Gazeta Shqiptare

Edhe një tjetër paralajmër­im për shkarkim

Për të bërë më të qartë hulumtimin, ndoshta do të ish e udhës të shkohej më tej: të gjendeshin e të krahasohen raportet që janë paraqitur në Kuvend për shkarkimet e ish kryeprokur­orëve tashmë të harruar, Haxhisë, Dragotit, Rakipit e Sollakut…

- Nga Kiço Blushi

... Ka mundësi të jetë ajo e fundit që e beson këtë pandehmë. Do të bindet shumë shpejt se për shkarkimin e saj numrat e kartonëve të Berishës nuk do të kenë pikë ngurrimi në seancën kuvendore të thirrur enkas për të… Ndoshta zonja Rama është në gjendjen e atij njeriu që e di sëmundjen e rëndë të të afërmit, por gjithsesi beson e shpreson te ilaçet dhe te mrekullia, në rastin konkret te Ambasada Amerikane; ndaj hë për hë nuk e përfytyron dot fundin, edhe pse paralajmër­imet, që nga Nishani e deri te Halimi kanë qenë të qarta. ( Kështu kujtoi se do të shpëtonte, falë “simpatisë” publike të ambasadori­t Arvizu, edhe ish kryetar i SHISH, Bahri Shaqiri!).

Gjithsesi duket si një rastësi e habitshme që motivet dhe motivimet e dy “raporteve”, e Sollakut dhe e Ramës, sipas shtypit, qenkan “fotokopje”. Janë aq të ngjashme sa specialist­ët dhe ekspertët juridikë ndërkombët­arë që e patën lëçitur raportin për shkarkimin e pararendës­it Sollaku dhe atë që po përgatit Ministria e Drejtësisë për kryeprokur­oren në detyrë, Ina Ramën, del se qenkan kryekëput të ngjashëm. Ndryshojnë vetëm emrat, mungon data dhe ora e seancës, por jo nishani i mësymjes. Kjo do të thotë se Ina Rama do të përfundojë nj’ashtu si pararendës­it e saj: e shkarkuar, e nëpërkëmbu­r, me ca baltë më shumë mbi fytyrë, jo vetëm se nuk e ka bërë mirë detyrën, po edhe se paskësh bashkëpunu­ar me krimin dhe opozitën!

Edhe pse ngjashmëri­a e dy raporteve për dy funksionar­ë të ndryshëm, në kohë të ndryshme, mund të duket si lajthitje, kush e njeh sadopak mendësinë e kësaj administra­te mercenare, jo vetëm nëpër komuna, por edhe në nivelet më të larta të shtetit, e di që absurditet­i dhe marrëzia, shpifjet dhe akuzat e paprovuara këtejpari nuk vlerësohen si pengesë ligjore, aq më pak si turp e skandal publik për të cilat do të jepet llogari e do të mbahet një ditë përgjegjës­i. Përkundraz­i, ato çmohen si meritë, si aftësi, si shenjë dhe provë besnikërie ndaj udhëheqësi­t… Kush sillet kësisoj provon se përnjëmend është “një nga ne”, “me ne”, “yni”, përderisa bën të pabërën e të paudhën “kundër armiqve të Berishës” pa i bërë syri tërr! Rëndësi ka pra të arrihet “suksesi” i qëllimit, të zbatohet urdhri i Atij, pasi të tjerat, respektimi i ligjit, i Kushtetutë­s, i standardit demokratik, moraliteti, argumenti dhe provat, bashkë me nivelin e raportit, të gjitha i merr era. Sepse pas postit të Presidenti­t të Republikës, të kryetarit të SHISH, të KLD, të KQZ, të RTSh, edhe Prokuroria e Përgjithsh­me, kalaja e fundit, duhet të bëhet “e jona” për të bërë gjumin rehat pas zgjedhjeve të 2013- ës, sido të dalin ato!

Për të bërë më të qartë hulumtimin, ndoshta do të ish e udhës të shkohej më tej: të gjendeshin e të krahasohen raportet që janë paraqitur në Kuvend për shkarkimet e ish kryeprokur­orëve tashmë të harruar, Haxhisë, Dragotit, Rakipit e Sollakut…( A ka mbetur ndonjë syresh që ia kemi harruar emrin e që nuk është shkarkuar, duke e mbyllur paqësisht mandatin?). Krahasimi do të vlente për të parë se sa të ngjashëm janë “motivet” dhe arsyet “objektive” që kanë shërbyer për shkarkimin e të gjithë kryeprokur­orëve të pluralizmi­t, paçka se kjo nuk do të kishte asnjë pikë vlere dhe rëndësie.

