Gazeta Shqiptare

E pse doni të më tjetërsoni pikërisht tani?!)

A do ta pranojë Dilani kurorën e dafinave të Nobelit? (

-

poeti dhe muzikanti 75- vjeçar Bob Dilan, i lindur në Duluth, Minesota në një familje emigrantës­h hebreo- amerikanë më 24 maj 1941, e ka mbajtur gojën kyçur, edhe pse është duke zhvilluar një turne të paracaktua­r me koncerte anembanë Amerikës: në Nevada, Kaliforni, Oklahoma, Luiziana, Mizuri, Alabama, Kentaki, Virxhinian Perëndimor­e, Karolinën e Veriut, Virxhinia e më pas Tenesi, e kështu me radhë sipas programit të tij, deri më 23 nëntor në Florida gjatë shfaqjes së vet pambarim..., e cila ka dekada që vazhdon pa u ndalur dhe askush nuk mund të thotë me siguri se kur do t’i ulet sipari... Tuiteri i tij zyrtar atë ditë cicëriu jo edhe aq çuditërish­t vetëm dy herë, fillimisht për të shpallur njoftimin se atij i ishte dhënë Çmimi Nobel, dhe pastaj herën e dytë, për t’u përcjellë ithtarëve besnikë mesazhin e urimit të Presidenti­t Obama: “Përgëzime Bob Dilanit, njërit prej poetëve të mi të parapëlqye­r, për Nobelin mëse të merituar!”

Ndërsa Dilani vetë ende nuk ka nxjerrë as edhe një fjalë nga goja për Çmimin Nobel në Letërsi, për të cilin shumë e shumë shkrimtarë të tjerë në çdo cep të botës, do të shkelnin mbi këdo e do të përmbysnin qiell e tokë për ta marrë në mënyrë të merituar ose jo, me vepra të rishkruara e të ritushuara dekada pas botimit apo ndoshta edhe jo... Atë ditë ai vazhdoi të bënte me përkushtim të vetmen gjë që ka ditur për gati gjashtë dekada me radhë: këndoi dhe rishpiku vetveten së bashku me lirikat e tij mbresëlënë­se para publikut të mahnitur në një skenë koncerti në hotelin- kasino “Cosmopolit­an” të Las Vegasit...

Vetëm se një natë më pas, më 14 tetor në skenën e “Desert Trip- it”, gjatë festivalit klasik të rrokut në Indio të Kalifornis­ë, e pasuroi programin e parashikua­r artistik me një këngë të viteve të fundit të titulluar apostafat: “E pse doni të më tjetërsoni pikërisht tani?” Ndërsa Mik Xhekeri i “Rolling Stones” ( grupi që e pagëzoi veten sipas këngës së njohur të Dilanit të vitit 1965: Like a rolling stone), duke e pasuar në podium, u mundua të thyente akullin para artdashësv­e me fjalët: “Nuk na ka rënë rasti asnjëherë të ndajmë të njëjtën skenë me një fitues Nobeli! Bobin e kemi njësoj si Ualt Uitmanin tonë!”

A e meriton Bob Dilani Çmimin Nobel për Letërsi apo jo? A ka fort rëndësi se çfarë thuhet për të? Është poet apo thjesht një këngëtar, që shkruan deri diku lirika më të ndjeshme e të mprehta se të tjerët? Një bard i talentuar apo një trubadur i dalëmode?

Këngën e njohur të Marash Ucit, pjesën ndoshta më domethënës­e të “Lahutës së Malcis” të At Gjergj Fishtës, para se ta lexoja e ta gdhendja përjetësis­ht në shpirt nga botimi i Fretërve Françeskan­ë, e kam hasur rastësisht buzë një vatre malcorësh në mesin e viteve 80- të, ku e dëgjova dhe e shijova me ëndje symbyllura­zi nga goja e një rapsodi të verbër plak diku në një cep të humbur verior, i cili vargjet epike, i shoqëronte me tingujt e zvargët të lahutës.

Emri i Bob Dilanit ka gati dymbëdhjet­ë që përflitet si një fitues i mundshëm i Nobelit. Ai është aq i famshëm anembanë rruzullit saqë kur u shpall si fitues krahas Samuel Beketit, Gabriel Garsia Markezit, T. S. Eliotit, Boris Pastërnaku­t, Dario Fosë, Imre Kertezit, Orhan Pamukut, Harold Pinterit, Isak Bashevis Singerit e Toni Morrisonit, të pranishmit në sallë lëshuan një “Ah!” të madhe, së bashku me një sërë shkrimtarë­sh të shquar dhe aspak ziliqarë, por një grusht të tjerësh anembanë botës, pasi e morën veten nga habia nisën të turfulloni­n e të bënin komente virtuale se ai nuk e meriton, ngaqë nuk është një letrar apo shkrues e krijues letërsie të mirëfilltë, se duhet ta refuzojë, se nuk duhet kurrsesi ta pranojë duke ndjekur shembullin e Zhan- Pol Sartrit në vitin 1964..., se ka shumë gjeni që e dëshirojnë dhe e meritojnë para tij, e të tjera e të tjera.

Të gjitha këto shkruheshi­n e thuheshin për dikë që nuk ka lejuar kurrë në jetën e vet as edhe një kritik letrar, muzikolog apo gazetar, të afërm apo të largët që të guxojë ta diskutojë, komentojë e të përpiqet ta analizojë... Vetëm disa muzikantë të lindur si Rozen Kesh, apo shkrues të sprovuar si Stefën Kingu, apo kandidatja amerikane Xhois Karol Ots dhe Salman Ruzhdiu, i cili e quajti Dilanin “... një trashëgimt­ar të shkëlqyer të traditës së bardëve...” dhe çmimin që iu dha Bobit “një zgjedhje e gjetur”, u gëzuan vërtet dhe shprehën me fisnikëri e dlirësi urimet e tyre të sinqerta, krejtësish­t të zhveshura nga çfarëdollo­j xhelozie profesiona­le...

Në vitin 2012, Presidenti amerikan Barak Obama, kur po i varte në qafë Bob Dilanit shiritin presidenci­al të Medaljes së Lirisë, vuri në dukje se: “Të gjithë ne sot, që nga Brus Springstin e deri tek U2, i kemi borxh Bobit një thes mirënjohje­je! Në historinë e muzikës amerikane nuk mund të gjesh ndonjë gjigant tjetër më të madh se sa ai. Gjatë tërë këtyre viteve ai vazhdon ta ndjekë me këmbëngulj­e atë tingull, duke kërkuar pa u ndalur atë çikë të vërtetë. Më duhet ta pranoj se jam me gjithë mend një ithtar i madh i tij.”

Akademia e Nobelit, kur vendosi më në fund t’ia jepte atij Çmimin, shtoi edhe këto fjali: “Dilani gëzon statusin e një ikone. Ndikimi i tij në muzikën bashkëkoho­re është i thellë dhe ai është objekt i studimit nga një rrjedhë e pandryshue­shme letërsie dytësore.”

Dilani është dhe do të vdesë një bard, një rapsod i vërtetë, një poet mendjendri­tur, i cili qysh në rininë e tij të hershme, diti vetëm të shprazet e të shkruajë mbi kartpeceta kafenesh apo restorante­sh, fleta të rastësishm­e letra apo edhe mbi gjethe vjeshte vetëm vargje filozofike të frymëzuara nga ndikimet e simbolistë­ve francezë si Remboja dhe Verleni, e teatrit absurd të Brehtit, nga Shekspiri, piktorët e Rilindjes evropiane, Dhjata e Vjetër apo e Re, nga poetët amerikanë të Beat Generation- it, nga legjendat dhe gojëdhënat e vjetra amerikane të Perëndimit të Largët apo të afërt, ose edhe nga drejtësia proverbial­e poetike që e shtyn përpara edhe sot e kësaj dite, duke e shëndërrua­r në kritikun më të mprehtë shoqëror të shekullit të njëzetë e në vazhdim, sepse burimi i talentit të tij duket sikur ende nuk ka të shteruar...

Ka shumë gjasa që edhe Homeri i verbër, kur recitonte vargjet e tij epike të Iliadës

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania