"Lufta Nacionalçlirimtare ka qenë një mashtrim i madh komunist, pjesë e planeve të përgatitura jashtë vendit"
Sami Repishti: Kambanë alarmi, dikur donim lirinë, sot ' bukë e punë' E. Hoxha deklaronte "të mos lejohet asnji grup i armatosun me luftue okupatorin pa autorizimin tonë"
Adrian Paci, në një intervistë të një viti më parë për "GSH", i pyetur se çfarë do bëjmë me gjithë këtë liri të pakufi, teksa citonte psikologun e sociologun italian Massimo Ricalcatti, thoshte se e kemi kapërcyer kompleksin e Edipit e jemi në momentin kur vuajmë kompleksin e Telemakut- ne nuk e vrasim më babanë për t'i marrë pushtetin e gruan, por rrimë në shtëpi me nënën dhe presim kthimin e babait.
Sot, një vit më vonë, kur një sondazh i OSBE- së bën me dije se pothuaj gjysma e shqiptarëve duan Enver Hoxhën, prof. Sami Repishti, në një intervistë për "GSH" thotë se masa popullore e pazhvilluar ka nevojë për një "prind" që kujdeset; ky "prind" ofron sigurimin e rendit publik me dhunë dhe punësimin e njerëzve si robotë të mekanizuar. Duket pra, se askush nuk do më lirinë, por "bukë e punë". Profesori, tanimë në të 90- at e tij, në një intervistë të gjatë për "GSH" sjell një analizë të gjatë e brilante, që është ( edhe) një këndvështrim psikologjik; as hakmarrës, as subjektiv, si dëshmitar i vuajtjeve e dhimbjeve. Ai tregon se: punësimi ishte skllavëri e detyrim, se torturat qenë ndër më makabret, se sa u vranë, pushkatuan a internuan, e se në fund, kjo amnezi kolektive duhet të mbarojë. "Jemi në fazën e ' kohës së pastrimeve', një nevojë e domosdoshme për korrigjime ' mitesh' e zbulime ' faktesh' që akoma rëndojnë me peshën e tyre negative". Më poshtë intervista e profesorit, ish- i dënuar i komunizmit.
- Ka një raport të OSBE që tregon se më shumë se 50% e shqiptarëve e duan Enver Hoxhën. A është shqetësues ky raport?
Para së gjithash, më duhet të rrëfej se nuk kam lexue Raportin e OSBE të plotë. Kam lexue pjesë të tij dhe komentet.
Asht shqetësues raporti? Po dhe jo!
Asht shqetësues sepse “normalisht” nji popullsi, si ajo e Shqipërisë, që ka përjetue 50 vjet diktaturë fashiste, naziste dhe komuniste dhe shtypjet e tyne të paevitueshme për vetë natyrën e çdo diktature, duhej të kishte arrijtë në përfundimin se çdo diktaturë asht e dënueshme apriori nga nji shoqni civile e lirë dhe e edukueme. Në rastin e kundërt, nji shoqni civile që nuk dënon diktaturën asht ose e frikësueme nga persekutimi ose e paedukueme. Këto janë masa popullore të pazhvillueme që nuk kanë aftësi me sigurue nji jetë për vete dhe për familjen, masa që kanë nevojë për nji “prind” që kujdesohet; në rastin tonë nji “pushtet” që i zhvesh nga çdo nismë e lirë, dhe i mobilizon në sherbim të nji kauze që ata nuk kuptojnë, po që pranojnë në heshtje. Sepse, “prindi” ofron sigurimin e rendit publik me dhunë, dhe punësimin e tyne si robotë të mekanizuem.
Me vdekjen e “prindit” kjo aleancë jo e natyrshme thyehet, pushteti eliminohet bashkë me dhunën dhe me të edhe siguria e rendit e ajo e punësimit si skllav. Të trajtuem si “fëmijë”, këto masa popu- llore nuk janë në gjendje me u kujdesue për vehte, mbeten si të thuesh “jetimë” dhe të papërgatitun me përballue sfidën e “qytetarit të lirë”, në nji “vend të lirë” e me gjetë kurajon e nevojshme për nisma private që sigurojnë mbijetesën.
“Pushteti” i ri që zëvendson nuk luen rolin e “prindit” dhe kufizohet me sigurue nji ambient të përshtatshëm në të cilin “qytetarët” e lirë gjejnë nji zgjidhje të problemit të sigurisë e të rendit, dhe “punësim” simbas aftësive personale. Kur ky “pushtet” i ri dështon në misionin e vet, krijohet kaosi social e shgënjimi i qytetarëve. Shumë qytetarë humbin shpresën për nji jetë ma të mirë. Problemi i bukës së përditëshme merr nji randësi kryesore, dhe liritë themelore të individit dhe ato të qytetarit humbin peshën e tyne specifike. “Duam bukë! Duam punë!” bahet slogani i ditës.
Kthimi në botën e “së kaluemes” paraqitet si nji zgjidhje; fatkeqsisht, kjo zgjidhje asht në esencë imorale sepse aprovon krimet politike të pushtetit të kaluem, pranon nënshtrimin e plotë të qytetarëve të lirë, pranon jetën e nji roboti mekanik, pa mend e pa zemër.
Kam përshtypjen që nji zhvillim i këtill politik e social ka ngja në Shqipëri!
Për rastin e afër 100.000 ish anëtarëve dhe kandidatëve të ish PKSH/ PPSH mund të spjegohet me thanjen e shkrimtarit Georges Sanders: “Kam njohë individë që kanë fillue me idenë ‘ me ndreqë botën’, dhe që kanë kuptue se bota nuk ndreqet… Bota refuzon me marrë formën që dëshirojmë, ku ‘ unë asht qendra e universit; atëherë unë urrej të gjithë botën”. Kjo asht psikologjia e diktaturës së dështueme dhe diktatorit maniakqë eventualisht përfundojnë në klubin e fundërrinave të historisë. Këto “fundërrina” që kanë humbë gjithçka synojnë krijimin e kaosit që dëshmojmë edhe në Shqipëri.
Asht shqetësues Raporti? Jo!
Ai asht përfundimi i nji sondazhi të kryem nga nji institucion serioz, dhe që ne shqiptarët duhet të respektojmë, dhe të përfitojmë nga eksperienca që na ofrohet. Raporti asht nji kumbonë alarmi që duhet të ndigjohet nga të gjithë ne. Ka ardhë koha të shohim ngjarje, akte, individë në vendin tonë me nji sy objektiv. Mjaft me folklore, mjafton me nënshtrimin e historiografisë sonë çapkënllëqeve të sundimtarit. Jemi në fazën e “kohës së pastrimeve”, nji nevojë e domosdoshme për korrigjime “mitesh” e zbulime “faktesh” që akoma randojnë me peshën e tyne negative.
Natyrisht, kujtesa e jonë asht shpesh herë selektive, prandej relative dhe e kufizueme, dhe faktet historike, sado kokëforta që të jenë, mund të kundërshtohen. Shkrimi i historisë ka dy parime themelore: faktet e rregjistrueme ( dokumentacioni) dhe konteksti i aktit historik. E para, na jep konfirmimin e ekzistencës së “faktit” dhe eliminon “shpifjen”, kaq e shpeshtë në historinë tonë. E dyta, trajton subjektin ( faktin historik) në kohën dhe hapësinën kur dhe ku “fakti” ka ngjarë. Si shembull:
Në parathanjen e “Historia e Skenderbeut ( 1947), Imzot Fan S. Noli shkruen se çdo personalitet në histori kalon nepër tri faza: e para, glorifikimi i tij, e dyta, asgjasimi tij, e treta, rivlerësimi i tij. Nji teori e këtill nuk përjashton as edhe diktatorin stalinist të formës ma të keqe, Enver Hoxha. Kam përshtypjen se kjo fazë e tretë po çfaqet sot në Shqipëri. ( Rrëfim: kam dënue dhe vazhdoi të dënoj këte diktator, pa asnji hezitim ose rezervë!)
Por ka disa fakte historike paraqitja e të cilëve asht e pa k u n d ë r s h - tueshme. Siç janë: invazioni otoman i shekullit XV ka qenë dhe mbetet nji okupacion i dhunëshëm ushtarak, dhe shërbimi i “pashallarëve” shqiptarë në mbajtjen dhe forcimin e këtij invazioni të dhunshëm janë akte për dënim. Sistemi i latifundistëve, i “bejlerëve” ka qenë shtypës, dhe vorfënia që ai sistem shtypës krijoi, sidomos në fshatin shqiptar asht nji akt që duhet dënue. Krijimi i klikave sunduese, para dhe mbas Pavarësisë sonë të 28 nandorit 1912, janë gjithashtu akte për dënim, sepse në esencën e tyne ata kanë përjetësue privilegjet e fitueme nga “favoret” e të huejit që kërkonte “shërbim”.
Dhe në kulmin e këtij fenomeni imoral dhe anti- njerëzor, kemi “diktaturën e proletariatit” nji sllavnim total e brutal i afër katër miljonë shqiptarëve që u detyruen me u gjunjëzue nga frika për 45 vjet të gjata. “Me nderue”
“Prindi” ofron sigurimin e rendit publik me dhunë, dhe punësimin e tyne si robotë të mekanizuem