Mësimi që më dha shoqja ime

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje! Unë jam nga Vlora dhe është hera e dytë që shkruaj në rubrikën “Histori personale”.

Këtë herë do të flas për një vajzë që e njoha krejt rastësisht me anë të dy shoqeve të mia. Sa e pashë më pëlqeu shumë. Megjithatë nuk krijova lidhje me të. Ajo nuk ndjente asgjë për mua dhe këtë gjë ma tha vetë. E respektova vendimin e saj dhe u bëmë shokë shumë të mirë.

Shoqëria jonë forcohej dita ditës. Rrinim me orë të tëra në telefon duke folur. U njohëm edhe me familjet tona, pasi shkonim vazhdimisht për vizitë te shtëpitë e njëri-tjetrit. Edhe prindërit tanë e pëlqenin këtë shoqëri që ne po krijonim. Unë s’kam motër, vetëm një vëlla dhe mami im J. e donte si vajzën e saj. Për mua J. nuk ishte thjesht shoqe, por edhe motër.

Bëja shumë për atë vajzë dhe i kam qëndruar shumë pranë, por ajo gjithçka e mori për dobësi.

Sa herë dilja jashtë Vlorës asaj i merrja një dhuratë. Kur vajta në Mal të Zi dhe ndenja 5 ditë, e merrja çdo ditë në celular. I plotësoja çdo dëshirë që kishte, sikur ta kisha të dashur.

Që nga kthimi nga Mali i Zi, ajo filloi të ftohej pa më dhënë asnjë arsye. Justifikohej kot dhe daljet e bisedat tona po rralloheshin shumë. Më vinte çudi. Edhe në celular kur e merrja flisnim me sekonda. Nuk e kuptoja çfarë kishte.

Vendosa të merrja vesh se ç’kishte ndodhur. Doja të flisja me mamanë e saj se atë e res- pektoj shumë. Sa dua familjen time, dua edhe atë, pasi është treguar vërtet shumë e mirë me mua, më ka ndihmuar për çdo gjë. Ishte ajo që e bëri edhe më të fortë shoqërinë tonë, pasi më vlerësonte dhe unë e vlerësoja shumë si grua. Vendosa një ditë ta merrja në telefon. Ajo pranoi dhe kjo gjë më gëzoi pa masë, pasi mendova që do të sqaroheshin gjërat mes nesh dhe do të ktheheshim si më parë, por ja që nuk ishte ashtu.

Ajo erdhi te lokali dhe sapo nisëm të flisnim, mori në telefon shokët e saj dhe u tha të vinin atje. Mua më erdhi shumë inat dhe e pyeta se pse i mori, përderisa kishte dalë me mua. Më tha se me mua do të rrinte, por pa kaluar 5 minuta ata erdhën me makinë dhe ajo vajti t’i takonte.

Pasi i takoi, erdhi prapë duke qeshur dhe duke më bëre mua interesanten. Fillova mos t’i flisja fare, ndërkohë që ajo shkruante sms me ata shokët e saj. Në sms ata filluan me provokime dhe me sharje se donin të ziheshin, por unë nuk jam tip që zihem, prandaj ndenja i qetë, edhe pse po haja veten përbrenda. U ngrita. Mbërrita në shtëpi shumë i mërzitur. Nuk mund ta besoja se si ma kishte punuar shoqja ime në këtë mënyrë. Nuk kuptoja çfarë donte të tregonte me atë veprim që bëri, duke sjellë shokët e saj dhe duke provokuar situatën. Këto janë veprimet e një femre të ulët dhe jo të një vajze me shkollë siç është ajo. Ajo dinte çdo gjë për mua. I hapa zemrën dhe derën e shtëpisë, ndërsa ajo shiko si ma bëri. Më vonë më dërgoi sms ku shkruante se i vinte keq dhe mos të mërzitesha. Duke qenë se isha me shumë nerva, i dërgova një sms me fjalët më të ndyra. Pas kësaj ajo më kërkoi që shoqëria jonë të merrte fund. I thashë që këtë doja edhe unë pasi nuk e shihja dot më me sy.

Unë jam zhgënjyer shumë herë nga shoqëria, por asnjëherë nuk jam ndierë kaq keq, pasi e kisha si motrën time. Kam bërë çdo gjë për të, jam zënë edhe me shoqërinë time për të. Por ajo nuk ka faj, fajin e kam unë që jam treguar aq i mirë.

Megjithatë, rëndësi ka që arrita ta kuptoj në kohë. Pasi kaloi një muaj dhe mua më ishte kthyer sërish gëzimi, ajo i ra telefonit dhe më kërkoi falje. Më kërkoi të bëheshim prapë miq. Por ja që këtë herë nuk mund të më merrte për budalla. I thashë që për mua kishte vdekur dhe se nuk na lidhte më asgjë bashkë.

Ajo tani është në vit të fundit dhe unë kam kohë pa e parë. Do të kisha dëshirë të përballesha edhe një herë me të për t’i thënë disa fjalë të fundit që ende nuk ia kam thënë. Më vjen shumë keq për mamanë e saj, pasi ajo është treguar shumë e mirë me mua. Familja e saj është e shkëlqyer, nuk e di nga ka ngjarë ajo kështu. Por një ditë do ta paguajë shumë shtrenjtë se Zoti vonon por nuk harron. Po bëre mirë, gjithmonë keq gjen. Ky është mësimi që më dha shoqja ime.

Ju falenderoj të gjithëve nga zemra dhe ju uroj gjithë të mirat.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.