Erdogan shkarkon 10 mijë zyrtarë, do të rikthejë dënimin me vdekje
Grushti i shtetit që ndodhi në Turqi gjatë korrikut e ka detyruar Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të qeverisë me dorë të hekurt. Erdogan ka ripërsëritur qëllimin e qeverisë turke që t'i kërkojë parlamentit të vendit që të shqyrtojë kthimin e dënimit me vdekje si ndëshkim për komplotistët e puçit të dështuar ndaj tij në korrik. "Qeveria jonë do ta çojë në parlament. Unë jam i bindur se parlamenti do ta aprovojë atë dhe unë do ta ratifikoj", - ka thënë Erdogan, në një ceremoni inaugurimi në Ankara. "Së shpejti, së shpejti, mos kini merak. Do të ndodhë shumë shpejt, dashtë Zoti", - ka thënë ai, teksa turmat bërtisnin "Duam dënimin me vdekje!" Ndëshkimi me vdekje është hequr në Turqi në vitin 2004, teksa vendi synonte të anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Pas puçit të dështuar për rrëzimin e Erdoganit në korrikun e këtij viti, numri një i Turqisë ka kërcënuar se do të kthejë dënimin me vdekje për të ndëshkuar puçistët, duke tronditur edhe udhëheqësit e BE- së, të cilët janë shprehur kundër. Por ky propozim nuk është e vetmja iniciativë e presidentit turk për hakmarrje. Ai ka shkarkuar së fundi plot 10 mijë funksionarë shtetërorë, të cilët i bën përgjegjës për puçin e organizuar kundër tij. Gjithsej 10.131 punonjës të shtetit, kryesisht të ministrive të Edukimit, Drejtësisë dhe Shëndetësisë, janë shkarkuar, sipas këtyre dekreteve të publikuara në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që shumë funksionarë të tjerë janë prekur më parë nga ky spastrim që prej grushtit të shtetit të 15 korrikut.