Nuk e gjykoj veten për çka bëra

Gazeta Paloma - - Histori -

Përshëndetje të dashur lexues të gazetës “Paloma”! Duke lexuar vazhdimisht këtë gazetë, në veçanti rubrikën e historive personale, më vijnë ndër mend kujtime nga vitet e rinisë sime. Këto kujtime më duken aq të afërta, sa edhe të largëta në të njëjtën kohë. Më duken të afërta sepse arrij të kujtoj me saktësi momente nga e kaluara ime, por edhe të largëta sepse më duket sikur në disa momente nuk kam qenë i njëjti njeri që jam sot.

Përmes këtij shkrimi dua të ndaj me ju një histori të jetës sime, një histori dashurie.

Quhem M. dhe jam 52 vjeçe. Jam e martuar prej 23 vjetësh dhe kam 2 fëmijë, të cilët janë jeta ime.

Kam kaluar momente të bukura, të hidhura, të vështira, si çdo njeri tjetër, e megjithatë sot them se jam e kënaqur nga jeta që kam bërë. Sigurisht, ka pasur momente kur kam gabuar, por unë evitoj që ta gjykoj veten e aq më tepër të ndikohem nga gjykimet e të tjerëve. Ka pasur momente kur jam ndierë në faj, por sot mendoj se nuk ia ka vlejtur sepse ndjenja e fajit nuk i kthen gjërat mbrapsht.

Pata fatin që në kohën e sistemit komunist të ndiqja fakultetin, kur kjo gjë nuk ishte e thjeshtë si sot, që mjafton vullneti për të ndjekur studimet. Në atë kohë arsimimi nuk më solli ndonjë gjë shumë të mirë. Përkundrazi, sapo mbarova studimet, edhe pse ishin vitet e fundit të komunizmit, më caktuan mësuese në një fshat në jug të Shqipërisë. U mërzita pa masë, por nuk mund të kundërshtoja.

Kur shkova atje jeta m’u vështirësua, pasi isha mësuar të jetoja ndryshe në Tiranë, pranë familjes sime. Por me kalimin e kohës u mësova me jetën e atjeshme. Ndoshta në daljen nga pesimizmi ndikoi edhe njohja me bashkëshortin tim. Edhe ai vinte nga qyteti ashtu si unë dhe punonte në fshat. Ishim të dy larg familjeve dhe tek njëritjetri gjetëm ngrohtësinë e munguar.

Deri atëherë nuk mund të them se kisha përjetuar ndonjë histori dashurie. Bashkëshorti im ishte dashuria ime e parë.

Vendosëm të martoheshim kur kishim një vit që njiheshim e dashuroheshim. Prindërit e mi, të cilët mbahen si njerëz të mençur, më thanë se po nxitohesha, por unë nuk ua vura veshin.

U martuam në vitin kur nisën ndryshimet e sistemit. Në të njëjtën kohë erdhëm të jetonim në Tiranë, në shtëpinë e prindërve të mi, sepse familja e bashkëshortit jetonte në një qytet tjetër. Ishim të lumtur atëherë. Me ndërhyrjen e tim eti, brenda një kohe të shkurtër arritëm të siguronim një shtëpi vetëm për ne të dy, ndërkohë që unë prisja fëmijën e parë.

Në fillim të viteve ’90 jeta në Shqipëri ishte shumë e vështirë. Ndoshta kjo u bë shkak që marrëdhënia jonë të ndryshonte. Vështirësitë ekonomike bëheshin shpesh shkak diskutimesh. Bashkëshorti nisi të pinte, në një kohë kur ne sapo ishim bërë prindër. Vinte vonë në shtëpi dhe pothuajse përherë ishte i nxehur. Sapo m’u rrit pak djali dhe kisha mundësi ta lija tek prindërit e mi, gjeta një punë të mirë falë edhe arsimimit që kisha.

Kam qenë gjithmonë natyrë e vendosur dhe ndoshta kjo më ka ndihmuar t’i kaloj të gjitha vështirësitë me të cilat më ka përplasur jeta dhe të fitoj një pozicion të kënaqshëm. Iu përkushtova punës në atë kohë dhe djalit sigurisht. Bashkëshorti kaloi në plan të dytë, madje nuk mund ta mohoj që hera-herës edhe më bezdiste prania e tij. Kishte raste që nuk arrija ta besoja që ai ishte njeriu me të cilin kisha rënë në dashuri pak vite më parë.

Që në vitin e parë të punës dallova nga të tjerët, madje tërhoqa vëmendjen. Në atë kohë e ndieja që kisha tërhequr mbi të gjitha vëmendjen e meshkujve. Nuk mund ta mohoj që ia lejoja vetes ndonjë flirt, por nuk kisha menduar ndonjëherë se mund të dashuroja dikë tjetër që nuk ishte burri im.

Në fakt kjo ndodhi. U njoha me A-në në punë dhe mes komplimentesh e buzëqeshjesh nisi marrëdhënia jonë. Edhe sot e kujtoj momentin kur u puthëm për herë të parë. Nuk kam qenë kurrë natyrë që skuqem, por kur ai më puthi ndërsa ngjitnim shkallët për në punë nuk arrita të mos skuqesha. Ishte një puthje e papritur, të cilën unë nuk e refuzova, edhe pse doja ta bëja një gjë të tillë.

