Hapi krahët shqipe, në fluturimin europian!

Gazeta Paloma - - Koktej -

Emocion, ndjenja të papërshkrueshme, të shoqëruara nga rrahje të forta zemre dhe ngjethje mishi… nëse ka një moment kur shqiptarët janë ndierë të gjithë njësoj krenarë është pikërisht ky: pjesëmarrja e këngëtarëve në Eurosong 2018. Me një këmbë pothuajse brenda në BE, me sytë nga shpresa e madhe për zhvillimin e vendit dhe rrugëtimin për një të ardhme më të sigurt, teksa lëmë pas festimet në kuadër të Ditës së Europës, sonte jemi gjithë sy e veshë nga artistët tanë. Flamujt kuqezi e kanë “pushtuar” sallën, ndërsa brohoritjet e kanë kaluar nivelin “ekstazë”. Në mbrëmje presim lajme të mëdha nga Genti, Ermali dhe Eleni, që pavarësisht se cilin vend përfaqësojnë, në deje u rrjedh gjak shqiptari dhe ne bëjmë tifo me gjithë shpirt. Bushpepa ka qenë përfaqësuesi më dinjitoz që kemi dërguar deri më sot në Festivalin e Këngës Europiane, me një krijim të niveleve të larta artistike dhe një vokal që marrosi femrat anekënd kontinentit. Performanca e shkëlqyer nuk ka nevojë për komentin tonë, aq më tepër kaq orë pranë finales. Ermal Meta e gjeti formën t’i përshëndeste bashkatdhetarët në një mënyrë kreative dhe origjinale. Një pjesë e tekstit të këngës u shkrua në skenë edhe në gjuhën shqipe. Teksa i sheh në foto dy djemtë, në mend të vijnë rilindësit, me kokën plot ideale dhe vullnetin e hekurt, për të arritur qëllime madhore në favor të atdheut. Eleni është vajza nga Fieri që përfaqëson Qipron me këngën “Fuego”. Skenës ia vuri “flakën”, ndaj dhe zërat e përflasin si një ndër pretendentet kryesore për ta fituar. 30-vjeçarja do të këndojë e 25-a sonte, pra e parafundit, për t’ia lënë radhën Italisë (Ermal Metës). Të jetë vallë një rastësi e bukur, për bekimin që shqiptarët presin në muajin qershor? A do t’ia dalë ndonjëri nga të tre që të ngrejë lart trofeun? A i ndajmë dot nga njëri – tjetri, duke bërë pak më shumë tifo për Gentin? Janë këto pyetjet, që ju mundojnë juve, mua, të vegjël e të mëdhenj, sepse realisht të tilla emocione nuk kishim përjetuar kurrë më parë. Le të shërbejnë tre artistët si modeli perfekt i të rinjve që aspirojnë rrugën e suksesit. Le t’u tregojmë atyre se sakrificat, dëshira dhe vullneti nuk pyesin për kushtet apo vendin në të cilin rritesh. Genti, Ermal dhe Eleni, faleminderit që na bëni krenarë! Juve nuk ju bëri as shteti, as politika, as “pisnezmenët”, as shoqëria civile, as… ju bëri këmbëngulja dhe puna e jashtëzakonshme, që nuk meriton vetëm duartrokitje, pas triumfit në një kompeticion ndërkombëtar. Ju meritoni shumë më shumë, po për këtë pikë do flasim herë tjetër! Sonte po kryqëzojmë gishtat për performancat tuaja, duke mos dashur ta prishim magjinë e kësaj nate, që shqiptarët do e mbajnë mend gjatë dhe do e ruajnë në memorie si një ndër kujtimet më të rralla. Hapi krahët shqipe në fluturimin europian, sepse asgjë ty nuk të ndal! Presim një foto me të tre bashkë, për të na treguar se forca më e madhe e këtij kombi janë të rinjtë e vlerave. I kemi sytë nga ju, ndërkohë ju bashkëkombës jashtë kufijve mos harroni të votoni, sepse mbështetja materializohet vetëm me një mesazh. Suksese!

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.