Nusja do të jetë “gjel”, por nuk e pranoj kurrë. Ta ndaj, apo ta mbaj?

Një personazh shumë i njohur i skenës dhe i ekranit u përgjigjet pyetjeve tuaja

Gazeta Paloma - - Front Page - Dërgoni pyetje me mesazh në cel: 068 27 66 166 ose e-mail: gazetapaloma@gmail.com

Mister X, jam aktualisht në një marrëdhënie me një djalë shumë simpatik. Kemi 6 muaj që dalim së bashku dhe kalojmë shumë mirë. Problemi i vërtetë është mamaja ime. Ajo është ndarë nga babai dhe ka frikë se mos edhe unë bëj zgjedhje të gabuar si ajo. Unë i tregoj asaj gjithçka dhe ajo nuk pëlqen asnjë nga të dashurit e mi. Kudo e gjen ndonjë te metë. Mamaja ime mendon se unë e takoj shumë shpesh atë dhe ajo e sheh të papërshtatshme gjithë këtë afeksion, ndërkohë që unë i jap po aq kohë edhe asaj dhe pjesës tjetër të familjes. Dua një mendim nga ti se si të sillem. Si të vendos një balancë mes familjes dhe të dashurit?

Përgjigje: Zgjedhja duhet të jetë e jotja dhe jo e mamasë. Me përvojën dhe intuitën tënde tashmë je më e qartë se cili është “ai” që do të të zhgënjejë më pak.

Mister X, jam e lidhur prej 5 vitesh. Tashmë kemi nisur edhe të bashkëjetojmë. Lidhja jonë ka pasur ulje-ngritjet e saj, por ne kemi vendosur tani të rrimë më pranë njëri-tjetrit. Kur u zumë njëherë, i dashuri kaloi një natë me një femër tjetër. Që atëherë asgjë nuk ka ndodhur, me aq sa di unë. Një ditë duke kontrolluar në kompjuter gjeta një folder me disa foto të një femre lakuriq. Fotot kishin datën që përkonte me aventurën e tij kur ne u ndamë. Ama kjo nuk ishte femra me të cilën kishte fjetur. Kur e pyeta më tha që janë foto që qarkullojnë online dhe i kishte vendosur pa dashje për shaka me shokët. Nuk e besova. Para një jave zbulova se ai ka një bisedë aktive me këtë femër për gjithë këto vite. Ndihem e tradhtuar. Pse duhej t’i sillte ajo foto nudo? Pse ai fshiu bisedat kur i thashë të m’i tregonte? Nuk di se çfarë të besoj tani. Albana, Tr.

Përgjigje: Dje ishte dje, sot është sot. Pyetja është: Sot dhe nesër çfarë do të bëjë? Në kohën e realitetit virtual, gjithçka është më e lehtë për t’u takuar edhe kur tjetri/tjetra janë në anën tjetër të botës. Supozo se do ta mbyllësh këtë “folder” apo t’i japësh “delete”… Je në gjendje

të bësh “restart”? f

Mister X, kam tre vjet e lidhur. Marrëdhënia shkon shumë mirë. Një ditë dola me të dashurin dhe një kolegen e punës së tij. Ata më thanë se janë shokë dhe kolegia kishte një lidhje paralele. Të them të drejtën jam shumë xheloze. M’u duk sikur ata ishin çifti dhe unë një e tretë. Mos po e ekzagjeroj? A duhet të flas me të mbi xhelozinë time? Ç’të bëj?

Përgjigje: Xhelozia, nëse është më e fortë se ç’duhet, të nxjerr edhe të katërtën. Ul pak sasinë e “uthullës” te vetja. Uthulla e fortë prish enën e vet.

Mister X, kam qenë i martuar për 7 vjet. U ndamë se gjërat nuk po shkonin si duhet. Gruaja bëri më të mirën e saj dhe më dha gjithçka kishte. Unë nuk dita ta trajtoja si duhet dhe e humba. Papritur ajo më tha që duhet të ndaheshim. Për të nuk kishte kuptim të vazhdonim. E lashë. E dija që e kisha bërë të vuaja. Vërtet nuk ia vlente më. Nisa të pija dhe endesha rrugëve. Edhe pse të ndarë, ajo më pa në gjendje të keqe dhe u kthye prapë. Një muaj më vonë u ndamë sërish. Avazi ishte i njëjti. Pas një viti ajo më shkroi si një shoqe. Donte të kujdesej për mua. Më tha se i vinte keq dhe donte të ishim shokë. Unë nuk e shoh dot si shoqe, pasi e dua. A mendoni se kjo është një përpjekje për t’u lidhur prapë? Si duhet të sillem para asaj. Nuk dua ta humbas më.

Përgjigje: Unë mendoj se ti ke fituar lotarinë pa blerë biletën. Bëje shoqe si hap të parë dhe nëse të kanë ardhur vërtet mendtë mund ta kesh tënden, por vetëm nëse ke kuptuar ku e ke të keqen dhe të nxjerrësh para saj pjesën më të mirë, atë të vitit të parë të marrëdhënies tuaj

Përshëndetje Mister X! Ju admiroj për përgjigjet dhe këshillat që jepni. Është hera e dytë që ju shkruaj. Përgjigjja e parë më ka ndihmuar jashtë mase. Ndaj do të doja shumë edhe një këshillë tjetër nga ju. Jam një vajzë 20 vjeçe nga Durrësi. Dua një djalë, ai është 24 vjeç, por është i fejuar. Më thotë që nuk e do të fejuarën, por është fejuar sepse donte familja e tij. Unë nuk ia shpreh këtë gjë atij, por më bën të ndihem shumë keq fakti që është i fejuar dhe s’dua të jem një e tretë. E dua shumë. Jam e lidhur me të prej 2 vitesh. Të lutem më thuaj, të vazhdoj me të apo të ndahem përfundimisht? Faleminderit dhe ju uroj gjithë të mirat! L.

Përgjigje: Është zgjedhja jote. Do të jesh e treta në këtë lidhje, apo do të kesh një lidhje ku të jesh e para. Djali nesër do të martohet dhe do të thotë: Nuk e doja, po çfarë t’i bëja familjes? Pastaj do të bëhet me fëmijë dhe prapë do të thotë: Nuk desha, po çfarë t’i bëja familjes? Më pas do të të thotë ty: Nuk mund të vazhdojmë më. Unë të dua shumë, po e ka marrë vesh familja! E pra, në fund dalim te familja. Do të kesh ti familje me të apo ajo tjetra? Po kjo është për të ardhmen. Për të sotmen bëj çfarë të duash.

Mister X, jam Gentjani nga L., 22 vjeç, i martuar me dashuri. Kam një problem: nusja do të jetë “gjel”, por nuk e pranoj kurrë që të më hipë mbi shpatulla. Nganjëherë i gjuaj dhe shkon gjendja deri në ndarje. Kështu e kanë malësoret, të urdhërojnë, por unë si djalë nuk e pranoj. Si më këshilloni të veproj se jam shumë i mërzitur? T’i jap fund martesës, apo do të bjerë kjo vajzë?

Përgjigje: Malësorët e respektojnë shumë gruan. Nuk e di çfarë komande do të marrë një vajzë 20-vjeçare, di që të jesh në dashuri do të thotë të bësh për tjetrin më shumë se për veten.

Mister X, dua të di, në cilën moshë njeriu është më i pjekur? Përse pleqtë janë më të vullnetshëm se ne të rinjtë? Pse janë më të qetë?

Përgjigje: Përvoja e dashur, përvoja. Jeta të mëson disa gjëra që nuk t’i mëson shkolla dhe familja. Por pjekuria nuk është lineare. Ka djem që duken si pleq në veprime dhe mendime, por vjen një moshë që quhet “kriza e moshës së mesme” që sillen si adoleshentë. Është rast pas rasti.

Përshëndetje Mister X! Mendon se lidhja me anë të telefonit mund të përfundojë në diçka më serioze? Jam e lidhur prej 1 muaji me një djalë që më thotë se më do seriozisht dhe se është i gatshëm t’i thotë edhe familjes time. Jemi takuar disa herë dhe mua më pëlqen shumë, por frika më shoqëron gjithmonë, nuk e di pse, ndoshta ngaqë më përpara ka qenë shumë feminist. Me respekt nga Tr.

Përgjigje: Po, ka shumë të ngjarë. Njerëzit sot pothuajse gjithë ditën e kalojnë me telefon. Pyetja është: A do ta lërë telefonin dhe nuk do të jetë më feminist pasi të njihet me ty?

Mister X, jam martuar që 16 vjeçe dhe kam 2 fëmijë. Sot jam 30 vjeçe. Me burrin kam kaluar mirë, por e dashuruar me të besoj se nuk kam qenë kurrë. Tani jam e dashuruar, por është e kotë se jemi të martuar të dy. Jam shumë e shqetësuar. Edhe po ta ndër- pres lidhjen me të, edhe pse pothuajse jemi shkëputur se kemi shumë kohë pa u parë, unë prapë nuk mundem të vazhdoj të jem e martuar se duhet të kaloj jetën duke bërë sikur e dua burrin dhe kjo gjë është shumë e vështirë. Të lutem më kthe përgjigje se e kam humbur fare.

Përgjigje: Është vendim i vështirë, por është i yti. Shkëputja nga i dashuri të ka dhënë një mësim dhe një ndjesi për të ardhmen. A je gati të bësh divorc tani? Të marrësh kohën tënde për vendimin e madh apo këtë “kohë” do ta kalosh duke ndenjur me burrin duke bërë rolin e nënës së fëmijëve?

Mister X, vëllai pati dyshime tek unë që nuk dolën të vërteta. Unë më përpara kam bërë një gabim të vogël me familjen e nuses së tij, ndoshta të tjerët u munduan të na përçajnë edhe më keq. Kemi pasur konflikte, kërcënime… për një qime floku kemi arritur deri te vrasja! Erdhi një moment që unë i thashë se për një-dy arsye duhej ta rregullonim marrëdhënien ose t’i jepnim fund për fare. Më në fund u pajtuam me një fjalë të tij, duke më thënë se mua më kishte vëlla aq sa të thoshte gruaja e tij. Kur dëgjova këtë i thashë se ne qenkemi sërish të prishur. Cili është mendimi yt?

Përgjigje: Me apo pa dashje je shkaktar i një sherri të madh. Vëllai do të mbetet vëlla, por duhet të mos e vësh nën presion. Ai ka familjen e tij dhe sot janë të gjitha mjetet dhe kushtet t’i gjendeni njëri-tjetrit në të mirë dhe të keq. Rri ca kohë duke qenë më pak prezent në jetën e vëllait.

Mister X, a u pëlqen femrave të bëjnë seks po aq sa ne djemve?

Përgjigje: Djemtë janë më të paturpshëm në të kërkuar, por femrat kanë më shumë dëshirë. Kësaj pyetjeje të vjetër i kanë dhënë përgjigje përfundimtare studimet.

Mister X, të falënderoj shumë për sugjerimet e tua! Jam e lidhur me një djalë shpirt njeriu, duhemi shumë dhe mbi të gjitha ia duam të mirën njëri-tjetrit. Ka zemrën e një fëmije. E vetmja e metë e tij është se ka filluar lojërat e fatit dhe dita-ditës po shkatërrohet. Ka shkuar edhe te psikologu, por pa rezultat. Jam shumë e stresuar se ka shumë kohë që ka filluar dhe nuk po mundet dot ta lërë. Nuk e di si do t’i shkojë halli, nuk e di çfarë mund të bëj unë se nuk dua kurrsesi ta lë vetëm, edhe pse ka filluar lojërat, me mua është thjesht perfekt. Si ka mundësi një njeri i tillë të bëhet kështu? Një mendim apo një sugjerim nga ana jote do të më ndihmojë shumë.

Përgjigje: Do ta kishte më të lehtë të kishte nisur cigaren e alkoolin sesa bixhozin. A mundesh t’i injektosh një pasion tjetër më të madh, më të bukur, më të rëndësishëm se lojërat e fatit? Ka njerëz që kanë pasur sukses, por me ato raste që njoh unë janë marrë shumë seriozisht prindërit.

Mister X, para disa kohësh kisha një problem, u lidha me një psikolog e bëra disa seanca, por ky psikologu jo vetëm që s’bëri gjë, por m’u desh të paguaja qimet e kokës me ato seancat e me ilaçet gjoja bimore që më rekomandoi. Si mendoni, a duhet të veprojë ligji me të tillë psikologë?

Përgjigje: Një psikolog që të jep ilaçe bimore është mashtrues. Por psikanalistët janë njerëz që ne i paguajmë vetëm për të dëgjuar hallet tona.

Drogë, aksidente, mbytje, abuzime e gjithçka të zezë po shohim e dëgjojmë. Mister X, shyqyr që është Ramazan të gjejmë pak paqe në shpirt. Ti agjëron Mister X, apo je fe tjetër? S. Tr.

Përgjigje: Jo, unë nuk agjëroj, por kam një konsideratë dhe respekt maksimal për çdo agjërues.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.