Gazeta Shqiptare

Gjobitën biznesmeni­n, burg dy të rinjve

-

Gjykata la dje në arrest me burg dy personat e akuzuar për gjobë vënie ndaj biznesmeni­t, shtetasit Altin Vasili dhe Durim Dervishi. Dy të rinjtë u arrestuan pak ditë më parë nga policia e Tiranës për gjobë vënie. Me anë të mesazheve kërcënuese, ata i kishin kërkuar biznesmeni­t Piro Zoto shumën prej 10 mijë euro duke iu prezantuar me mbiemrin "Shullazi". Vasili dhe Dervishi dolën dje para togave të zeza të gjykatës së krimeve rënda për t'u njohur me masën e sigurisë. Denoncimi është bërë nga vetë biznesmeni. Dy të rinjtë punonin në një kompani që merrej me pastrimin e xhamave dhe blinin materiale te biznesmeni Piro Zoto, që ndodhej në autostradë­n Tiranë - Durrës. Kërcënimet dy djemtë i bënin me anë të mesazheve telefonike, të cilat Altin Vasili ia dërgonte 55- vjeçarit nga celulari i të atit, por duke përdorur edhe numra të tjerë. Vasili i kishte shkruar biznesmeni­t se ishte "Altin Shullazi" dhe se shumën e parave duhet t'ia jepte sa më parë të mundej ose në të kundërt do të vritej. Ndërkaq, Durim Dervishi ka thënë para gjykatës se nuk ka lidhje me këtë histori. Ai ka sqaruar se vetëm ka shoqëruar mikun e tij ditën ku do të merreshin paratë. Kurse, Altin Vasili ka pohuar se kishte harxhuar një shumë të madhe parash në lojërat e fatit dhe për këtë gjë i duheshin paratë. Dy të rinjtë akuzohen për veprat penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" në bashkëpuni­m dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania