Gazeta Shqiptare

Për njeriun e epërm

- NGA FRIEDRICH NIETZSCHE*

7. Nuk mjafton që rrufeja të mos bëjë më dëm. Unë nuk dua ta shmang: ajo duhet të mësojë- të punojë për mua.

Urtësia ime ka kohë që po rëndohet e rëndohet si një re, po bëhet gjithnjë e më e heshtur dhe më e errët. Kështu bëhet çdo mençuri që duhet të përlindë rrufé.

Për këta njerëzit e sotëm unë nuk dua të jem dritë, nuk dua të më kuptojnë si dritë. Këta – unë dua ti verboj: me rrufenë e urtisë time! T’ju nxjerr sytë!

8. Mos dëshironi asgjë përtej aftësive tuaja: ata që duan përtej aftësive janë të shtirur deri në neveri.

Veçanërish­t kur na duan gjëra të mëdha! Sepse kështu mbjell mosbesim për gjërat e mëdha, kjo racë falsifikue­sish të rafinuar, kjo racë palaçosh:

- derisa mashtrojnë edhe veten, syshtrembë­r, gjithë krimba dhe të stërlyer, të veshur me fjalë të forta, me virtyt protagonis­tësh, me vepra shkëlqyese dhe false.

Kini kujdes prej tyre, o njerëz të epërm! Asgjë, në fakt , unë nuk vlerësoj në ditët tona më të çmuar dhe më të rrallë se sinqeritet­in.

A nuk janë ditët tona ditë të vegjëlisë, ditë të plebejve? Por vegjëlia nuk shquan dot të madhen nga e vogla, nuk dallon dot as të drejtën dhe të sinqertën: ajo ta dredh në pafajësi të plotë, ajo gjithmonë mashtron.

9. Në ditët tona qofshi shumë mosbesuesa, o njerëz të epërm, ju, o të vendosur! Ju, o zemërhapur! Mbajini të fshehta motivet tuaja. Ditët tona janë në fakt ditë të plebejve, të shpirtvegj­ëlve.

Atë që turma e shpirtvegj­ëlve një ditë pa motive mësoi ta besojë, e kush do të mundej, mandej me motive, atë besim për të t’ja rrëzojë?

Në treg, të tjerët i bindim vetëm me gjeste. Motivet e bëjnë mosbesuese turmën e shpirtvegj­ëlve.

Dhe nëse ndonjëherë e vërteta fitoi, veten të pyesni me mosbesim të thellë: “Cila qe ajo gafë e madhe që për të luftoi?

Kujdes, kujdes edhe nga të talentuari­t! Ata ju urrejnë: sepse janë shterpë, janë sterilë. Ata kanë sy të ftohtë e të shplarë, para tyre çdo zog i shpupluar paraqitet.

Ata mburren se nuk gënjejnë: po paaftësia, pafuqia për të gënjyer është tepër larg dashurisë për të vërtetën. Ruajuni syresh!

Mungesa e etheve të pasionit tepër larg prej njohjes është! Unë nuk ju besoj shpirtrave të ftohtë. Ai që nuk di të gënjejë, nuk e di se çfarë është e vërteta.

10. Nëse doni të arrini lart, përdorni këmbët tuaja! Mos ja lejoni vetes t’ju transporto­jnë për lart, mos u rrini mbi shpinë dhe mos shkelni mbi kokat e të tjerëve!

I hype kalit? Po galopon me të katra drejt qëllimit që ke? Epo mirë, o mik! Këmbën tënde të ndrydhur me vete e ke, mbi kalë!

Kur ta arrish qëllimin, kur të kërcesh përdhe nga kali: atje, pikërisht në kulmin e lartësisë, suksesit tënd, ti o njeri i epërmatje do të rrëzohesh!

11. O ju, krijues, ju , o njerëz të epërm! Me barrë të bën vetëm pinjolli yt.

Mos e lini veten t’ju fusin në thes, t’ju bindin! Kush është, në fund të fundit, i afërmi juaj! Edhe nëse veproni “për të afërmin”- natyrisht, mos krijoni për të!

Ç’mësohuni nga kjo “për”, o krijues: virtyti juaj dikton që asgjëtë mos të bëni “për”, “për motiv të” apo “sepse”. Për këto fjalëza fallco duhet ti vulosni veshët tuaj.

Ajo “për të afërmin” është vetëm virtyt i njerëzve shpirtvegj­ël: ndërmjet tyre flitet si “barabartë mes të barabartëv­e” dhe që “NJËRA DORË LAN TJETRËN “:- ata nuk kanë as të drejtën dhe as forcën e mjaftueshm­e për egoizmin tuaj!

Në egoizmin tuaj, o krijues, ka durim, maturi dhe largpamësi prej gruaje me barrë! Ju mbroni, kurseni, ruani, ushqeni me gjithë dashurinë tuaj atë që akoma asnjë sy s’e ka parë.

Atje ku është e gjithë dashuria juaj, pranë pjellës suaj, atje është edhe i gjithë virtyti juaj! Vetëm vepra juaj, vullneti juaj dhe “i afërmi” juaj: mos e lini veten të bindet nga vlerat fallco!

12 O krijues, o njerëz të epërm! Ai që duhet të lindë, është i sëmurë; por ai që ka lindur, është i ndotur ( kështu thotë Tradita).

Pyesni gratë; ato nuk lindin nga qejfi. Dhimbja ngërdhesh gjela dhe poetë.

O krijues, jeni shumë pisanjosë. Sepse ju është dashur të bëheni nëna lehonë.

Një pjellë e re, ah, sa pisllëk i ri për këtë botë! Shmanguni! Dhe ai që e ka lindur duhet ta lajë e ta pastrojë mirë shpirtin e tij!

* Përktheu Lluka Qafoku

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania