Tritoli në makinë, gruaja: Ja ku dyshoj
Në kërkim autori, në vendin ku ishte parkuar mjeti "Smart" nuk kishte kamera sigurie Shoqërohet ish- burri i 50- vjeçares, hetimi në 3 pista
Një ditë pas shpër thimit me tritol në një makinë të parkuar pas Prokurorisë së Përgjithshme në kryeqytet, hetuesit e ngjarjes kanë shoqëruar për të marrë në pyetje ish- bashkëshortin e pronares së mjetit. Shpërthimi i fuqishëm me lëndë plasëse u shënua mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23: 05, dhe objektiv ishte automjeti tip "Smart" në pronësi të shtetases Bruna Aliaj. Kjo e fundit e kishte parkuar makinën pranë pallatit ku banonte, ndërsa menjëherë pas ngjarjes u shoqërua në polici për t'u marrë në pyetje. Lënda plasëse ishte e vendosur në pjesën e pasme të makinës, ndërsa deri më tani policia nuk ka mundur të zbardhë ende autorin. "Njoftohemi se në zonën e njohur si ' Nëntëkatëshet', ka ndodhur një shpërthim, ku si pasojë ka pësuar dëmtime një automjet tip ' Smart' në pronësi të shtetases B. A. Automjeti ka qenë i parkuar, dhe dyshohet të jetë dëmtuar nga vendosja e një sasie të vogël lënde eksplozive. Nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, por vetëm dëme materiale. Policia ndodhet në vendngjarje", tha zyrtarisht Policia e Tiranës pas shpërthimit të ndodhur. Burime pranë policisë bënë me dije se kjo ngjarje është duke u hetuar në 3 pista, ndërsa autor i dyshuar i personit që mund të ketë vendosur tritolin në makinën "Smart" të ketë qenë edhe ish- burri i 50vjeçares.
Bruna Aliaj u shoqërua në Policinë e Tiranës vetëm pak minuta pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi në zonën e njohur si "Nëntëkatëshet". 50- vjeçarja ka mohuar të ketë konflikte me njeri, por i vetmi person që dyshon të ketë gisht në ngjarje është ishbashkëshorti i saj. "Nuk kam konflikte me asnjë person. As në biznesin që unë kam dhe as në zonën ku banoj", ka thënë Aliaj para hetuesve. 50vjeçarja ka treguar se është divorcuar pak vite më parë. Por, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, policia shoqëroi për të marrë në pyetje edhe ish- burrin e saj. Burimet e lartpërmendura thanë për Gazetën se ai nuk ka pranuar në asnjë moment se mund të ketë pasur konflikte me Brunën dhe se nuk është ai që e ka vendosur tritolin në makinë. "Me Brunën nuk kam asnjë konflikt. Nuk e kam vendosur unë tritolin në makinën e saj", - mësohet të jetë shprehur ish- bashkëshorti i 50- vjeçares.
PISTAT
Mësohet se shpërthimi i mjetit "Smart" është duke u hetuar në tri pista. Sipas burimeve bëhet me dije se pista kryesore ku janë përqendruar hetuesit është ajo e konflikteve që Bruna Aliaj ka pasur me bashkëshortin e saj, me të cilin ka rreth 5 vite që janë ndarë. Ndërsa pista tjetër e hetimit është përqendruar te mundësia që ngjarja të ketë ndodhur për shkak të konkurrencës. 50- vjeçarja është pronare e një dyqani veshjesh në zonën e Tregut Elektrik në Tiranë. Hetuesit janë duke vijuar hetimet nëse Aliaj mund të ketë pasur ndonjë konflikt të mundshëm në lidhje me aktivitetin e saj të punës, edhe pse kjo gjë është mohuar nga vetë ajo. Ndërsa pista e tretë e hetimit është përqendruar në ndonjë konflikt që djali i saj, i cili tashmë jeton jashtë vendit, mund të jetë përfshirë në ndonjë konflikt me persona që jetojnë në vendin tonë. Ndërkaq, policia e kryeqytetit është duke vijuar hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët e ngjarjes, ndërsa është duke këqyrur edhe pamjet e disa kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë rrugës ku ndodhi shpërthimi. Në vendin ku ishte parkuar makina "Smart" nuk kishte kamera sigurie, çka e bën edhe më të vështirë identifikimin e autorit.