Terapia anti – stres? Stako trurin, shijo pranverën!

Gazeta Paloma - - Koktej -

Ia hodhëm së keqes, më besoni që kaq ishte! Mos kujtoni se hymë të gjithë në punë, as nuk ngritëm gradaçela, as nuk na fluturuan paratë nga qielli, pooor…një lajm i mirë ka mbërritur: pranverë mes nesh!

E keni vënë re që edhe njerëzit sikur janë më të dashur? Po dalin nga shtëpitë e errëta, po zgjohen shpejt, po marrin rreze dielli, po shijojnë gjelbërimin, po përqafohen më shpesh, po përcjellin energji pozitive. Aman se e kërkojmë si me “qiri” të shkretën! Ato vetullat e ngrysura në pikë të mëngjesit ta hanë shpirtin dhe nuk bëhesh më as për punë, as për shkollë, as për të vënë drekën në zjarr, as për të pirë ndonjë kafe të shijshme… hiç, hiç fare! Halle kemi të gjithë, po të rezervohemi një çikë dhe mos t’ia shfryjmë çdokujt na del para, se jo vetëm nuk na i zgjidh, po edhe na merr inat, që po e ngarkojmë negativisht. J

Kjo periudha e “zgjimit” shoqërohet nga shpërthime të natyrshme. Lulet dhe hormonet na orientojnë për t’i plotësuar vetes ca dëshira më shumë. Mos kujtoni se po “fluturojmë”, se alternativat që do ju japim janë ekonomike, se dhe ne njerëz të thjeshtë jemi tek e fundit. J

Ja për shembull, pse ta kalosh të shtunën në shtëpi dhe mos të organizosh një piknik me shoqërinë? Pse mos të provosh një ecje të gjatë ose ngjitje në mal? Pse mos të marrësh fëmijët dhe të shëtisni buzë detit? Pse more i lini rrezet e diellit të ikin dëm dhe nuk i rrëmbeni qoftë nga veranda apo tarraca e pallatit? J

Tregohuni pak më të zgjuar: racionalizoni kohën, se e di që zonjat po më “shajnë”, duke pretenduar që fundjavën e kanë për punë brenda katër mureve. Ndërsa zotërinjtë nuk i durojnë dot të qarat e bebit edhe në të vetmet ditë pushimi. Natyra ka hapësirë për të gjithë, pa shqetësuar askënd.

Kjo është periudha ideale për t’u arratisur nga zhurma e qytetit dhe për të gjetur “prehje” në fshat, det, mal apo kodër. Shkencëtarët pohojnë me zë të lartë, se larg zonave urbane gjendet edhe çelësi për minimizim të stresit.

Ah kjo fjalë, STRES! Burim sëmundjesh, që buron nga e përditshmja e lodhshme, frustruese, sfiduese. Ta mposhtim dhe ta lëmë në qytetet e mëdha, se ne në pranverë ikim larg… Nuk kemi pse të presim deri për të bekuarat pushime, momentin mund ta shfrytëzojmë që tani!

Larg zhurmës dhe smogut në hapësira që syri nuk i përshkon dot deri në fund, pranë njerëzve më të dashur apo ndoshta dhe vetëm fare… merrni kohën që meritoni për të “karikuar bateritë” tuaja. Mos harroni se jemi prej mishi e gjaku dhe nuk na shkon të sillemi si robotë. Kemi nevojë për qetësi, për të marrë kënaqësi të vogla nga jeta. Shoppingu i rrobave firmato nuk duket asgjë përpara një fëshfërime gjethesh, apo hoteli me pesë yje mos të ketë të krahasuar me një cicërimë zogjsh.

Jo për idealizëm, po për t’u afruar me realitetin e vërtetë njerëzor, me keqardhje lidh materialen me mungesën e lumturisë dhe në të anasjelltë.

E kujtoni besoj atë barcaletën me mbretin, që donte të gjente këmishën e një njeriu të lumtur. I vetmi burrë i lumtur ishte ai, që këndonte ulur këmbëkryq në rrugë, po në fakt nuk kishte këmishë fare. Kështu mbeti mbreti me gisht në gojëëë!!!

E pra, duajeni dhe kapuni fort pas jetës, pas çdo detaji që jeta urbane e shpërfill, po ajo humane duhet t’i japë rëndësi. Mbusheni shpirtin me aromë pranvere, ku të jetë nëpër Shqipëri. Natyra na ka dhuruar një vend të bukur, ne le ta shijojmë të gjithë bashkë dhe me një gotë poziviteti le të ngremë dolli! Qofshi të gëzuar!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.