Doja ta refuzoja atë puthje sepse isha e martuar dhe nuk doja të quhesha e përdalë. Mbi të gjitha, më vriste opinioni i të tjerëve. Por kur nuk munda ta evitoja atë që ndodhi, vendosa që me çdo kusht të ruaja fshehtësinë e marrëdhënies sime me A-në. Në fakt nuk i pata bërë llogaritë mirë sepse të gjitha veprimet e mia më tradhtonin, qoftë edhe mënyra se si e shikoja A-në.

Në ambientin e punës ra në sy se diçka po ndodhte mes nesh. Nisën dhe thashethemet, për të cilat nuk mund të them se nuk ishin të vërteta. Shkuan fjalë edhe tek bashkëshorti im, me të cilin isha larguar shumë. Që nga ky moment, veç problemeve të tim shoqi me alkoolin, u shtua edhe xhelozia e tij e tërbuar, që jo në pak raste degjeneronte në dhunë fizike e psikike. Disa herë mendova të ndahesha prej tij, por nuk kisha guximin ta bëja një gjë të tillë. Në atë kohë i druhesha shumë thashethemeve.

Vazhdoja të takohesha fshehurazi me A-në, edhe pse mundësitë e mia ishin të pakta. Në krahët e tij gjeja qetësi. Nuk më shkohej në shtëpi dhe i gjeja vetes punë për ta zgjatur sa më shumë kohën e qëndrimit në punë, ku kisha mundësi të shikoja edhe A-në. Më kujtohet se një herë burri më kërkoi ta lija punën. E kërkonte këtë gjë me insistim. U detyrova të merrja lejen e zakonshme dhe ta bindja atë që të kthehesha sërish në punë. M’u desh shumë durim për ta arritur këtë. Në këtë kohë mbeta sërish shtatzënë. Kjo situatë më krijoi një gjendje ankthi të jashtëzakonshëm. Vetëm qaja. Fola me A-në dhe i tregova gjithçka. E mbaj mend se ai u step dhe të nesërmen më tha se ishte më mirë ta ndërprisnim marrëdhënien tonë. Më tha se ishte më shumë në të mirën time. Ai asnjëherë nuk kërkoi të angazhohej më shumë me mua. Nuk më kërkoi të ndahesha nga burri dhe as të ndërtonim jetën bashkë. E gjykova dhe unë të udhës ta ndërprisja këtë marrëdhënie pasi nuk mundesha më.

Po atë ditë kur po dilja nga puna u ndesha tek shkallët përpara godinës së punës sime me A-në dhe ndalova të përshëndetesha. Sapo u ndava prej tij pashë që im shoq ishte disa metra larg nesh. Turfullonte, nuk tha asgjë, vetëm mërmëriste fjalë që nuk i kuptoja. Kisha frikë ta pyesja se çfarë kishte apo çfarë thoshte dhe heshta. Që nga ajo ditë situata u përkeqësua. Më vonë ai dyshoi edhe për atësinë e fëmijës tim të dytë, edhe pse fëmijën e kisha me të (me bashkëshortin).

U ndjeva në faj për atë që kisha bërë, edhe pse nganjëherë e justifikoja veten. Pastaj fillova ta gjykoja veten ashpër për tradhtinë që kisha bërë. Pata një moment depresioni, të cilin e kalova vetëm falë fëmijëve të mi. Vetëm për ata vendosa të bëhesha e fortë dhe ta rregulloja jetën time sa të mundesha.

Asnjëherë nuk arrita ta riktheja marrëdhënien me bashkëshortin si në fillim, por të paktën arrita të vendosja një ekuilibër. Ai nuk arriti të bënte shumë gjëra në jetë. Problemet me pijen asnjëherë nuk u zgjidhën përfundimisht. Edhe sot kujdesem unë për të. Iu përkushtova familjes, veçanërisht fëmijëve të mi, të cilët janë rritur e janë bërë si yje.

Teksa shoh njerëzit përreth kam arritur të kuptoj që secili prej tyre ka gabuar një herë një jetë, ashtu si unë, prandaj nuk e gjykoj më veten time. Në fund të fundit, atëherë bëra atë që ndjeva dhe askush nuk mund të më fajësojë për këtë.

Me A-në ndeshem ende në punë. Kemi një marrëdhënie miqësore. Duket sikur i kemi harruar momentet e pasionit që kemi kaluar para shumë vitesh. Kam mësuar të mos ndihem në siklet në prezencë të tij, sepse në fillim e kisha të vështirë këtë.

Tani jetoj e qetë me familjen time. Dua t’u them të gjithë të rinjve, lexuesve të gazetës, që të shohin gjithmonë përpara e të mos mbeten peng e së shkuarës. Jeta nuk është aq e shkurtër sa duket, nuk është as e shëmtuar. Mos lejoni askënd t’ju gjykojë dhe për më tepër mos e gjykoni veten! E nisa me përtim të madh ta shkruaj këtë histori, por tani ndjehem më e qetë që e ndava me ju.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.