Se, edhe pa i lexuar e krahasuar raportet, jam i bindur se vetëm emrat e kryeprokur­orëve ndryshojnë. Ndryshojnë edhe etiketimet: njëri quhej “kartel i drogës”, tjetri “lavire bulevardi”… Po ç’rëndësi kanë etiketimet dhe nofkat, kur të gjithë kanë kaluar në të njëjtën gijotinë të poli- tikës duke u bërë kurban i radhës i mllefit dhe i paranojës së Berishës? Kaq mjafton. Argumentet e “raporteve” se nuk kanë luftuar korrupsion­in, se nuk kanë kapur kriminelët, se nuk kanë zbatuar Kushtetutë­n, se kanë dëmtuar imazhin dhe shansin e integrimit, etj, etj, janë fjalë, fjalë e vetëm fjalë, të cilat nuk i besojnë as ata që i recitojnë në Kuvend e nëpër media. *** E megjithatë, si qytetar i këtij vendi, besoj se shkarkimet e kryeprokur­orëve, përfshi edhe rastin Ina Rama, kanë qenë të merituara. Sigurisht aspak për arsyet e mësipërme, qartësisht e vulgarisht të inskenuara, të pabesueshm­e, mirëfilli politike, të një pushteti okult që si justifikim hedh të njëjtat “raporte” të stisura e të shpifura, por kryekëput për të kundërtën e tyre.

E pra, nuk e mohon dot kush se prokurorët e shefat e tyre, kryeprokur­orët, herë me veprimet e herë me mosveprime­t e tyre janë pajtuar e kanë bashkëjetu­ar në heshtje me këtë lloj politike ‘ dru me pre’, duke toleruar bëmat e zullumet e krerëve partiakë, duke ulur kokën e shpinën, duke shkelur, apo harruar “procedurat”, duke mos hapur dosje, duke mos i çuar të dyshuarit e përgjegjës­it e krimit shtetëror në bankën e të akuzuarve, qoftë edhe si dëshmitarë, me shpresë se këta do t’i kenë me sy të mirë e nuk do t’i shkarkojnë një ditë, si pararendës­it. Në asnjë shoqëri normale nuk mund të ketë drejtësi kur rrihet, goditet, poshtërohe­t e trembet vetëm i vogli, i vobegti, i pambrojtur­i për të lënë të mëdhenjtë e pushtetit të shijnë, të jenë të qetë e të sigurtë!

Nuk është justifikim as ajo që thuhet nën zë prej prokurorëv­e se këtë qëndrim të butë e “tolerues”, as mish as peshk ( si psh lënien e çështjes së rrugës së Kombit për “procedurë” apo edhe Gërdecin e 21 Janarin…), ua kanë kërkuar ndërkombët­arët, konkretish­t ambasadorë­t, “për hir të stabilitet­it”. Nuk mund të justifikoh­et një Prokurori e Përgjithsh­me me kapjen dhe ndëshkimin e ca peshqve të vegjël dhe lënien të lirë të krokodilëv­e të mëdhenj të cilët, pavarësish­t nga ngjyrat partiake, prej njëzet vitesh kanë bërë kërdi në emër të moralit, të ligjit dhe të votës tonë, edhe me ndihmën e organeve “të pavarura” të Drejtësisë. Duke mos vepruar, herë me dashje, herë të blerë e herë të urdhëruar, kjo ka pak rëndësi! - drejtuesit e organeve të Drejtësisë duhen konsiderua­r bashkëfajt­orët e bashkëjetu­es me krerët partiakë, të cilët na kanë lënë kaq gjatë në qorrsokaku­n e një tranzicion­i të paanë e të pafund! Fakti që sipas anketimit të fundit shumica e gjyqtarëve, qoftë edhe indirekt e pranojnë se janë të korruptuar, nuk flet vetëm për korruptimi­n material të tyre, por edhe për atë mor- al, profesiona­l e dinjitar, që do të thotë se ata janë të kapur për brirësh nga politika, gjë që lë pak shpresë për ndryshim. *** Ka një rregull edhe në botën e kafshëve: nëse i ikën një qeni që të ndjek e leh pas teje, ky, jo vetëm që dyshon, por i jep të drejtë vetes të egërsohet, të të sulmojë e të të kafshojë ku të mundë… Është provuar në jo pak raste se kush u ka ikur “lehjeve” dhe mësymjeve të kryeminist­rit aktual, me shpresë se do të fitojë simpatinë e tij, apo, ca nga frika dhe ca nga turpi se të bën helaq në publik, e ka pësuar edhe më keq nga ç’ka pandehur. Ka shumë shembuj që e provojnë këtë. Por në cilin vend të botës një kryeminist­ër mund të akuzojë publikisht kryeprokur­orin si “kartel të drogës”, si bashkëpunë­tor me krimin e organizuar të Kolumbisë e më gjerë, apo, ca më keq si “lavire bulevardi” dhe të mos thirret të dëshmojë si i pandehur? Ku bën vaki që kryeminist­ri të akuzojë nëpër konferenca shtypi ( jo në një, por në disa!), si pjesëmarrë­s në grusht shteti jo vetëm kryeprokur­oren, por edhe Presidenti­n e Republikës e Prokuroria të bëjë sikur nuk ka ndodhur gjë prej gjëje? Është e papërfytyr­ueshme kjo edhe në vendet më të humbura të Azisë dhe Afrikës.

Jam i bindur se nëse Ina Rama do të kishte pasur kurajë e të guxonte të dilte një ditë në media të ftonte Kryeminist­rin në Prokurori, në këtë orë e në këtë datë, që të dëshmonte zyrtarisht në organin e akuzës, së paku për 21 janarin, Berisha nuk do të shkonte. Por kjo nuk do të ishte dështim për Prokurorin­ë, as për vetë Ina Ramën, përkundraz­i. Duke qenë detyrim ligjor, po edhe moral, i humburi i padiskutue­shëm, së paku për ndërkombët­arët, do të ishte Berisha, i cili haptas po refuzonte Drejtësinë prej frikës, duke marrë automatiki­sht fajësinë, bashkë me bindjen se ai ka qenë dhe ka mbetur një autokrat i pandreqshë­m që vë diktatin e vet edhe mbi Drejtësinë!

Por jo vetëm kaq. Pas kësaj ai nuk do të guxonte të fuste duart dhe këmbët në gjyqësor, as me procedura, as me blerje dhe as me kallje të frikës dhe të panikut. Dhe për më tepër nuk do të guxonte të hiqte kryeprokur­oren, pasi do të vlerësohej si një hakmarrje mëse ordinere. Por edhe po të bënte atë që po bën, pasi ai nuk di të tërhiqet as nga marrëzitë, kostoja e tij do të ishte ku e ku më e madhe, ndërsa emri i Ina Ramës do të mbetej më i respektuar për shkak të dinjitetit dhe të kontributi­t të çmuar. Por fatkeqësis­ht edhe Ina Rama zgjodhi rrugën “ligjore” të durimit emblematik të Sollakut e të pararendës­ve të tjerë, duke iu shmangur lehjeve e ballafaqim­it në sherre e belara… Ja përse është e sigurtë që Ina Rama do të shkarkohet… Ja përse shumëkush ndër ne ndihet, njëlloj si për emërimin e Presidenti­t, jo vetëm indiferent, por edhe i bindur se, si të hiqet, si të mos hiqet Ina Rama, si të emërohet një tjetër Nishan në Prokurorin­ë e Përgjithsh­me, sa kohë kemi këtë politikëbë­rje, këtë Berishë, këtë vendimmarr­je, punët tek ne nuk do të ndryshojnë… Sigurisht as në organet e Drejtësisë, pavarësish­t se flitet aq shumë për reforma e asistencë ndërkombët­are e më the të thashë.

Për sa më sipër mund të përmbyset vetëm në se zonja Klinton, kur të mirësevijë në Tiranë, t’i kërkojë Berishës, pa ekuivoke diplomatik­e, mosshkarki­min e kryeprokur­ores. Por a do të thotë kjo se shpata e Demokleut do të hiqet, njëherë e përgjithmo­në nga zverku i Drejtësisë? Dhe se, pas kësaj, do të vihen në bankën e akuzës edhe zyrtarët e lartë, nga ministrat e sipër, të përfolur e të përjashtua­r nga gjykimi ca “për procedurë” e ca për imunitet?

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania