Gjykata i bllokon pasaportën izraelitit, e "detyron" të mos largohet nga Shqipëria
Frig hetohet për ndërhyrje në të dhëna kompjuterike
Gjykata
e Tiranës ven dosi të bllokojë pasaportën e izraelitit Yoram Frig, i cili u kap pak ditë më parë me një pajisje të dyshimtë në aeroportin e Rinasit teksa do të largohej nga vendi ynë. Kështu, izraeliti Yoram Frig nuk mund të largohet nga Shqipëria deri në mbylljen e hetimeve që prokuroria ka çelur ndaj tij. Ditën e djeshme, Gjykata e Tiranës vendosi të pranojë kërkesën e organit të akuzës dhe bllokoi pasaportës e izraelitit derisa prokuroria të vërtetojë nëse Frig ka kryer ose jo vepër penale. Vetë izraeliti nuk ishte i pranishëm përpara gjykatëses Teuta Hoxha, por u mbrojt nga avokati Vladimir Meçi. Ky i fundit, në përfundim të seancës nuk preferoi të jepte detaje për mediat në lidhje me hetimin që po zhvillohet ndaj izraelitit, ndonëse u shpreh se Frig nuk ka kryer veprimtari të paligjshme në Shqipëri. Yoram Frig akuzohet për "Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike", dhe për të provuar se ai ka kryer veprimtari të paligjshme në territorin shqiptar duhet të kryhet ekspertiza e pajisjes së bllokuar. Deri më tani Prokuroria e Tiranës nuk ka mundur të gjejë specialistë për të kryer ekspertizën e pajisjes, e cila sipas izraelitit nuk bën përgjime, por identifikon vetëm përgjuesit. Izraeliti Frig, i cili ushtron profesionin e detektivit privat, u ndalua në Rinas një javë më parë, pasi u dyshua për përgjime të paligjshme me pajisjen që kishte me vete. Frig i sqaroi prokurorisë se nuk ka kryer përgjime, por ka punuar për të identifikuar pajisjet përgjuese dhe se puna e tij është e ligjshme. Ai ka pranuar gjithashtu se ka ardhur në Shqipëri i kontaktuar nga deputeti Tom Doshi.