ngushëllonte dhe të më bënte të ndihesha e lumtur. Njerëzit nuk merreshin me mua, më neglizhonin, duke nisur që nga im atë e duke vazhduar me njerëzit e tjerë të familjes apo fisit. Edhe pse i kisha vërdallë pothuajse gjatë gjithë ditës nuk më bëhej të hapesha me ta, sepse e dija se ata nuk do të më kuptonin. Krejt e kundërta ndodhi me E-në. Ai i la mënjanë të gjitha angazhimet e veta dhe u mor vetëm me mua. Më riktheu përsëri buzëqeshjen, më bëri të ndihesha e lumtur edhe pas asaj humbjeje të madhe që kisha pësuar.

Jeta ime filloi të merrte sens. Fillova të jetoja sërish vetëm sepse kisha pranë atë njeri që më dukej se më falte dashuri. Edhe pse sapo e kisha njohur, ai u bë njeriu më i afërt për mua dhe i vetmi me të cilin flisja për çdo gjë, për çdo shqetësim që kisha.

Aq shumë i kisha folur për veten sa nuk e kisha vënë re se unë nuk dija asgjë për të, nuk e kisha pyetur për asgjë. Vetëm ai më kishte njohur mua dhëmbë e dhëmballë, ndërsa unë i dija vetëm emrin. Kur fillova të interesohesha për jetën e tij, mora shumë pak apo hiç fare përgjigje. Më ndërronte temën e bisedës dhe më thoshte se do të më tregonte çdo gjë kur të vinte koha. Më vinte keq që ai nuk hapej me mua, pasi ai ishte i vetmi njeri që unë i kisha hapur zemrën. Ndoshta mezi kisha pritur që të vinte një njeri në jetën time, që të ishte i gatshëm të më dëgjonte dhe ai diti ta luante shumë mirë rolin.

Më vonë mora vesh se ai nuk ishte nga qyteti im, por vetëm jetonte atje. Unë kisha menduar se ai jetonte me familjen, por ai jetonte me disa shokë dhe nuk ma kishte treguar vetë këtë. Më kishte lënë të besoja gjatë gjithë kohës atë që doja. Unë nuk kisha dyshuar për asnjë çast tek ai. Pasi më shtyu në kthetrat e tij, nisi të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Ai ishte një përbindësh, por këtë nuk e mora vesh menjëherë. U desh kohë, u deshën muaj të tërë që ai të nxirrte fytyrën e tij të vërtetë.

Ashtu si pa e kuptuar ai fil- loi të vendoste për mua se kur do të dilja, çfarë do të vishja, me kë mund të takohesha, kë mund të zija shoqe e kë jo, sa kohë duhej të kaloja me njerëzit e mi e kështu me radhë. Fillimisht m’u bë qejfi për këtë sjellje të tijën sepse e pashë si shenjë të përkujdesjes së tij ndaj meje. Nuk e dija akoma se cilat do të ishin pasojat e kësaj sjelljeje. Nuk e dija se çfarë kishte pas saj dhe as që më shkonte ndër mend. Por shumë shpejt tmerri im do të fillonte.

Gjithçka nisi një ditë gushti, si kjo e sotmja. Kisha dalë të pija kafe me të dhe më pas e kishim lënë që të shkonim në plazh. Nuk e dija që bashkë me ne do të vinte edhe një shoku i tij. Shoku i tij u bashkua me ne ndërsa po pinim kafe. Të them të drejtën u mërzita. Ai e dinte shumë mirë që mua nuk më pëlqente të dilja me njerëz që nuk i njihja. Ndihesha në siklet, aq më tepër, çfarë do të bëja unë me dy meshkuj! Më dukej e tepërt prezenca e shokut të tij. Për këtë arsye vara turinjtë. Nuk thashë asnjë fjalë, veçse shprehja e fytyrës sime fliste vetë. Ai u tjetërsua në moment. Filloi të më fliste me fjalë të rënda. Më ofendoi vetëm sepse isha mërzitur. “Ç’na bën si e ndershme ti? Sillu mirë me shokët e mi se nuk do të hanë. Përndryshe i ke pisk punët me mua”,më tha duke më shtrënguar mjekrën. “Qesh tani”,- tha ai ndërsa mua më shkuan lotët çurg. Vazhdoi edhe më tej. Më kapi nga flokët dhe më goditi në fytyrë. E gjithë kjo skenë ndodhte në një lokal, në prezencë të shokut të tij, i cili nuk e prishte gjakun, por vazhdonte të pinte me qetësi kafenë e tij.

E ndjeva veten të kapur në grackë. Nuk dija si të veproja. Doja të ndahesha prej tij, por kisha frikë se po hidhja një hap të nxituar e do të bëhesha pishman. Prandaj nuk u ndjeva për momentin. Nga brenda vloja, por e mbajta veten. Nuk duk sikur nuk e njihja atë njeri dhe për pasojë i kisha të paparashikueshme edhe reagimet e tij. Prandaj vendosa të heshtja. Kur dolëm nga lokali guxova t’i thosha se doja të shkoja në shtëpi. Ai u ngërdhesh dhe më shtyu brenda makinës. Shkuam në plazh. Një moment, ai m’u afrua dhe filloi të më puthte plot epsh. Ndihesha në siklet ngaqë shoku i tij ishte me ne, kurse atij nuk i bënte fare përshtypje. Shoku i tij nisi të qeshte e të na ngacmonte me fjalë. Komentet e tij ishin banale dhe unë u ndjeva shumë keq. I dashuri im qeshte, sikur i bëhej qejfi nga komentet e shokut të tij. Mezi prita që të largoheshim nga plazhi. Doja të shkoja në shtëpi, pasi vetëm atje ndihesha e sigurt. Por ai më tha se do të shkonim në shtëpinë e tij, të rrinim pak atje. I thashë se nuk ndihesha mirë dhe se kisha dhembje koke. Ai ia nisi sërish me të bërtitura. Desha, s’desha pranova të shkoja në shtëpinë e tij, ku nuk kisha qenë kurrë më parë. Në atë shtëpi i dashuri im jetonte me dy shokë, me atë që kishte marrë me vete në plazh dhe me një djalë tjetër. Para se të shkonim në shtëpinë e tij, ndaluam rrugës dhe morëm një vajzë, e cila ishte e dashura e shokut të tij. U gëzova që të paktën nuk do të isha e vetmja femër në shtëpi. Ajo vajza dukej se njihej mirë me të dy. Ishte shumë e lirshme dhe iu hodh në qafë si njërit, edhe tjetrit për t’i përshëndetur. “Merr shembull nga L. se sa e qeshur është e sa mirë sillet”,- më tha i dashuri im. Ajo u zgërdhi. Kur shkuam në shtëpi, i dashuri im filloi të më fuste duart përpara miqve të tij, ata qeshnin, ndërsa unë i thosha që të ndalonte. Edhe shoku i tij me L-në nisën të bënin të njëjtën gjë. Pastaj ne kaluam në dhomën tjetër. M’u duk vetja si një femër e shthurur. Nuk më pëlqente ajo situatë.

Sjellja agresive e të dashurit tim sa vinte e bëhej më e shpeshtë. E kuptova që donte të më fuste në rrethin e tij, që edhe unë të sillesha si ata, por unë nuk isha e tillë. Nuk e dija me saktësi se çfarë bënin ata njerëz, por ku nuk më shkonte mendja. M’u mbush mendja që duhej të largohesha nga ata njerëz e të ndahesha nga i dashuri im, nga ai që më ishte dukur si engjëll, por në fakt ishte djalli vetë. Pas një grindjeje që patëm, ku nuk munguan goditjet ndaj meje, i thashë se doja të ndahesha prej tij. Ai u zgërdhi dhe më tha se unë nuk mund të ndahesha kurrë prej tij sepse ai nuk do ta lejonte një gjë të tillë. “Ti je pronë e imja tani dhe mos u përpiq as që të mendosh të kundërtën, se si unë edhe ti e dimë mirë se nuk ke ku të përplasesh”. Më erdhi inat që i kisha treguar aq shumë rreth vetes sa ai e ndjente veten të plotfuqishëm. Ai kishte të drejtë se unë nuk kisha ku të përplasesha dhe këtë ia kisha treguar vetë. Më rrahu keq dhe mbi të gjitha për ndëshkim më ndaloi që të vazhdoja shkollën e lartë. Atë vit unë duhej të nisja fakultetin, por ai nuk ma lejoi një gjë të tillë.

Është e kotë të vazhdoj e t’ju tregoj për të gjitha peripecitë që kam kaluar dhe vazhdoj të kaloj çdo ditë sepse e di mirë që ju e merrni me mend vetë se në çfarë gjendje ndodhem. Por ja, kështu m’u shkatërrua jeta nga një njeri përbindësh, që më gënjeu me një sjellje për engjëlli.

Tashmë jam 21 vjeçe, jam kthyer në një skllave për të. Nuk e kam nisur ende shkollën e lartë, por akoma jetoj me shpresë. Jetoj si një parazite dhe bëj çdo gjë që thotë ai, përndryshe mund të ndëshkohem. E rrahura tani është bërë e zakonshme për mua. Mjafton një gjë e vogël që ai e quan gabim, për të më goditur në mënyrë çnjerëzore. Mos mendoni se nuk kam tentuar të largohem prej tij, por është e pamundur. Ai i gjen mënyrat për të më futur sërish në kthetrat e tij. Ju lutem më jepni sugjerimet tuaja, por përpiquni ta kuptoni situatën time. Le të mos flasim për idealizma, unë kërkoj këshilla praktike. Ju falënderoj që lexuat historinë time!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.