Rama: ‘ 17, viti i fundit me kanabis Xhafaj: Policia, larg zgjedhjeve
Kryeministri prezanton ministrin e Brendshëm para drejtorëve të Policisë së Shtetit Ministri: Ndëshkim për çdo rrënjë hashashi të mbjellë
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaruan dje vendosmërinë për vijimin e luftës kundër drogës dhe krimit të organizuar. Në një takim me drejtues të Policisë së Shtetit, ku morën pjesë edhe deputetët e Komisionit të Sigurisë, Rama u shpreh se puna e policisë është "një histori suksesi që duhet të vazhdojë, si shprehja më kuptimplotë e faktit se Policia e Shtetit mbështetet te qytetarët, u shërben qytetarëve dhe bashkë me qytetarët vazhdon përpjekjen për të bërë shtet". "Sfidat janë të mëdha dhe jo të panjohura, duke filluar nga sfida për një përshkallëzim të thellë dhe të mëtejshëm të luftës kundër kultivimit të kanabisit. Pas shkatërrimit të ' republikës së turpit' në Lazarat dhe rezultateve jashtëzakonisht kuptimplota dhe inkurajuese kundër kultivimit të kanabisit në këtë periudhë, ne kemi të gjitha arsyet ta konsiderojmë vitin 2017 si vitin që i vë kapak kësaj historie të gjatë. Histori që nuk filloi në 2013- ën, i ka rrënjët larg në të shkuarën, por që në 2017- ën janë të gjitha premisat që të ketë dhe epilogun e saj", u shpreh Rama. Ai inkurajoi forcat e policisë për të vijuar këtë punë kundër kanabisit, për të parandaluar mbjelljen dhe kultivimin e mëtejshëm, që në vjeshtën e këtij viti kjo qeveri të dalë krenare para popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë. "Nuk ka diskutim se në këto 3 vite e gjysmë, Shqipëria ka shënuar një ulje historike të vrasjeve, krahasuar me 25 vjet me radhë", tha Rama. Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohjen për Saimir Tahirin.
MINISTRI
Në fjalën e tij, ministri Xhafaj deklaroi si sfidë të tij, nxjerrjen e Shqipërisë një herë e përgjithmonë nga lista e vendeve që kultivojnë kanabisin. "Pa dyshim, ky objektiv është një sfidë mjaft e vështirë për këdo dhe kudo ku ky fenomen ekziston. Por duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm se asnjë e mirë nuk u vjen qytetarëve të një vendi ku mbillet kanabis dhe ku ekziston trafiku i lëndëve narkotike. Ndaj në këtë luftë duhet të jemi të gjithë bashkë, pa asnjë dallim politik apo i çdo lloji tjetër", tha Xhafaj. "Në këtë betejë nuk do bëjmë asnjë kompromis me trafikantët, me abuzuesit e ligjit, me punonjësit e korruptuar të Policisë. Do të ketë ndëshkim për çdo rrënjë kanabisi të mbjellë", theksoi ministri. Duke folur për rolin e policisë sa i përket sigurimit të zgjedhjeve sipas
standardeve, Xhafaj tha: "Kjo do të jetë kryefjala jonë: paanësi në çdo veprimtari që do të kryejmë për mbarëvajtjen e procesit, si dhe në rolin që ka Policia e Shtetit në
realizimin e zgjidhjeve sipas detyrave të mirëpërcaktuara tashmë në ligjin përkatës. Do të ndëshkohet rëndë çdo përfshirje apo çdo rol tjetër i policisë, organeve
të saj apo punonjësve të saj, që tejkalon në këtë proces kompetencat e përcaktuara nga ligji", tha Xhafaj.
Por, Xhafaj lajmëroi edhe një "veting" për punonjësit e policisë, në kuadër të reformës në drejtësi. "Ndoshta ka ardhur koha për të bërë atë, që konsiderohet ndryshe edhe ' vetingu' i figurës morale të çdo punonjësi të policisë. Promovimi brenda
strukturave të Policisë së Shtetit do të bëhet vetëm sipas meritokracisë dhe sistemeve të vlerësimit", tha Xhafaj. Sa u përket sulmeve personale që pati, Xhafaj tha se nuk do të ndalojë për asnjë çast në zbatimin e reformës në drejtësi. "Vendimi për të pranuar këtë detyrë ka qenë dhe besoj se do të mbetet vendimi më i vështirë i jetës sime politike", tha Xhafaj.