Alfano: Do t'i kapim shqiptarët e arratisur
Tre shqiptarët e arratisur me çarçafë nga burgu i Rebibbia në Romë janë ende të lirë, ndërsa mendohet se kanë pasur bashkëpunëtorë brenda ambienteve të burgut. Ngjarja, që sipas mediave italiane është "një film" i përsëritur disa herë gjatë këtij viti, ka bërë që ministrja Nadia Palstina t'i shtrijë hetimet edhe te gardianët, duke dyshuar se mes tyre mund të ketë bashkëpunëtorë të shqiptarëve. Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano, ka siguruar opinionin publik duke thënë se shqiptarët e arratisur do ti kapim. "Të gjitha historitë e viteve të fundit kanë përfunduar në dëm të të arratisurve, dhe kështu do të përfundojë edhe këtë herë. Ky është një fenomen që ndodh në të gjithë botën, por në Itali përfundon gjithmonë me kapjen e të arratisurve" - tha Alfano. Tre të burgosurit për vrasje dhe prostitucion arritën të arratiseshin nga burgu i Romës duke krijuar me shishe dhe kartonë silueta njerëzore, të cilat i vendosën në shtretërit e tyre për të mashtruar gardianët gjatë kontrolleve të natës. Një prej tyre, Tesi Basho, 35 vjeç, ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje të dyfishtë, ndërsa Ilir Pere dhe Mikel Hasanbelli kishin përfunduar në burg për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Hetuesit janë duke u përpjekur të kuptojnë se si të arratisurit kanë arritur të sharrojnë hekurat e dritares së qelisë ku qëndronin, të arratisen duke përdorur çarçafë dhe të kalonin murin rrethues të burgut pa e kuptuar askush atë që po ndodhte.