Vetingu, Gjykata: Kujdes nga ekzekutivi
Kushtetuesja publikon vendimin për ligjin: Si u ndanë tetë votat e gjyqtarëve Dokumenti prej 50 faqesh: Ligji është kushtetues
Gjykata Kushtetuese zbardhi dje ligjin e vetingut. Gjatë arsyetimit kërkohet të bëhet kujdes nga ndikimi i ekzekutivit, ndërsa bëhet thirrje që puna të bazohet mbi Kushtetutë dhe të mos nisë pa u zgjedhur dy organet që ligji themelor i shtetit ka parashikuar për këtë proces. Në 50 faqet e arsyetimit të publikuar, Gjykata u ka dhënë përgjigje 4 pretendimeve të Partisë Demokratike dhe Unionit të Gjyqtarëve si paditës së ligjit. Për sa i përket themelit të pretendimeve, gjykata konstaton se procesi i rivlerësimit sipas ligjit kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit; përcaktimi i kompetencave të këtyre institucioneve në Kushtetutë do të thotë se asnjë institucion tjetër nuk mund t’i ushtrojë ato. Sipas Gjykatës Kushtetuese, dokumentet e mbledhura nga institucionet ndihmëse si ILDKPI dhe DSIK mund të shërbejnë si provë për komisionet e rivlerësimit por nuk mund të merren apriori si të vërteta. Pra në përfundim, organet e tjera, të cilat janë të përfshira në procesin e rivlerësimit, kanë funksione ndihmëse dhe instrumentale që kanë për qëllim të ndihmojnë institucionet kushtetuese në përmbushjen e mandatit të tyre, duke ua lënë vendimmarrjen Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit. Në lidhje me pretendimin e cenimit të parimeve juridike, Gjykata shprehet se normat kushtetuese dhe të ligjit kanë parashikuar rregullat dhe modalitetin e kryerjes së vlerësimit, kështu që ky pretendim është i pabazuar. Gjykata Kushtetuese e gjen të pabazuar edhe pretendimin “kufizimin e të
drejtave themelore të individit”, pasi sipas saj, ndërhyrja në këtë rast justifikohet me interesin publik, që është ulja e nivelit të korrupsionit dhe rikthimi i besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, pra lidhet me interesa të sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe mbrojtjes së të drejtave dhe li-
rive të të tjerëve në përputhje me KEDNJ. Kërkesën për “cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor”, gjykata e ka rrëzuar me argumentin se të drejtat e subjektit të rivlerësimit gjatë procesit të rivlerësimit rregullohen sipas përcaktimeve të neneve 35 – 40 dhe neneve 45 – 47 të Kodit të Pro- cedurave Administrative. Po ashtu, ligji ka parashikuar detyrimin për njoftimin e subjektit të rivlerësimit, të drejtën e subjektit për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, detyrimin e institucionit të rivlerësimit për të arsyetuar vendimin, të drejtën e subjektit të rivlerësimit për t’u ankuar ndaj vendimit të KPK- së, si dhe ka përcaktuar rregullat e gjykimit në Kolegjin e Apelimit në përputhje me rregullat e gjykimit të mosmarrëveshjeve administrative.
Në fund, Gjykata ka vlerësuar gjithashtu si të pabazuar pretendimin për mosrespektim të procedurave parlamentare për miratimin e ligjit, duke arsyetuar se janë zbatuar dispozitat e Rregullores së Kuvendit për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve. Për më tepër, kërkuesi nuk ka arritur të argumentojë se si dhe deri në çfarë mase është prekur në të drejtat e tij kushtetuese parlamentare. Kërkesa për rrëzimin e ligjit ka marrë 6 vota kundër dhe 2 vota pro, të cilat ishin të Besnik Imerajt dhe Gani Dizdarit. Gjashtë gjyqtarët që kanë votuar pro rrëzimit të kërkesës së PD- së janë Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Fatos Lulo, Bashkim Dedja, Vladimir Kristo dhe Fatmir Hoxha.
Shpallje Ankandit të dytë